Pas Milanos artistët e rinj prezantojnë në Tiranë artin bashkëkohor pas viteve ‘90

13 Shkurt 2019, 19:00| Përditesimi: 13 Shkurt 2019, 19:13

  • Share

Tetë artistë shqiptarë të arteve pamore ekspozuan veprat e tyre në panairin “E përballueshme” në Milano. Pas këtij udhëtimi, ku shpalosën disa nga vlerat e skenës së artit bashkëkohor shqiptar të pas viteve ’90 nën temën “Mashtrimi me ngjyrat” artistët veprat e tyre i ekspozojnë në galerinë “Galo”. Eros Dibra shpalos peizazhet e vendlindjes së tij, Shkodrës. Ornela Gjoci sjell vajzat e reja, pranë peizazhit urban. Eljan Tanini sjell një frymëzim nga Miro. Ndërsa, fotografitë e Ermira Zenelajt shpalosin për publikun kaosin e peizazhit urban shqiptar. Videoja e Aurora Kalemit  realizuar në ujërat e Mesdheut,tregon urat që ndërtojnë të rinjtë.

Ndërsa, Yllka Gjollesha sjell si në përralla përmes lodrave plastike dinozaurët në origjinën e jetës. Motivet shqiptare ndihen në veprat e Teo Napolonit, për të rikonceptualizuar individualitetin e familjes shqiptare dhe punën e rëndë që i ka shoqëruar ndër vite me një lopat apo kazëm. Pedagogu i arteve dhe kuratori i ekspozitës, Ilir Kaso, tregon më shumë për këtë bashkëpunim mes galerisë private edhe artistëve 

 “Është një bashkëpunim, që ne po përpiqemi që ta mbajmë me galeritë edhe nismat private që kanë vite që po ndodhin në skenën e artit shqiptar. Përveç një koleksioni privat, ne propozuam edhe disa artistë të tjerë për ta bërë edhe më të larmishme, jo vetëm tek artistët që duam të prezantojmë dhe mediumet, që janë videoart, piktura, instalacione edhe fotografi, por edhe në statusin e këtyre artistëve. Disa kanë mbaruar artet, disa të tjerë jo. Ne u përpoqëm që të bënim një prezantim sa më të plotë të artit shqiptar në këtë panel”, u shpreh Ilir Kaso.

Por a mund të flasim për një skenë arti bashkëkohor shqiptar

 “Le të themi që është një fillim shumë delikat, i një skene, që për disa mund të shihet shumë të dyshimtë për të ardhmen, por në një të pranishme propozohen edhe në lëvizje sociale, që kanë të bëjnë me politika të caktuara, disa kthehen tek një reflektim i brendshëm. Edhe kjo është një vlerë e shtuar brenda artistëve. Për çdo artist që merret me art reflektimi me veten është pjesa kryesore”, tha Kaso.

Udhëtimi i artistëve jashtë vendit ka në qendër krijimin e një marrëdhënie me tregun ndërkombëtar të artit bashkëkohor.

 “Ne po përpiqemi që t’u krijojmë një rrugë të shtruar studentëve pasi dalin nga shkolla, kjo është pjesa më e vështirë. Një treg që fatkeqësisht nuk është prezent, por që po bëhet pjesë gradualisht, qoftë edhe nga koleksionist privat. Por përpiqemi që të krijojmë disa vlera në tregun global. Mendoj se sot kufijtë nacional nuk janë më pjesë e artit, loja është hapur aq shumë, sa sot vetëm një klikim interneti e ndan një artist shqiptar nga një tjetër që jeton në nju Jork”, shtoi Kaso.  

Kuratori Ilir Kaso shpreson që bashkëpunimi i artistëve me galeritë private do të ndihmojë, që në të ardhmen të krijohet një skemë në realitetin e artit tonë bashkëkohor.

G.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?