Politikë

Pas nderimit nga Kryeministri, Qeveria shpërblen me 1 deri në 3 paga punonjësit që luftuan me zjarret

2 Shtator, 18:53| Përditesimi: 2 Shtator, 19:58

  • Share

Këshilli i Ministrave ka vendosur të shpërblejë me 1 deri 3 paga të gjithë punonjësit që u angazhuar në luftën me zjarret këtë verë.

Pjesë e kësaj kategorie janë efektivët e Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit, Mbrojtjes Civile dhe shërbimeve zjarrfikëse.

Pagesa për ta, 1 deri në 3 muaj, do të përcaktohet në varësi të kohëzgjatjes së angazhimit të tyre në operacionet e shuarjes së zjarreve gjatë verës 2025.

Sipas vendimit, punonjësit e angazhuar 1 deri në 7 ditë, do të marrin shpërblim 1 pagë mujore.

8 deri në 15 ditë, shpërblimi do të jetë 2 paga, ndërsa për angazhimin mbi 16 ditë e më shumë do të jepen 3 paga.

Shpërblimi për punonjësit e angazhuar në luftë me zjarret do të llogaritet mbi bazën e pagës bruto dhe efektet financiare do të përballohen nga buxheti i shtetit.

Për të përballuar këtë skemë financimi, qeveria i ka shtuar buxhetit të Ministrisë së Mbrojtjes gati 2 milionë euro, ndërsa Ministrisë së Brendshme rreth 700 mijë euro.

Kujtojmë se më 27 gusht, Kryeministri Edi Rama nderoi 24 zjarrfikës, ushtarë dhe policë  për betejën që bënë me zjarret në të katër anët e vendit.

Stina e verës shënoi një betejë të ashpër me zjarret në të gjithë vendin, ku u dogjën me qindra hektarë tokë, mbi 50 mijë hektarë.

Vendimi i Këshillit të Ministrave:

DHËNIE SHPËRBLIMI PERSONELIT TË ANGAZHUAR NË OPERACIONET PËR SHUARJEN E ZJARREVE GJATË VITIT 2025

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr.115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Dhënie shpërblimi personelit, punonjës shtetërorë, të angazhuar në shuarjen e zjarreve gjatë verës së vitit 2025.

2. Shpërblehen punonjësit e:

a) Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë;
b) Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile;
c) Policisë së Shtetit;
ç) Drejtorisë së Përgjithshme të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin;
d) Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin në bashki.

3. Punonjësit e përcaktuar në pikën 2, të këtij vendimi, përfitojnë shpërblim, sipas kohëzgjatjes së angazhimit, si më poshtë vijon:

a) Për angazhim me kohëzgjatje, nga 1 (një) deri në 7 (shtatë) ditë, jepet shpërblim në masën e 1 (një) page mujore;
b) Për angazhim me kohëzgjatje, nga 8 (tetë) deri në 15 (pesëmbëdhjetë) ditë, jepet shpërblim në masën e 2 (dy) pagave mujore;
c) Për angazhim me kohëzgjatje 16 (gjashtëmbëdhjetë) ditë e më shumë jepet shpërblim në masën e 3 (tri) pagave mujore.

4. Shpërblimi llogaritet mbi bazën e pagës mujore bruto të punonjësit të angazhuar në operacionet e shuarjes së zjarreve.

5. Efekti financiar për strukturat e përcaktuara në shkronjat “a”, “b” dhe “c”, të pikës 2, të këtij vendimi, përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2025.

6. Në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes, në shpenzimet korrente, shtohet fondi prej 193 140 098 (njëqind e nëntëdhjetë e tre milionë e njëqind e dyzet mijë e nëntëdhjetë e tetë) lekësh, përkatësisht 145 809 950 (njëqind e dyzet e pesë milionë e tetëqind e nëntë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë) lekë në programin buxhetor “Forcat e luftimit”, 43 408 127 (dyzet e tre milionë e katërqind e tetë mijë e njëqind e njëzet e shtatë) lekë në programin buxhetor “Mbështetja e luftimit” dhe 3 922 021 (tre milionë e nëntëqind e njëzet e dy mijë e njëzet e një) lekë në programin buxhetor “Emergjencat civile”.

7. Në buxhetin e Ministrisë së Brendshme, në shpenzimet korrente, shtohet fondi prej 69 615 100 (gjashtëdhjetë e nëntë milionë e gjashtëqind e pesëmbëdhjetë mijë e njëqind) lekësh në programin buxhetor “Policia e Shtetit”.

8. Efekti financiar për strukturën e përcaktuar në shkronjën “ç”, të pikës 2, të këtij vendimi, përballohet nga buxheti i miratuar për vitin 2025 për Ministrinë e Brendshme.

9. Efekti financiar për strukturat e përcaktuara në shkronjën “d”, të pikës 2, të këtij vendimi, përballohet nga buxhetet përkatëse të njësive të vetëqeverisjes vendore.

10. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

V.GJ /r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Berisha vijon të sulmojë drejtësinë, KLGJ nuk reagon: A ka dy standarde?