Mbi 3 mijë njerëz kanë vdekur dhe 10 mijë të tjerë u konsideruan si të humbur pas përmbytjeve të shkaktuara nga stuhia Daniel që goditën Libinë lindore, tha një zyrtar të martën duke cituar Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC).
"Ne konfirmojmë nga burimet tona të pavarura të informacionit se numri i personave të zhdukur ka arritur në 10,000 persona deri më tani. Numri i të vdekurve është i madh dhe mund të arrijë mijëra", tha Tamer Ramadan, kreu i misionit të KNKK-së në Libi.
Othman Abdul Jalil, ministër i shëndetësisë i qeverisë së emëruar nga parlamenti, tha se shumica e viktimave ishin në qytetin bregdetar Derna. Qytetet e tjera të prekura nga katastrofa e fundjavës përfshijnë Bengazin, Bayda, Al Marj dhe Soussa.
Jalili tha se ishin mijëra persona të zhdukur nga kjo katastrofë natyrore, por ai nuk dha një shifër të saktë. Një burim brenda Gjysmëhënës së Kuqe Libiane tha se shumica e njerëzve vdiqën nga mbytja ose nga shembja e ndërtesave të banimit.
Rreth 7 mijë familje mbetën të bllokuar në zonat e prekura dhe operacionet e shpëtimit janë duke u zhvilluar për evakuimin e tyre, tha burimi. Gjysmëhëna e Kuqe Libiane humbi katër nga punëtorët e saj teksa ndihmonte në përpjekjet e shpëtimit, sipas zyrtarit, raportojnë mediat e huaja.
Ossama Hamad, kreu i qeverisë së emëruar nga parlamenti, të hënën tha se numri i të vdekurve vetëm në Derna arriti në 2 mijë dhe mijëra të tjerë janë konsideruar si të zhdukur.
Abdul Hamid Dbeibeh, kreu i qeverisë së unitetit të Libisë me bazë në Tripoli, i shpalli të gjitha zonat e përmbytura si zona fatkeqësie dhe shpalli 3 ditë zie kombëtare.
Georgette Gagnon, rezidente e OKB-së dhe koordinatore humanitare në Libi, tha se ishte "thellësisht e pikëlluar" nga ndikimi i rëndë i stuhisë, e cila dërgoi një ekip të emergjencës për të mbështetur autoritetet lokale dhe partnerët në rajon.
Raportet fillestare tregojnë se dhjetëra fshatra dhe qytete janë prekur nga stuhia, ku ka pasur dëmtime në infrastruktura dhe humbje jetësh, shtoi ajo.