Fëmijët në Britani do të vaksinohen kundër koronavirusit në muajin gusht, shumë më shpejt nga sa ishte parashikuar.
Janë 11 milion persona nën 18-vjeç që pritet të marrin këtë vaksinë deri në fillim të vjeshtës, shkruan “The Telegraph”.
Qeveria pret të dhëna nga një testim i vaksinës tek fëmijët, nga Universiteti i Oksfordit dhe rezultatet mund të publikohen në qershor që do të diktojë vendimin përfundimtar mbi vaksinimin e të miturve.
Propozimi do të jetë i diskutueshëm, sepse virusi paraqet vetëm një rrezik të vogël për fëmijët dhe ka të dhëna vazhdimisht në zhvillim në lidhje me sigurinë e vaksinave.
Njerëzit që mbështesin politikën argumentojnë se është e rëndësishme të minimizohet rreziku i infektimit, pavarësisht akademikëve që argumentojnë se fëmijët nuk kontribuojnë në përhapjen e covidit.
Izraeli është vendi i parë në botë që ka shpërndarë vaksina për fëmijë, ndërsa kanë marrë dozën 16 dhe 17-vjeçarë, pasi ministria e shëndetësisë vendosi se ishte e sigurt.