Besimtarë duke u falur në sheshin Skënderbej, foto arkiv

Sociale

Nesër Fitër Bajrami/ Spahiu: Mos harroni të varfrit e të sëmurët! Urojnë Begaj e Rama: Zoti iu pranoftë lutjet

29 Mars, 09:07| Përditesimi: 29 Mars, 23:01

  • Share

Pas një muaji agjërimi e sakrificash, besimtarët myslimanë do të kremtojnë nesër festën e Fitër Bajramit. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë njofton të gjithë besimtarët se Fitër Bajrami do të falet nesër në Sheshin Skënderbej, Tiranë.

Ceremonia do të nisë në orën 06:45 me leximin e Kuranit dhe ligjëratën, ndërsa namazi do të falet në orën 07:30. KMSH njofton gjithashtu se pritjet tradicionale do të organizohen në selinë e KMSH-së nga ora 09:00 deri në orën 12:00.

Harmoni për çdo familje shqiptare është mesazhi që përcjell pas një muaj agjërimi kreu i komunitetit mysliman. Bujar Spahiu apeloi që pjesë e gëzimit të bëhen edhe të varfrit, të sëmurët dhe të moshuarit.

"Nesër ne festojmë me familjet, të afërmit dhe miqtë tanë, por nuk harrojmë të bëjmë pjesë të gëzimit të varfërit, të sëmurët, të moshuarit të cilët përveç lutjeve drejtuar Zotit japin edhe mbështetjen tonë direkte sipas mundësisë. Fitër Bajarami le të na shërbejë si një moment i vetëdijësimi për dinjitetin dhe vlerat e përgjithshme njerëzore. Qoftë ky Bajram, një burim mirësie, dashurie dhe uniteti për ju dhe të dashurit tuaj”, shprehet Spahiu. 

Presidenti Bajram Begaj, uron besimtarët myslimanë duke theksuar se "përmbyllja e agjërimit, përfundimi i muajit të sakrificës, bëhet me festën e mrekullueshme të Bajramit, me festën e gëzimit, paqtimit të shpirtit dhe me shpresën e mëshirës së Zotit".

Një urim erdhi edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili shprehet se besimtarët përmbushën me devotshmëri një muaj përkushtimi, sakrifice dhe reflektimi.

“Zoti jua pranoftë lutjet dhe ju shpërbleftë për të gjitha sakrificat. Urime të përzemërta besimtarëve myslimanë që përmbushën me devotshmëri një muaj përkushtimi, sakrifice dhe reflektimi dhe sot festojnë Fitër Bajramin”, shkruan kryeministri.

Për besimtarët kjo ditë shënon shpërndarjen e lëmoshës, solidarizimin me të varfrit në mënyrë që të gjithë të kenë mundësi ta gëzojnë së bashku këtë festë. Pasi besimtarët të kryejnë faljen e namazit, festimet vijojnë me drekën e Bajramit e më pas me vizita mes miqve dhe të afërmve.

Ora 22:59
Basha uron Fiter Bajramin: Të mbushim zemrat me shpresë dhe Shqipërinë me mirësi

1743285658_WhatsAppImage20250329at22.58.59.jpeg

Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Fiter Bajramit.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Basha shkruan se Ramazani ishte një muaj reflektimi, përkushtimi dhe sakrifice, ndërsa uron që lutjet e gjithsecilit të jenë pranuar dhe ditë më të mira të vijnë për çdo shqiptar.

“Me përfundimin e këtij muaji të bekuar, le të mbushen zemrat tona me mirënjohje dhe shpresë. Ramazani ishte një udhëtim i përkushtimit dhe sakrificës. Lutjet tona janë ngritur, mëshira e Zotit ka rënë mbi ne, dhe me këtë uroj me zemër që lutjet tuaja të jenë pranuar dhe të sjellin ditë më të gëzuara për çdo shqiptar,” shkruan Basha.

Ai i fton qytetarët që, në frymën e festës, të vazhdojnë me shpirt të pastër dhe zemër të mbushur me mirësi, duke ndarë dashuri dhe ndihmë me të tjerët. Në fund Basha e mbyll urimin me një citim nga Kurani:

“E ardhmja do të jetë më e mirë për ty se sa e kaluara. Dhe Zoti yt do të të japë aq shumë, sa ti do të jesh i kënaqur.” (Kurani, Ed-Duha: 4-5)

 Gëzuar Bajramin! Zoti ju dhëntë begati, lumturi dhe paqe në zemrat dhe shtëpitë tuaja! – përfundon mesazhi i Bashës.

Urimi i plotë i Bashës:

Me përfundimin e këtij muaji të bekuar, le të mbushen zemrat tona me mirënjohje dhe shpresë. 

Ramazani ishte një udhëtim i përkushtimit dhe sakrificës. Lutjet tona janë ngritur, mëshira e Zotit ka rënë mbi ne dhe me këtë uroj me zemër që lutjet tuaja të jenë pranuar dhe të sjellin ditë më të gëzuara për çdo shqiptar.

Ndërsa hyjmë në gëzimin e Bajramit, le të vazhdojmë me një shpirt të pastër, me një zemër të mbushur me mirësi dhe me vepra që sjellin dobi. 

Le të ndajmë buzëqeshje me familjen, të ndihmojmë ata që janë në nevojë dhe të përhapim mirësi në çdo hap.

“E ardhmja do të jetë më e mirë për ty se sa e kaluara. Dhe Zoti yt do të të japë aq shumë, sa ti do të jesh i kënaqur.” (Kurani, Ed-Duha: 4-5)

Gëzuar Bajramin! Zoti ju dhëntë begati, lumturi dhe paqe në zemrat dhe shtëpitë tuaja!

Ora 20:07
Fitër Bajrami, Rama uron besimtarët: Zoti jua pranoftë lutjet dhe ju shpërbleftë për të gjitha sakrificat

Kryeministri Edi Rama ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për Fitër Bajramin. Në një postim në rrjete sociale, teksa ka ndarë një video nga darka që shtroi për Iftar, kreu i qeverisë shprehet se besimtarët përmbushën me devotshmëri një muaj përkushtimi, sakrifice dhe reflektimi.

“Zoti jua pranoftë lutjet dhe ju shpërbleftë për të gjitha sakrificat.

Urime të përzemërta besimtarëve myslimanë që përmbushën me devotshmëri një muaj përkushtimi, sakrifice dhe reflektimi dhe sot festojnë Fitër Bajramin”, shkruan kryeministri.

Ora 18:14
Nesër Fitër Bajrami, presidenti Begaj uron besimtarët: Përmbyllja e agjërimit bëhet me festën e paqtimit të shpirtit dhe me shpresën e mëshirës së Zotit

1741346994_bajrambegaj.JPG

Bajram Begaj

Presidenti i Republikës,  Bajram Begaj, uron besimtarët myslimanë për Festën e Fitër Bajramit.

“Gëzuar Fitër Bajramin! Agjërim të pranuar për të gjithë besimtarët!

Përmbyllja e agjërimit, përfundimi i muajit të sakrificës, bëhet me festën e mrekullueshme të Bajramit, me festën e gëzimit, paqtimit të shpirtit dhe me shpresën e mëshirës së Zotit.

Për të gjithë shqiptarët dhe familjet e tyre, uroj që Zoti t’u japë begati dhe lumturi!” - shkroi Presidenti Begaj në rrjetet sociale.

Ora 14:28
Pas 1 muaj agjërim/ Kreu i KMSH uron besimtarët për Fitër Bajram: Shpresoj që kjo festë të sjellë begati e mirëqenie

 

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu ka uruar sot përmes një videomesazhi të gjithë besimtarët myslimanë dhe shqiptarët kudo që ndodhen për Fitër Bajramin.

“Nesër është festë, është Fitër Bajrami. Hani e pini të gëzuar se këtë e keni fituar në ditët e kaluara thotë Zoti i madhërishëm. I lutemi Zotit të madhëruar, bamirësit që Ramazani i nderuar, i cili në këtë botë është fund e krye një mirësi e madhe që në ditën e ringjalljes të ndërmjetësojë te Zoti për ne duke thënë “O Zot unë i kam penguar këta gjatë ditës, nga të ngrënët, të pirët dhe kënaqësi e tjera të ndryshme. Pranoje ndërmjetësimin tim në favor të tyre. Të nderuar motra e vëllezër, agjërimi ishte një shkollë një mujore për secilin prej nesh. Gjatë këtij muaji njeriu mëson se modestia dhe jo mendjemadhësia është virtyt, mëson se falja është më me vlerë se falja është më me vlerë se hakmarrja, përkujdesi ndaj të varfërve dhe të pamundurve është cilësi më e lartë se indiferentizmi, mëson vetëdisiplinimin, kontrollin dhe vetëdukimin”, shprehet ai.

Më tej Spahiu nënvizon se suksesin e sjelljeve që morëm në Ramazan t’i vazhdojmë më tej.

“Sot nuk mund t’i përmend të gjitha ato të mira që i mësuam nga muaji Ramazanit, por një çështje me rëndësi që duhet të përqëndrohemi. Drejtimin që e morëm në Ramazan, suksesin e sjelljeve dhe jetën e përparuar fetare që e arritëm duhet t’i vazhdojmë më tej. Ruajeni atë që e fituat në Ramazan. Nesër ne festojmë me familjet, të afërmit dhe miqtë tanë, por nuk harrojmë të bëjmë pjesë të gëzimit të varfërit, të sëmurët, të moshuarit të cilët përveç lutjeve drejtuar Zotit japin edhe mbështetjen tonë direkte sipas mundësisë. Fitër Bajarami le të na shërbejë si një moment i vetëdijësimi për dinjitetin dhe vlerat e përgjithshme njerëzore. Qoftë ky Bajram, një burim mirësie, dashurie dhe uniteti për ju dhe të dashurit tuaj”, përfundon Spahiu.

 

Ora 13:14
Nesër Fitër Bajrami, urimi i Myftiut të Korçës: Le ta shohim këtë festë si ditën e shpresave të reja miqësisë dhe dashurisë për njeriun

Me rastin e festës së Fitër Bajramit, Myftiu i Korçës ka një mesazh urimi për të gjithë besimtarët.

Ai shprehet se të gjithë ne  jemi të barabartë para Zotit, teksa theksoi që duhet ta shohim festën e Fitër Bajramit si ditën e shpresave të reja, si ditën e ripërtëritjes së vëllazërisë, miqësisë dhe dashurisë për njeriun dhe njerëzoren.

Mesazhi i Myftiut:

 Bismil-lahi Rrahmani Rrahim! Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

Të nderuar besimtarë myslimanë të qarkut të Korçës, motra dhe vëllezër!

Në emër të Myftinisë së Zonës Korçë dhe në emrin tim personal, ju uroj gëzuar Fiter Bajramin, ditën e shpërblimit, e harmonisë shpirtërore, solidaritetit, e vëllazërisë dhe të afrimit me njëri-tjetrin.

Ne po e përcjellim me përmallim Muajin e Bekuar të Ramazanit, me shpresën e madhe, që Zoti të na ketë falur mëkatet tona dhe të ketë pranuar lutjet, adhurimet dhe sakrificën tonë.

Ramazani na mësoi se mirësitë dhe begatitë që na ka dhënë i plotfuqishmi, marrin kuptim, vetëm atëherë kur ndahen me të tjerët me synim fitimin e kënaqësisë së Zotit. Ky muaj i madhërueshëm na mësoi se sofra e iftarit është sofra e harmonisë dhe e vëllazërisë, mes besimtarëve, mes vëllezërve dhe miqve, mes të pasurve dhe të varfërve. Të gjithë jemi të barabartë para Krijuesit, dallimi është vetëm në devotshmëri, në përkushtim, në bujari dhe te sinqeriteti në adhurim, lutje dhe vepër të mirë që bëjmë.

 Lutjet, adhurimet, sakrifica, dhe ripërtëritja shpirtërore që përjetuam gjatë muajit të bekuar të Ramazanit na forcon dhe motivon ta shohim festën e Fitër Bajramit si ditën e shpresave të reja, si ditën e të kujtuarit dhe solidaritetit me njëri-tjetrin, si ditën e ripërtëritjes së vëllazërisë, miqësisë dhe dashurisë për njeriun dhe njerëzoren.

Fiter-Bajrami është ditën e dielë, dt.30 mars 2025, ceremonia e faljes për dy xhamitë e qytetin do të zhvillohet para oborrit të xhamisë së vjetër “Iljas Bej Mirahori”, ndërsa në zonat e tjera në xhamitë përkatëse.Janë të mirëpritur të gjithë besimtarët, burra dhe gra, fëmije e të moshuar, të marin pjesë në ceremoninë e faljes së Bajramit, e cila fillon në orën 07.00 dhe kulmon me faljen e namazit të bajramit në orën 07.30.Ceremonia e pritjes dhe urimeve do të zhvillohet në ambjentet e Myftinisë Korçë mes orës 10.00 – 12.00.

 Më lejoni së fundmi në këto çaste të gëzuara të festës së Fitër Bajramit, këtij momenti të gëzimit dhe të lehtësimit shpirtëror, t'ju përcjell mesazhet e mia më të sinqerta për një jetë sa më të lumtur, për shëndet dhe mirësi. Gëzuar dhe për shumë vjet Fitër-Bajramin!

H. Ledian Cikalleshi

Myfti i Zonës Korçë

Xh.K/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A e keni vendosur se për kë do të votoni më 11 maj?