Politikë

Pas Llallës, ‘sheikut’ Gjoni dhe Ndojës, Berishës i bashkohet edhe Arben Sefgjini! Ish-drejtori i SHIK-ut u akuzua për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës (VIDEO)

12 Prill, 22:27| Përditesimi: 12 Prill, 22:52

  • Share

Sali Berisha ‘surprizon’ përsëri. Një tjetër figurë e lakuar në të kaluarën për një krim të rëndë dhe që ka mbajtur poste të larta në qeverisjen e PD-së 2005-2013, u shfaq në takimin e sotëm të prezantimit të programit elektoral për zgjedhjet e 11 majit.

Arben Sefgjini ishte mes masës së demokratëve në sallën e “Pallatit të Kongreseve”, duke iu bashkuar ‘puzzle’-t të figurave me të cilët Berisha po kërkon të kthehet në pushtet për herë të tretë në këto 35 vite.

Sefgjini, i akuzuar që nga 2003 për rrëmbimin kur punonte si zyrtar i SHIK-ut të Bashkim Gazidedes, nën qeverisjen e Berishës si President, në zhdukjen misterioze në 1995 të veprimtarit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, i bashkohet emrave si: Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla, që mori pjesë në takimin e Berishës në Romë të Italisë dy muaj më parë, gjyqtarit ‘sheik’ Gjin Gjoni që e shoqëron kudo në takimet brenda dhe jashtë vendit, teksa kandidon edhe si deputet i listës së hapur për PD, në qarkun e Lezhës dhe ish-prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja, gjithashtu kandidat i listës së hapur të demokratëve.

Më herët Berisha është shfaqur edhe me emra si Mondi Kolila, i dënuar për dhunimin e simboleve kombëtare shqiptare, i njohur si minoritar ekstremist grek dhe Fredi Beleri, tashmë eurodeputet, i dënuar me 2 vite burgim për korrupsion, të cilat i vuajti, pasi kreu i PD-së e ndihmoi të fitonte Bashkinë e Himarës në maj 2023 në zgjedhjet lokale.

Por kush është Arben Sefgjini, i cili prej 19 marsit 2013 ka marrë pafajësinë nga Apeli, për çështjen e rrëmbimit me pasojë zhdukjen e Remzi Hoxhës dhe torturimin e dy të tjerëve, Avdyl Loshajt dhe Ziso Krostopullit, edhe pse shkalla e parë e Krimeve të Rënda e kishte shpallur fajtor, por për shkak të amnistisë së veprës penale më 2007, nuk u burgos.

Në vjeshtën e vitit 1995, Arben Sefgjini mbante detyrën e drejtorit të degës nr. 2 të drejtorisë së SHIK-ut në Tiranë, ngjitur me Drejtorinë e Policisë, kur u rrëmbye mistershëm nga punishtja e tij e duraluminit në rrugën “Siri Kodra”, biznesmeni shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, trupi i të cilit sot e kësaj dite nuk është gjetur.

Hetimet provuan se ai u mor nga punonjës të SHIK-ut të Tiranës, nën drejtimin e Ilir Kumbaros dhe Arben Sefgjinit dhe u dërgua në zyra, ku pas torturave konfirmohet se u ka mbetur në dorë ish-zyrtarëve të agjenturës shqiptare. Më pas trupi rezulton e provuar të jetë zhdukur për të fshirë gjurmët.

Hoxha dyshohej si veprimtar afër UÇK-së, teksa shërbimi i Bashkim Gazidedes dhe shteti i Berishës ato vite ishin agresivë ndaj veprimtarëve kosovaro-shqiptarë, e në favor të shërbimit serb.

Në vitin 2003 dosja u rihap dhe çoi të paktën 3 persona në pranga, mes tyre Arben Sefgjini, Budjon Meçe dhe Avni Koldashi, kurse Ilir Kumbaro figuronte i arratisur në Angli. Pas disa muajsh paraburgimi Sefgjini u lirua.

Në vitin 2005, teksa procesi vijonte, Berisha merr pushtetin. Sefgjini emërohet drejtor i Tatim-Taksave, detyrë që e mban deri afër vitit 2009. Në vitin 2008 Prokuroria rihap çështjen dhe kërkohet arrestimi i zyrtarit.

Qeverisja e Berishës e mori në mbrojtje dhe madje vetë ish-kryeministri deklaronte se deri sa të kishte vendim të gjykatës, Sefgjini ishte i pafajshëm.

“Në demokraci derisa të provohet akuza, cilado qoftë ajo, je i pafajshëm dhe nuk mundet askush të të konsiderojë ndryshe. Fajin e fakton gjykata dhe kjo është një nga arritjet më të mëdha në vendin tonë”, do deklaronte Berisha në atë kohë.

Drejtori u izolua në arrest shtëpie, nga ku vijoi të firmoste shkresa dhe urdhra si drejtor Tatimesh. Një vit më pas emërohet te Shërbimi i Provës si drejtor i institucionit, kurse procesi vijonte paralelisht në gjendje të lirë, një rast i paprecedentë i pandëshkueshmërisë ato vite.

Në vitin 2013, me pretencë të Prokurorisë, Krimet e Rënda të shkallës së parë i shpallin fajtorë, por vetëm Ilir Kumbaro dënohet me 15 vite burgim në mungesë. Koldashi dhe Sefgjini, edhe pse u shpallën fajtorë për shpërdorim detyre, përfituan nga një amnisti e vitit 2007 për këtë vepër penale.

Por Sefgjini dhe Koldashi vijuan betejën në Apelin e Krimeve të Rënda, ku kërkuan pafajësinë, që e morën më 19 mars 2013, pak muaj para se Berisha të rrëzohej nga pushteti.

Kumbaro, si autori kryesor i vrasjes dhe zhdukjes, që torturoi Remzi Hoxhën, mori 15 vite izolim. Por kurrë su ekstradua, pas një arratie spektakolare në Angli.

Sefgjini e humbi postin e tij te Shërbimi i Provës dhe u shkarkua nga administrata vetëm më 13 nëntor 2013, tre muaj pasi socialistët kishin marrë zyrtarisht detyrën në qeverisjen dhe drejtimin e vendit.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • dori: 13/04/2025 00:39

    I mblodhi krimineli Sali non grata vrasësit.

    Përgjigju
  • Mario: 12/04/2025 22:41

    Gjithe kriminelet mblidhen rreth kryekriminelit Sali.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Nisi fushata zgjedhore për 11 majin, si e parashikoni?