Dosje

“Pas lirimit nga burgu me amnistinë e ’86-ës, të gjithë njerëzit na largoheshin dhe…” Historia tragjike e grave ruse në regjimin komunist të Enver Hoxhës

4 Tetor 2021, 08:40| Përditesimi: 4 Tetor 2021, 08:45

  • Share

Pjesa e pesëmbëdhjetë

Publikohet historia e panjohur e ruses Taisa Batkina (Pisha), me origjinë nga Tula e Rusisë, fëmija e tretë e një familje shumë të varfër fshatare, e cila mbeti jetim që në moshë fare të vogël, pasi i ati humbi jetën gjatë punës në një nga galeritë e qymyrgurit që ndodheshin në rrethinat e Tula-s, ku ai punonte si minator, (pak kohë pasi i kishte shpëtuar arrestimit, i akuzuar për “mbështetje të armiqve të popullit”)  dhe ajo u rrit me vështirësi të mëdha ekonomike, pasi qyteti i tyre vazhdonte të ishte nën bombardimin e forcave gjermane, që kishin arritur deri në afërsi të Kurskut. Diplomimi i Taisës në fakultetin e Kimisë, pranë Universitetit ‘Lomonosov’ të Moskës, ku ajo u njoh dhe u martua me studentin shqiptar, Gaqo Pisha, me origjinë nga qyteti i Korçës, i cili asokohe studionte në fakultetin e Filozofisë së Moskës dhe të dy së bashku në vitin 1957, u kthyen në Shqipëri, bashkë me djalin e vogël të porsalindur, Sasha dhe filluan jetën në qytetin e Tiranës, ku Taisa u emërua si pedagoge e Kimisë në Universitetin Shtetëror të Tiranës, ndërsa Gaqo, në katedrën e marksizëm-leninizmit, ku ata punuan deri në vitin 1976, kur Sigurimi i Shtetit me akuza të montuara, e arrestoi Taisa Batkina, duke e akuzuar si “agjente të KGB-së sovjetike” dhe e dënoi me 16 vite burg politik, të cilat ajo i vuajti në “Burgun e grave” në Qytetin “Stalin”, nga ku u lirua në vitin 1986, ndërkohë që bashkëshorti, Gaqo Pisha, kishte ndërruar jetë në vitin 1983, nga një sëmundje e rëndë. Historia tragjike e Taisa Batkina (Pisha), nëpër kampet dhe burgjet çnjerëzore të regjimit komunist të Enver Hoxhës, ku ajo kaloi një dekadë të jetës së saj, së bashku me shumë bashkatdhetarë nga ish-Bashkimi Sovjetik, apo vende të tjera të Evropës Lindore, vjen nëpërmjet kujtimeve të saja, të botuara në një libër me titull “Shpresuam dhe mbijetuam”, kujtime të cilat, i biri i saj, Aleksandër Pisha, ia ka ofruar me dashamirësi për botim, në Memorie.al.

I’a kushtoj kujtimit të ndritshëm të bashkëshortit tim, GAQO PISHA Ky është libër kujtimesh. Në të dua të rrëfej për jetën time dhe të shoqeve të mia, grave sovjetike, që provuan burgun për disa vite vetëm sepse morën guximin dhe u martuan e lidhën fatin e tyre me atë te studentëve shqiptarë. Burgu ishte pjesë e GULAG-ut të madh në vendin e vogël ballkanik, Shqipëri, ku për shumë vite sundoi regjimi gjakësor komunist i Enver Hoxhës, që ishte nxënës besnik i Stalinit dhe vazhdues i kauzës së tij.

Nëpërmjet këtij libri do të doja që çdokush të mësonte për provat çnjerëzore që përjetuam ne dhe për vitet e tmerrshme qe kaluam në burgjet shqiptare, vetëm sepse… dashuruam! Dhe që askush dhe kurrë të mos harrojë, ç’është totalitarizmi, despotizmi dhe ç’pasoja sjell me vete ky sistem.

Në Radio dëgjuam dekretin e lirimit tonë

Në radio dhanë dekretin sipas të cilit, bashkë me të tjerat, liroheshin të gjitha gratë e dënuara me afat deri në 20 vjet. Lumturia dhe ngazëllimi ynë s’kishin të rrëfyer. Ne liroheshim të gjitha! Më në fund… çfarë lumturie… do të ishim të lira! Në shpirt ndiheshim të gëzuara, të lehtësuara! A thua vërtet pas pesë ditëve do të iknim prej këtej, do të dilnim nga ky kafaz i neveritshëm? E gjithë jeta ime në Shqipëri ishte shoqëruar me ngushtim të vazhdueshëm të hapësirës; në fillim nuk na lejohej të largoheshim nga Shqipëria, pastaj na çuan në qytetin e vogël të Beratit prej nga mund të shkoja diku tjetër vetëm me lejen e organeve dhe më në fund, kampi i gardhit të telave me gjemba. Nga korpusi ynë i të burgosurave politike liroheshin të gjitha, përveç një gruaje nga Durrësi, që quhej Liri. Ajo ishte dënuar me 25 vjet për abuzim me shuma kolosale, 8 milionë lekë. Pastaj i shtuan edhe nenin “për agjitacion dhe propagandë”. Kurse te ordineret mbeteshin në burg vrasëset dhe shpërdorueset me afate dënimi mbi 20 vjet.

Të gjitha ditët, deri ditën e amnistisë, kaluan me përgatitje. Të gjitha mblodhëm gjërat më të nevojshme, diçka nga veshjet e shtëpisë, që i kishim ruajtur. Neve na ishte konfiskuar pasuria dhe nuk e dinim nëse do të kishte mbetur gjë për të veshur, apo ajo. Nuk mora gjë nga rrobat e kampit, i hodha të gjitha vjetërsirat, shpërndava të gjitha rraqet që më ishin grumbulluar gjatë viteve në burg. Kisha frikë se mos më merrnin letrat kur të dilja, prandaj pjesën më të madhe të tyre e dogja. Gabim! Askush s’deshi të dinte për letrat! Ditët e fundit mezi lëviznin. Më në fund erdhi 12 janari 1986. Pas drekës na dhanë dokumentet, të hollat. Unë mora fare pak, vetëm 200 lekë. Kurrë s’kam ditur të kursej dhe t’i ruaj paratë. Atë natë na çuan për të fjetur në korpusin e ordinereve, kurse në tonin mbetën ato që nuk i kapte lirimi. Ishte natë shumë e ftohtë, acar. Askush nuk flinte. Nga të gjitha dhomat dëgjoheshin britma gazmore, këngë. Para se të zbardhte, erdhën gardianet, na bënë një kontroll sa për të thënë dhe na nxorën në oborr para portës. Ne i vumë mënjanë plaçkat tona dhe ndenjëm në pritje të mëngjesit, të autobusëve, të lirisë. Në kuzhinë ndezëm një zjarr të madh që të ngroheshim. Këtë herë nuk i kursyem drutë, nuk i kursyem, s’ishte nevoja.

Më në fund erdhi mëngjesi. Pamë autobusët që po i afroheshin kampit por për çudi ende nuk po fillonin të na lironin. Pas pak na thanë se prisnin shefat nga Tirana dhe shefat gjithmonë vonoheshin. Kur erdhën shefat, organizuan një miting ku falënderuam partinë dhe qeverinë për lirimin tonë, dhe shprehëm kënaqësinë që ne, më në fund, u ndreqëm. Kur në kamp u afruan makinat e shefave, porta e madhe prej hekuri u hap kanat, makinat hynë në oborr, u kthyen. Kurrë s’e kishim parë atë portë të hapur ashtu. Atë çast e ndjeva vërtet se isha e lirë. Shpirti m’u mbush me gëzim, me ndjesinë e një lumturie që nuk mund ta përshkruaj. Gjithçka kishte marrë fund; kishim mbijetuar, duruar, shpëtuar! Tani, tek krahasoj çastet e lumtura që kam kaluar në jetë, me ato çka përjetova kur më liruan, mund të them se kjo ishte tjetër ndjenjë, e pakrahasueshme me të tjera. Nuk mund ta quaj më të madhe se, të themi, gëzimi i lindjes së fëmijës. Jo, jo më e madhe, por… tjetër. Më duket se ishte… ndjesi e fluturimit! Na vinte keq për ato që mbeteshin në kamp, fytyrat e tyre të përlotura shfaqeshin te dritaret e mensës së mbyllur. Por kjo për ne ishte etapë e kaluar, ne do të liroheshim. Natyrisht, e kuptonim se as për rehabilitim, as për rishqyrtim të çështjeve tona s’mund të bëhej fjalë. Në pushtet ishin ende bashkëpunëtorët e Enver Hoxhës, bashkëfajtorë në të gjitha bëmat e tij. Për kurrfarë demaskimi të regjimit s’mund të bëhej fjalë.

Njëri prej qëllimeve të kësaj amnistie ishte lirimi i grave të huaja, dhe kushtet ishin përzgjedhur në mënyrë të tillë që amnistia të na përfshinte të gjithave. Ç’është e vërteta, bashkë me ne u liruan thuajse i gjithë burgu i grave (brenda mbetën vetëm 10 vetë). Menjëherë pas mitingut, te porta u afruan autobusët; të gjithë u nisëm… kush në jug, kush në veri, kush në Tiranë. Udhëtonim, vështronim nga dritarja. Gjatë 10 vjetëve asgjë s’kishte ndryshuar; po ato rrugë të këqija, fshatrat e varfër… Por më vonë pamë se kishte dhe disa ndryshime: kudo, në fusha, përgjatë rrugës kishin mbirë si kërpudha bunkerë betoni. Ishte një ndjesi jo fort e këndshme. Më vonë mësuam se me urdhër të Mehmet Shehut, në mbarë vendin ishin ngritur disa vija mbrojtjeje prej bunkerësh betoni. Ata i shihje kudo, në plazh, në fusha, në varreza. Sipas disa të dhënave, ne Shqipëri kishte 20, apo 30 mijë te tillë. Ndërtimi i tyre qe një tjetër barrë shumë e rëndë për ekonominë e dobët të vendit, dhe solli varfërimin e mëtejshëm të popullit. Në takimin e fundit ishim marrë vesh me Sashën, që do të takoheshim në Tiranë. S’kishte kuptim që ai të vinte në kamp sepse ne duhej të na çonin atje ku na kishin arrestuar. Autobusi na ndaloi në qendër të Tiranës. Me çantat tona, të qepura me lecka gjithfarë, me pantallona të njëjta burgu, ngjyrë kafe, ne ngjallnim kureshtjen e çdo kalimtari. Nuk pamë të na priste njeri.

Pak më tutje ishte pika e qëndrimit të taksive. Makina të lira nuk kishte, duhej pritur. Befas i’a behu Sasha hipur në biçikletë. Ata me Kostën më kishin pritur, kishin bredhur me biçikleta nëpër qytet, sepse askush nuk e dinte nga ç’rrugë do të vinim. Më në fund erdhi një taksi, ne me Volën ngarkuam çantat tona dhe u nisëm për në shtëpinë time. Vola s’kishte ku të shkonte, të gjithë e kishin mohuar dhe në vend të saj ishte një tjetër zonjë shtëpie. Tek unë na priste Xhuli, e fejuara e Kostës. Ajo kishte përgatitur gjithçka për ardhjen tonë. Pastaj erdhën Sasha dhe Kosta. Ne bëmë një dush të mirë, pastruam pluhurin e burgut dhe të rrugës, për herë të parë pas 10 vjetëve, hëngrëm drekë të shijshme dhe u shtrimë për të pushuar. Ishim të lira, ishim në shtëpi! Periudha me e tmerrshme e jetës sonë kishte marrë fund!

Pas lirimit

Unë u ktheva në shtëpi! Ose më saktë, në rrënojat e shtëpisë sime. Këtu nuk ishte njeriu aq i dashur, për hir të të cilit lashë vendin, të afërmit e mi dhe erdha në Shqipëri. Gjithmonë dhe në gjithçka kisha ndier ndihmën, supin dhe mbështetjen e tij. Por ai nuk më ruajti dot nga risku i tmerrshëm i përndjekjes, nga ky risk qe e pamundur të shpëtoje. Në shtëpi banonte vetëm Kosta. Sasha kishte shtëpi tjetër. Djemtë më treguan se si kishin jetuar pa mua, sa të vështirë e kishin pasur. Kosta kaloi dy vjet me të atin e sëmurë, kur Sasha ishte ushtar. Me pensionin e vogël të tim shoqi ata blinin ilaçe të shtrenjta, pa të cilat Gaqoja nuk bënte dot, edhe mua më ndihmonin nga pak, edhe Sashës i dërgonin ndonjë lek. Në ushtrinë shqiptare nuk kishte pagë për shërbimin e detyrueshëm, edhe ushqimi ishte shumë i keq. Çunat më treguan diçka edhe për sëmundjen e Gaqos. Për herë të parë dëgjova sa rëndë qe sëmurur Kosta, kur shërbente në ushtri; po kthehej nga shtëpia për në repart, kur papritur e kishte zënë një krizë e rëndë apendiciti. E shtruan në spital, por s’e di pse nuk e operuan menjëherë. Në mëngjes, kur e operuan, gjendja ishte katandisur në zgrip të peritonitit. Me shumë vështirësi e shpëtuan, por plaga për mjaft kohë nuk po mbyllej dhe ai qëndroi disa muaj në spitalin ushtarak. Dy ditë pas kthimit tim nga burgu erdhi kunati, vëllai i madh i burrit, njeri me fat shumë të rëndë. Kishte bëri 17 vjet burg, sepse nuk pranoi të bëhej spiun i Sigurimit.

Ditën tjetër vajtëm bashkë në varreza. Herët në mëngjes vajta të blej një tufë lule po dyqani i vetëm i luleve në qytet ishte mbyllur. Jo shumë larg shtëpisë ndodhej fidanishtja dhe disa serra. Dikur aty kishte pasur shumë lule, kurse tani vetëm aty-këtu mund të shihje ndonjë. Në fund të një serre pashë një grua që po bënte një buqetë me zambakë të bardhë. I’u luta të ma shiste. “Ç’thoni, – m’u përgjigj ajo. – Këto janë vetëm për te varri i shokut Enver, atje çojmë çdo ditë lule të freskëta, të tjerëve nuk u shesim… s’ka lule…”! Desha të ulërija, të revoltohesha. Por vetëm desha. Frika brenda meje e bëri të sajën, unë u ktheva dhe u largova. Lule më dhanë fqinjët, që i mbanin në oborr. Vajtëm në varreza. Qava disa minuta pranë varrit të thjeshtë, në cepin më të largët të varrezave. Më vonë, para se të largoheshim nga Shqipëria, e rivarrosëm burrin tim, e vumë pranë nënës dhe vëllait, i bëmë një përmendore të mirë. Në shtëpi gjeta po ato orendi; mobilie të vjetruara dhe të rrjepura gjatë 10 vjetëve, por në shtrat nuk kishte dyshek, në dollap thuajse asnjë rrobë, asnjë çarçaf apo peshqir, vetëm batanije të palara, të lerosura. Konfiskimi i pasurisë, 10 vjet ekzistencë thuajse varfanjake e familjes sime, mungesa e dorës së gruas, e kishin katandisur shtëpinë në atë gjendje. U deshën muaj punë këmbëngulëse, për ta ndrequr jetën nga pak, për t’i dhënë apartamentit ngrohtësinë e vatrës familjare. Qe ruajtur biblioteka ime, paçka se e rralluar pas konfiskimit. Librat ishin dobësia ime.

Deri më 1966, sa ekzistonte libraria me emrin “Libri sovjetik” e më pas “Libri ndërkombëtar”, ne krijuam bibliotekë jo të vogël me letërsi artistike dhe të specialiteteve Kimi dhe Filozofi. Të gjithë këtë pasuri u desh ta falim, ta shpërndajmë ose thjesht ta braktisim, kur mundëm të shkëputeshim nga Shqipëria dhe të shkonim në Bashkimin Sovjetik në vitin 1990. Prej kohësh apartamentit tonë të vogël me dy dhoma i’a kishte vënë syrin këshilli i lagjes, kurse një dhomë e apartamentit i përkiste një tjetri, sepse neve na i hoqën të gjitha të drejtat, nuk kishim të drejtë për sipërfaqe banimi, malli qe konfiskuar, nuk gëzonim të drejtat civile. Mirëpo ja që duhej jetuar më tej. Amnistia na dha vetëm lirinë, por nuk ishte rehabilitim. Ne vazhdonin të na quanin “armiq të popullit” që shteti i kishte mëshiruar dhe falur. Megjithëse Enver Hoxha nuk jetonte më, çështja e tij mbeti gjallë. Në Tiranë u ngrit një ndërtesë madhështore, ku do të ishte muzeu i Enverit, kurse në sheshin qendror u bënë përgatitjet për të vënë shtatoren e tij të lartë. Gjithçka në vend e drejtonte gruaja e Enverit. Organet e Sigurimit të Shtetit kishin marrë udhëzime të na ndihmonin, për t’u rregulluar në njëfarë mënyre. S’ka dyshim se shumica e njerëzve në këto organe e kuptonin se ne nuk kishim absolutisht asnjë faj, por për këtë s’mund të flitej, sepse “organet shqiptare të Sigurimit nuk mund të gabonin”! Ne na nxorën nga burgu, por rehabilitimi ishte ende shumë larg. Kurse ndihma për ne ishte e domosdoshme; shumë s’kishin strehim, familjet ishin sabotuar, prishur, disa nga burrat e shoqeve të mia s’e kishin duruar dot trysninë nga ana e autoriteteve dhe kishin krijuar familje të reja, fëmijët ishin detyruar t’i mohonin prindërit. Në njëfarë mënyre na ndihmuan me strehimin, me përgatitjen e dokumenteve të pensionit ose me rregullimin në punë.

Mua më thirrën në Komitetin Ekzekutiv, me një gjest “bujarie pompoze”, më kthyen ato 8 metra katrore të dhomës që më kishin marrë nga apartamenti tim dhe më thanë të kthehesha në punën ku kisha qenë para se të më arrestonin, në Kombinatin e Drurit. Deri në pension duhej të punoja edhe një vit e gjysmë. Kur vajta në degën e kuadrit të Kombinatit, më thanë që, si ish-e dënuar, nuk kisha të drejtë të punoja si inxhiniere, sepse nuk mund të më besonin një detyrë me kaq përgjegjësi. Më çuan në repartin e ngjyrosjes, në brigadën që punonte me makinerinë e llakimit. Para arrestimit kisha punuar fillimisht në fabrikën e letrës, e cila sapo kishte nisur të punonte. Unë isha përgjegjëse e laboratorit që përgjigjej për cilësinë e prodhimit. Pastaj më kaluan në byronë teknologjike ku, siç kam shkruar më sipër, merresha me të gjitha problemet që lindnin në kombinat dhe kishin të bënin me kiminë, në të gjitha fabrikat dhe repartet e kombinatit. Ishte e qartë, që në kombinat më njihnin mirë, u vinte keq për mua, por s’mund të më ndihmonin.

Puna në repart ishte shumë e rëndë për mua. Procesi nuk ishte i mekanizuar, pjesët e rënda prej tallashi druri të mobilieve duheshin futur me dorë në makinë. Me shumë vështirësi e bëja këtë punë, kurse paga ishte fare e vogël. Veç kësaj, unë vija në pozitë gratë e gjora, të munduara të brigadës. Pagesa ishte kolektive dhe për shkakun tim, ato merrnin më pak. Këtë punë e vazhdova disa muaj. Miqtë e mi, me të cilët kisha punuar para se të më arrestonin, midis të cilëve kryeinxhinieri dhe shefi i kuadrit, deshën të më ndihmonin, çka ishte e vështirë dhe me rrezik. Më në fund e gjetën një mundësi. I mbushën mendjen shefes së repartit të tutkallit sintetik, e cila kishte nevojë për një kimist me përvojë, të shkonte te drejtori i kombinatit dhe t’i lutej të më kalonin në repartin e saj. Drejtori, ish-ushtarak i lartë në lirim, duke mos qene profesionist, kishte besim tek përgjegjësat e prodhimit dhe menjëherë pranoi. Në organikë figuroja punëtore, por bëja punën e kimistit. Me këtë punë u mora një vit e gjysmë, derisa mbusha moshën e pensionit. Për ne, që kishim qenë të dënuara me burg, pensioni ishte minimal, aq i vogël sa ishte shume e vështirë të jetoje me të. Për të marrë pak më shumë, më duhej të punoja edhe një vit e gjysmë tjetër. Ata të kombinatit pranuan, por dikush kallëzoi në organet e Sigurimit, prej nga erdhi reagimi i menjëhershëm: drejtorinë e fajësuan për përkrahje të armikut dhe mua më nxorën urgjentisht në pension.

Pas lirimit ajo çka më rëndonte më shumë ishte qëndrimi i njerëzve. Ata kishin frikë të më afroheshin, të përshëndeteshin me mua, të më flisnin, të gjithë: të afërmit, gjitonët, kolegët e punës, të njohurit. Nuk u vë faj; sjellja e tyre kushtëzohej nga frika, me të cilën këta njerëz kishin jetuar shumë vite, dhe qe u qe futur në palcë. Kur unë me Volën erdhëm në shtëpi me taksi pas lirimit nga burgu, një burrë i panjohur po merrej me diçka pranë shkallës sonë. Ai e la punën dhe na ndihmoi të ngrinim plaçkat tona deri në katin e dytë. Më vonë mësova se ishte fqinji ynë i ri. Me siguri, nuk e dinte kush ishim prandaj na ndihmoi. Që të nesërmen, si të gjithë gjitonët e tjerë, ai nuk përshëndetej më me ne. Kur pas daljes nga burgu vajta për herë të parë në kombinatin ku kisha punuar dikur, disa gra të thjeshta, që kuptonin shumë mirë gjithçka, m’u hodhën në qafë duke qarë. Ishte shumë prekëse dhe shumë kënaqësi. Më vonë, pas disa muajve, ato më thanë se më kishin përqafuar të shtyrë nga ndjenja dhe vrulli i parë, por pastaj dridheshin, pritnin t’u tërhiqnin vërejtjen që u sollën aq ngrohtë me mua. Pata shumë goditje të pakëndshme. Në atë kohë punoja në repartin e ngjyrosjes. M’u afrua një ish-kolegu im që nga universiteti, burrë i mirë. Pasi biseduam, më kërkoi t’i tregoja mobiliet sepse donte të blinte. Papritur ndryshoi në fytyrë, u kujtua që unë isha punëtore dhe i’a mbathi me nxitim. Një herë tjetër po prisja autobusin. Në stacion më zunë sytë një ish-laboranten time, kishim punuar shumë vite bashkë në universitet, kishim pasur kolektiv të shkëlqyer dhe shoqëri shumë të mirë. U sula drejt saj ta përqafoja, duke harruar kush isha. Në fytyrën e saj dallova frikë, dhe në çast u tërhoqa prapa… shumë e rëndë!

Një ditë vajta në universitet, për të marrë një dokument për pensionin. U ula në holl dhe prita shefin e kuadrit. Befas hyri një ish-studenti im, më pas koleg, mik i mirë. Ai më pikasi, ngriu në vend, pastaj bëri disa rrotullime nëpër holl, s’po dinte si të sillej, të afrohej, të përshëndetej, apo të hiqej sikur s’më kishte parë. Zgjodhi këtë të fundit, ngjiti shkallët dhe mori rrugën për në katedër. Shumë vite më vonë pasi kishin ndryshuar shumë gjëra, ne do të shkonim për në Bashkimin Sovjetik, ai erdhi të përshëndetej dhe qau me lot hidhërimi të thellë. Qau për shkak të pafuqisë së vet në atë kohë, nga mllefi për rendin që u shkëputi njerëzve aq vite jetë normale, që i torturoi aq gjatë me frikën. Kurrë nuk i kam mbajtur dhe nuk i mbaj kujt mëri, sepse e di ku kam jetuar. Veçse… më dhembte! Të vetmit që më përkrahën në ato ditë të vështira, ishin njerëzit e të fejuarës së Kostës. Prindërit e saj kishin familje të madhe dhe shkonin shumë me njëri-tjetrin. Të gjithë vinin, më ndihmonin, më mbështetnin. Kjo ishte me shumë vlerë për mua atëkohë dhe nuk do ta harroj kurrë. Pata edhe gëzime, gëzime të mëdha. Kosta u martua, bëmë dasmë, pastaj lindi Juna, mbeska ime e shtrenjtë, një topth i vërtetë i vogël, i ngrohtë, sykaltër. Sa kisha ëndërruar për një çupkë! Çfarë lumturie ishte ta mbaja në duar, ta laja, ta ushqeja, ta rritja! Pastaj u martua Sasha, lindi djali me syçka të zinj, të shndritshëm… një tjetër vogëlush, nipçja im i dashur! I vumë emrin e gjyshit, Gjergj. /Memorie.al

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?