Helidon Gjikoka

Pas kompleksit ‘Ambel’, Helidon Gjikoka tentoi t'i marrë edhe shtëpinë 100-vjeçare kushëririt Ilir Koka, Prokuroria e Tiranës hap dosje të dytë penale 

15 Janar 2023, 18:34| Përditesimi: 15 Janar 2023, 18:42

  • Share

Krahas përvetësimit të kompleksin ‘Ambel’ në Dhërmi përmes mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve, Helidon Gjikoka ka tentuar t'i marrë kushëririt të tij, Ilir Koka, edhe shtëpinë 100-vjeçare po në Dhërmi, ku jeton bashkë me vëllain. Në janar 2019, Helidon Gjikoka ka finalizuar të gjithë operacionin kriminal sipas prokurorisë duke i përvetësuar Ilir Kokës kompleksin me 12 shtëpi private mbi sipërfaqen 1430 m2 në Dhërmi. Siç edhe e konfirmon ky dokument, në 27 shtator 2019, Helidon Gjikoka ka aplikuar në Kadastrën e Vlorës për kalimin e pronësisë dhe regjistrimin në emerin e tij të shtëpisë së Ilir Kokës, ndërtuar 100 vite më parë. Përpjekjet e Helidon Gjikokës, sot në masën e sigurisë arrest shtëpie, për t'i marrë edhe shtëpinë Ilir Kokës, janë zbuluar rastësisht. 

Një muaj më pas, në 31 tetor 2019, Androniqi Koka, kunata e Ilir Kokës, kishte aplikuar për të njëjtin objekt, për kalimin e pronësisë dhe regjistrimin e shtëpisë si pasuri. Ilir Koka jeton në shtëpi bashkë me vëllanë, i cili ka për bashkëshorte zonjën Androniqi. Vetëm pas aplikimit të Androniqit, dy vëllezërit janë njohur me faktin se për t'u marrë shtëpinë kishte aplikuar edhe Helidon Gjikoka. Në këto rrethana, Kadastra e Vlorës, ka vendosur pezullimin e procedurave për kalimin e pronësisë së shtëpisë në emrin e Helidon Gjikokës, deri në sqarimin e situatës. Në rastin konkret, zyra e shtetit ka vepruar duke zbatuar ligjin, ndryshe nga rasti i kompleksit në Dhërmi, ku zyrtarët publikë u bënë pjesë e grabitjes së pasurisë së tjetrit nga Helidon Gjikoka. 

Përfaqësuesit ligjor të Ilir Kokës kanë referuar rastin e tentativës së përvetësimit të pasurisë së paluqjtshme në Prokurorinë e Tiranës. Organi i akuzës ka nisur hetimet, ku pritet të procedojë në raport me Helidon Gjikokën, i cili ka ende të hapur procesin e parë penal, për përvetësimin e kompleksit Ambël me letra false. Gjykata e Lartë ka vendosur që Helidon Gjikoka të qëndrojë në arrest shtëpie, në pritje të gjykimit për dosjen e kompleksit Ambel. Gjikoka u konstatua nga mediat disa ditë më parë se kishte thyer masën e sigurisë, teksa pinte kafe në lokalet e Vlorës. 

Kur policia e arrestoi, u zbulua një tjetër skandal. Prokurori Albert Kuliçi nuk kishte zbatuar vendimin e Gjykatës së Lartë, për t'i komunikuar Gjikokës masën e sigurisë arrest me burg. Kuliçi duhet ta kishte zbatuar vendimin që në 22 nëntor 2022, ndërsa Gjikoka u konstatua duke lëvizur i lirë në 12 janar 2023. Ka dyshime të forta për bashkëpunim mes prokurorit Kuliçi dhe Gjikokës, pasi më parë Kuliçi ka hequr nga përgjegjësia penale 15 zyrtarë të Hipotekës së Vlorës pêr bashkëpunim me Helidon Gjikokës për grabitjen e kompleksit Ambel në Dhërmi, në pronësi të vëllezërve Koka.

Historia e përvetësimit të kompleksit Ambel
Në vitin 2020, Ilir Koka është paraqitur në Prokurorinë e Tiranës ku ka denoncuar përvetësimin e pronës së tij, kompleksit me 12 shtëpi private mbi sipërfaqen 1430 m2 në Dhërmi, nga Helidon Gjikoka. 

Në vitin 2009, Ilir Koka, meqenëse ndodhej në jashtë vendit, ka autorizuar Helidon Gjikokën që të ndiqte punimet për ndërtimin e kompleksit dhe të kryente veprime të tjera, por në asnjë rast nuk i ka dhënë të drejtën t’i tjetërsonte pasurinë. Shtëpitë private po i ndërtonte në pronën që ia kishte lënë trashëgim babai.

Pas hetimeve të thelluara dhe intensive, Prokurori Ervin Karanxha ka konstatuar se Helidon Gjikoka, në vitin 2017, kishte kërkuar legalizimin e pasurisë së Ilir Kokës në emrin e tij. Ndërsa Ilir Koka ishte në Greqi, prona e tij, që nga data 28 janar 2019 ka kaluar në emrin e Helidon Gjikokës.

Në 20 shtator të vitit 2018, shefi i legalizimeve Adiseldo Rrapaj, ka miratuar legalizimin në emër të Gjikokës, edhe pse ishte në dijeni se prona i përkiste Ilir Kokës. Punonjësi Ardian Musta ka shqyrtuar praktikën e legalizimit të pasurisë, edhe pjesë është njohur me lejen e ndërtimit të vitit 2010, që ishte në emrin e Ilir Kokës. Pjesë e skemës janë bërë edhe punonjësit Erdet Mandi, Arber Jaupaj dhe Denis Metaj, të cilët kanë pasqyruar të dhëna të rreme në aktet e përpiluara nga ana e tyre, në funksion të vjedhjes së pronës nga Helidon Gjikoka.

Në dosje del në pah edhe roli i Jonida Hallvaxhiut dhe Enida Bukuroshit, juriste pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Tiranë, të cilat kanë rrëzuar ankimin e pronarit të grabitur Ilir Koka, i cili kundërshtonte kalimin e pronës së tij në emër të Gjikokës. Ankimimi është rrëzua për shkak të tejkalimit të afatit, por sipas prokurorisë, dy juristet duhet të kallëzonin krimin e vjedhjes së pronës nga Helidon Gjikoka.

Inxhinierja Alda Qira (Kurti): Unë nuk i kam firmosur këto akte

Nga lista e dokumenteve që Helidon Gjikoka dhe avokati Ariton Kasaj kanë paraqitur në organet shtetërore për të kaluar kompleksin ‘Ambel’ në Dhërmi në emrin e Gjikokës, është paraqitur edhe ky akt ekspertimi mbi qëndrueshmërinë konstruktive të objektit. Akti i ekspertimit i vitit 2018 është paraqitur sikur është hartuar nga Alda Qira (Kurti). Në 15 dhjetor të vitit 2020, Alda Qira (Kurti) është pyetur në prokurori për aktet e hartuara nga ajo, pjesë e dosjes së tjetërsimit të pronës.

Mes të tjerave, inxhinierja ka deklaruar se “U njoha me aktet e vëna në dispozicion dhe bindjet them se këto nuk janë punuar nga ana ime, për me tepër nuk kam qene asnjëherë për inspektim të këtyre objekteve të cilët pasqyrohen në akte... Gjithashtu dua të shpjegoje se edhe në strukture janë akte të cilat nuk janë punuar nga ana ime, megjithëse janë munduar t`i kopjojnë”. Inxhinierja ka deklaruar se edhe numrin e licencës së saj e kanë shënuar gabim.

M.Q.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Fjhf: 16/01/2023 09:15

    Gjobaxhinj.

    Përgjigju
  • Iris: 16/01/2023 00:15

    Kushedi sa histori te ngjashme ka si kjo ne Shqiperi?! Prokuroret aty vlejne me shume se avokatet e gjykatesit.Ky Helidoni tani duhet te rrije perfundimisht ne burg per shkelje te mases se pare.

    Përgjigju
  • Lala: 15/01/2023 20:54

    EC e mos Bej vetgjyqesi ne let vend KU prokuroret e gjykatesit Ste japin te drejten we ke QE ne lindje.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?