Pas konstituimit të Parlamentit Evropian, që pasoi me konfirmimin në detyrë të Roberta Metsolës si presidente dhe zgjedhjen e 14 nënkryetarëve, axhenda vijon me vendime të rëndësishme.
Liderët e grupeve politike duke theksuar mbështetjen për Ukrainën që përballet me agresionin rus për më shumë se 2 vite, pritet të votojnë një rezolutë që përcakton qëndrimin e parlamentit të sapozgjedhur për këtë çështje.
Po ashtu, eurodeputetët do të zgjedhin pesë kuestorë, duke krijuar Byronë e Parlamentit për dy vitet e gjysmë. Kuestorët merren me çështje administrative që prekin drejtpërdrejt eurodeputetët.
Në fund, eurodeputetët do të votojnë për propozimin e Konferencës së Presidentëve për listën dhe madhësinë e komisioneve të përhershme të Parlamentit dhe delegacioneve ndërparlamentare.
Listat e eurodeputetëve komisioneve të përhershme të Parlamentit dhe delegacioneve ndërparlamentare që do të emërohen në secilin komision, të cilat vendosen brenda nga grupet politike dhe do të shpallen të premten.
Në mandatin e tij të dhjetë, Parlamenti Evropian ka 720 vende, 15 më shumë se në fund të legjislaturës së mëparshme.
I pranishëm në seancë dje ishte edhe eurodeputeti Fredi Beleri i cili u zgjodh në Greqi në siglën e partisë “Demokracia e Re” të kryeministrit Mitsotakis. Fredi Beleri shkoi në Strasburg pas lejes 5-ditore që mori nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, duke lënë qelitë e burgut të Fierit ku vuan dënimin për blerje votash në zgjedhjet e fundit lokale.