TIRANË-Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Krime të Rënda ka lënë në burg Edison Mucekun, i cili u ekstradua në Shqipëri nga Britania e Madhe pak ditë më parë. Muceku akuzohet për veprën penale "Sigurimi i kushteve për të kryer vrasje", një akuzë që është pjesë e një hetimi nga SPAK.
Edison Muçeku ishte shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të operacionit të koduar "Revanshi", që u zhvillua në maj 2024. Muçeku ka mohuar akuzën ndaj tij, duke insistuar se nuk ka pasur asnjë lidhje me veprën penale për të cilën akuzohet. Avokati i tij ka kundërshtuar provat që janë përdorur kundër klientit të tij, duke theksuar se ato janë të paligjshme, veçanërisht ato që lidhen me përdorimin e teknologjisë Sky ECC.
Muçeku, i cili ishte një nga emrat më të kërkuar nga autoritetet shqiptare, tashmë do të qëndrojë në burg deri në zhvillimin e procesit të mëtejshëm gjyqësor.
Muceku dyshohet si 'ushtar' i bandës që drejtonte Viktor Xhecuka (Tori), të dy të akuzuar për tentativën e vrasjes së Hamza Terziut në Bulqizë, më 21 Maj 2020. Xheçuka dyshohet nga SPAK për vrasje me pagesë, si 'ushtar' dhe pjesë e organizatës së 'mbretit të kumarit', Ervis Martinaj (i zhdukur prej 8 gushtit 2022) dhe nga përgjimet SKY ECC është zbuluar se është porositur për tentativën e vrasjes së Durim Bamit më 4 Nëntor 2020.
Komente
