Selia e PD

Politikë

KQZ certifikoi zgjedhjet, PD ankimon rezultatin edhe në qarqet Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër! (DOKUMENTET)

27 Maj, 10:18| Përditesimi: 27 Maj, 17:13

  • Share

Teksa i cilëson zgjedhjet e 11 majit një 'farsë politike', Partia Demokratike vazhdon të ankimojë rezultatet në qarqe.

Pas Kukësit dhe Beratit, PD ka depozituar një ankim në KAS edhe për qarkun e Korçës paraditen e sotme, ku kërkon shpalljen si të pavlefshme të rezultatit zgjedhor dhe përsëritjen e procesit të votimit. 

Kurse në orët e pasdites dorëzoi dy kërkesa me rreth 200 faqe në total me ankimime në KAS për dy qarqe të tjera; Gjirokastrën dhe Vlorën. Për qarkun e Vlorës janë rreth 170 faqe dosje me pretendime, të dorëzuara nga përfaqësuesi ligjor i selisë blu, Franc Nuri, kurse për Gjirokastrën rreth 30 faqe.

Pavarësisht se KQZ ka miratuar tashmë tabelat me rezultatet e 12 qarqeve, PD pretendon se rezultati është manipuluar dhe nuk ka qenë i rregult. Sipas PD, qeveria ka përdorur administratën dhe strukturat shtetërore për qëllime elektorale, duke krijuar një mjedis të pabarabartë dhe diskriminues ndaj opozitës.

“Praktikisht, të gjithë bashkëpunëtorët e bashkisë, administratorët dhe punonjësit e institucioneve publike janë angazhuar gjatë gjithë periudhës parazgjedhore në mbështetje të listës së kandidatëve të Partisë Socialiste në këtë qark”, thotë PD në ankim.

Pretendon edhe manipulim të votës së diasporës, kryesisht në Greqi. Në dokument, PD thotë se ka paraqitur prova dhe fakte që sipas saj tregojnë shkelje të ligjit dhe Kodit Zgjedhor. Përmend gjithashtu edhe KQZ, që sipas së cilës, ndonëse i është drejtuar me kërkesa, nuk kanë marrë përgjigje.

“Përsa kohë nuk ka asnjë provë ligjore dhe të dokumentuar për shpërndarjen e rregullt dhe të ligjshme të mbi 244 mijë zarfeve në diasporë, përfshirë rreth 60 mijë vetëm në Greqi, ku një pjesë jo e vogël ishin votues të qarkut e kontestuar, PD-ASHM  e konsideron rezultatin zgjedhor në çdo zonë ku këto vota kanë ndikuar, si të cenuar në mënyrë të rëndë në integritetin dhe ligjshmërinë e tij.

Rezultatet për votimin e diasporës në qarkun Korçë duken tërësisht jo realite dhe të pabesueshme, sidomos kur analizohen me kujdes kutitë e votimit të ardhura nga Greqia. Në mënyrë të përsëritur, pjesëmarrja rezulton rreth 5 deri në 7% në pothuajse çdo kuti votimi, një shifër e dyshimtë për një komunitet që përbën një nga grupet më të mëdha të emigrantëve shqiptarë në këtë qark”, thotë PD.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit me tabelat përmbledhëse të 12 qarqeve, duke vulosur rezultatin 83 mandate për PS, 50 për PD-ADSHM dhe 7 mandate për forcat e tjera të reja; 3 PSD, 2 Mundësia, 1 Lëvizja Bashkë dhe 1 Nisma Shqipëria Bëhet.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

Xh.D/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Rama paralajmëron ndryshime në parti e qeveri, si e vlerësoni?