Fëmijët shqiptarë në Britani janë subjekt i “bullizmit racist ” në shkollat lokale për shkak të debatit mbi ardhjen e emigrantëve me varka të vogla, sipas ambasadorit të Shqipërisë në MB.
Duke folur mes rritjes së retorikës antishqiptare nga mediat dhe politikanët, Qirjako Qirko bëri thirrje për t'i dhënë fund kësaj "fushate diskriminimi", sipas raporteve të mediave.
Duke u paraqitur para Komisionit të Punëve të Brendshme të Parlamentit Britanik të mërkurën, Qirjako Qirko paralajmëroi deputetët kundër "përforcimit të stereotipeve negative" për njerëzit nga Shqipëria, raportoi Sky News.
“Ky lloj aktiviteti duhet të ndalet sa më parë sepse ka njerëz sidomos të rinj që bullizohen në shkollat e tyre vetëm pse janë shqiptarë”, tha Qirko.
Sipas shifrave, shqiptarët përbëjnë mbi një të tretën e 33,000 emigrantëve të Kanalit që mbërritën në Mbretërinë e Bashkuar në nëntë muajt e parë të 2022.
Duke thënë se mes më shumë se 100,000 shqiptarëve që jetojnë në Britaninë e Madhe janë mjekë, avokatë dhe inxhinierë, Qirko deklaroi se përforcimi i stereotipeve negative për një kohë të gjatë shërben vetëm për të nxitur "diskriminimin dhe racizmin".
Komentet e tij pasuan komentin e Sekretares së Brendshme Suella Braverman muajin e kaluar kur ajo përdori termin "kriminelët shqiptarë" në Parlament.