Pas fondacioneve, pasuria kulturore dhe tek individët! Ja kriteret që u japin të drejtën e menaxhimit deri në 10 vjet! Specialisti: Problem ligji, ne ishim kundër

14 Gusht 2022, 19:54| Përditesimi: 14 Gusht 2022, 20:14

  • Share

Një plan pune, financa të mjaftueshme, së paku 5 vjet eksperiencë në fushën e  trashëgimisë kulturore, ku veprimtaria duhet të jetë e pastër penalisht. Pas fondacioneve të posaçme, janë këto disa nga kriteret sipas Vendimin nr 560  të Këshillit të Ministrave të botuar  në Fletoren Zyrtare (“Për përcaktimin e procedurave publike për dhënien në administrim indirekt të pasurive kulturore personave fizikë ose juridikë, publikë ose privatë”) që duhet të plotësojnë pretendetët për administratorë të pasurive kulturore në rastin e personave fizikë apo juridikë, qofshin ata  publik a privatë, duke pasur edhe të drejtën për shfrytëzimin e hapësirave të nevojshme për ushtrimin e aktiviteteve.

Rrugë të lirë menaxhimit indirekt të trashëgimisë kulturore publike nga këto fondacione e individë i dhanë ndryshimet e bëra në 2018-ën ligjit “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë” përkatësisht në nenet171 e 172. Specifika këto të miratuara ndonëse specialistët e trashëgimisë u shprehën qartazi kundër.

“Unë e kam denoncuar rastin. Që në momentin që u miratua ligji ne ngritëm shqetësimin për disa aspekte të tij, qoftë për termat e monumentit, madhësinë e ligjit, futjen brenda ligjit të rregulloreve,  ku ndër të tjera i bëhet një pasim administrimit të pasurive kulturore, pa bërë përpjekje për t’i fuqizuar institucionet shtetërore nga ana financiare, profesionale. Pra ti shkëpusim institucionet nga duart e  politikave të  ditës”, shprehet specialisti i trashëgimisë Kreshnik Merxhani.

Njësoj si në rastin e fondacioneve të posaçme, në vendimin nr 560 të 29 korrikut, të propozuar nga ministrja e Kulturës theksohet se pronësia e pasurive do t’i mbetet shtetit.Ndërsa në këtë rast përjashtim bëjnë pasuritë kulturore me vlera arkeologjike e ato “me rëndësi universale” ose “me rëndësi kombëtare”. Personave fizikë a juridikë u jepen përmes këtij vendimi në menaxhim indirekt pasuritë kulturore deri në 10 vjet.  Në rast të mos përmbushjes së kushteve apo kur kontraktuesi dëshiron të zgjidhë kontratën, ajo që i mbetet shtetit, sipas këtij vendimi është garancia, 5 për qind e vlerës së investimit të miratuar.

“Ne votojmë qeverinë jo shtetin, shteti duhet të ketë politika afatgjata dhe roli i tij duhet të mbështetet në Kushtetutë. Problemi është që qeveria po i fut duart tek shteti, për ta detyruar që të dalë jashtë detyrave të tij kushtetuese”, thotë më tej.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?