Është e mahnitshme se si përditë e më shumë shtohen bashkëatdhetarë që nga një cep i Shqipërisë, në tjetrin, bëhen ambasadorë të bukurisë së natyrës, bukuri me të cilën është bekuar vendi ynë e që për shumë dekada mbeti e kyçur qoftë nga izolimi krahinor e ndalimi i lëvizjes së lirë në kohën e diktaturës, ashtu si dhe nga mungesa e infrastrukturës gjatë tranzicionit të dhimbshëm post diktaturë.
Si një mozaik magjik, vit pas viti, në të katër stinët, Shqipëria shpalos në sy të vetë shqiptarëve, por edhe të botës, bukurinë prekëse të maleve, deteve, lumenjve, lëndinave, pyjeve, që na takojnë në këto 28 mijë metra katrorë.
E kur të kemi mbaruar së treguari të gjitha këto, kur të kemi mbaruari së përsërituri e ripërsërituri të bëjmë publikë çdo centimetër të vendit tonë, duhet të sipërmarrim një tjetër fokus, një tjetër zbulim gjigand: Bukurinë e rrallë, autentike, origjinale, njerëzore të bashkëatdhetarëve tanë. Dihet, nuk jemi perfektë në sjellje e në paraqitje. Në një aeroport ndërkombëtar një grup shqiptarësh do të dallohen menjëherë që nga mënyra se si mbajnë radhën: Nëse kudo sheh një rrip perfekt zinxhiri njerëzor, ne, jemi në grup, të zhurmshëm, të impenjuar për të dhënë e marrë me kë kemi afër. Dikush do të japë këshilla mjeksore, dikush tjetër sygjerime për fëmijët, dikush do të kërkojë e tregojë se nga vjen e ku shkon. Pra, një masë e gjallë njerëzish të interesuar për njëri-tjetrin.
Kur pyetën një nga fotografët më të famshëm në botë, Richard Avedon, se kush mund të quhet njeri karizmatik, fotografi që ka fotografuar portrete të pafundme njerëzish nga më të rëndësishmit e të famshmit, nga më të pasurit, por edhe të varfër, të thjeshtë… përgjigjet: “Interesi i thellë dhe i vërtetë për të tjerët e bën një njeri karizmatik”. Në një botë të friksuar, ku individi izolohet e refuzon të njohë e të di për tjetrin në kuptimin e vërtetë të fjalës dhe jo në prezantimin që të tjerët bëjnë për dikë, kur globalizmi duhet të shihet si një mundësi unike dhe e jashtëzoknshme për të eksploruar bukurinë njerëzore, por shpesh shihet e kundërta, ne, shqiptarët, vazhdojmë të jemi ndryshe dhe duhet të mbetemi të tillë: Kuriozë për njëri-tjetrin, kuriozë për të huajt, kuriozë sigurisht për Natyrën, por mbi të gjitha, për Njeriun. Nëse ruajmë dhe zhvillojmë këtë, mund të vazhdojmë të zbulojmë pasuri të jashtëzakonshme.