Pas ‘Oscar’ në Bienalen e Venecias, filmi shqiptar korr sukses me Erenik Beqirin! Drama e emigracionit, xhirimet e kasti, regjisori rrëfen prapaskenat: Histori shqiptare

2 Gusht 2023, 14:33| Përditesimi: 2 Gusht 2023, 14:38

  • Share

Nga çmimet Oscar me ‘Furgonin’, në Bienalen e Venecias. Filmi i regjisorit Erenik Beqiri ‘Një udhëtim i shkurtër” është përzgjedhur mes 12 produksioneve në kategorinë ‘Orizzonti’ në këtë edicion të 80-të të Bienales, që mbahet nga 30 gushti deri në 9 shtator në ishullin Lido. Nga Franca ku gjendet tregon për Report Tv rreth realizimit të  filmit të shkurtër dhe emocioneve të përzgjedhjes.

“Realizimi i filmit ka qenë një proces gati 3-vjeçar, nga shkrimi i skenarit deri në përfundimin e tij. Kështu që lajmi për përzgjedhjen si pjesë e konkurrimit zyrtar ka qenë një moment vlerësimi për punën e bërë gjatë filmit nga i gjithë stafi dhe aktorët. Edhe produksioni i filmit bashkë me Canal +(televizion francez) që është një ndër kontribuuesit kryesorë ka qenë mjaft entuziast, duke pasur parasysh besimin qe i kane dhënë projektit gjatë këtyre viteve. Në raste të tilla gëzimi është i madh dhe të gjithë jemi shumë të emocionuar për momentin e shfaqjes së filmit në ekranin e festivalit”, shprehet regjisori.

Drama që zhvillohet në 17 minuta, tek “Udhëtim i shkurtër” është një histori shqiptare. Në të, përmes gjuhës së kinemasë, shpalosen sakrificat e kompromiset që bëhen në vendin tonë për të marrë një shtetësi të huaj.

“Për mua fokusi ishte të tregoja jetën e një çifti të ri, të cilët përballë endrrës për një jetë më të mirë diku tjetër, janë të gatshëm të shkojnë në limitet e marrëdhënies së tyre. Këto janë kompromise të cilat vazhdojnë të jenë të pranishme në jetën e shqiptarëve si emigrantë, dhe është një fenomen shumë i vështirë për t’u injoruar. Më pas për mua, shkrimi dhe realizimi i skenarit ishin rruga e duhur për të kuptuar më mirë dëshirat, përjetimet dhe kufijtë e këtyre individëve. Si shqiptar, e ndiej që është e nevojshme që punët artistike të reflektojnë tematikat e vendit tonë”, thotë ai.

Aktorët protagonistë janë Luana Bajrami, Tristan Halilaj, Arben Bajraktari dhe Ëalid Afkir... Kosova, Shqipëria dhe Franca kanë plotësuar kështu një kast talentesh për këtë film.

“Me Luanën kishim kohë që donim të bashkëpunonim, dhe me këtë film arritëm të gjejmë projektin e duhur. Disa nga draft-et e skenarit u rishkruan duke pasur parasysh praninë e saj si një ndër personazhet kryesore. Me Tristanin jam njohur para shumë vitesh përmes një projekti që supozohej të punonim bashkë, por që nuk u realizua. Përzgjedhja e tij erdhi natyrshëm, duke e njohur punën e tij nga rolet e mëparshme në filma dhe teatër. Ndërsa me Arbenin është krijuar një raport miqësor dhe profesional. Për mua prezenca e tij në film është gjithmonë një mbështetje, si dhe kënaqësi në procesin krijues”, shprehet ai.

Zbulon se xhirimet janë realizuar në Francë.

“Xhirimet e filmit janë realizuar në Marsejë, përgjatë 5 ditëve. Ky ishte shesh xhirimi im i parë në një shtet të huaj, ku fliteshin tre gjuhë të ndryshme; shqip, anglisht dhe frëngjisht. Si çdo shesh xhirim tjetër, je në luftë të vazhdueshme me kohën dhe fakti që arritëm ta xhironim filmin në 5 ditë është falë organizimit të mirë të ekipit”, tregon Beqiri.

Kategoria ‘Orizzonti’ ka në fokus tendencat e reja estetike. Beqiri tregon e çfarë e ka ndihmuar në këtë aspekt të punojë në nivel të konkurrueshëm”, shprehet më tej.

“Në të gjithë filmat që kam bërë deri më tani, kam pasur në vëmendje krijimin e hapësirës së duhur artistike për kastin dhe ekipin, në mënyrë që ata të mund të veprojnë lirisht në shërbim të historisë që po tregojmë së bashku. Mendoj se filmi është një formë arti bashkëpunues në thelb, kështu që për mua ky është trendi më i mirë për t'u ndjekur”, shprehet Beqiri.

I realizuar me mbështetjen e Ambasadës Franceze, regjisori tregon nëse filmi mund të konsiderohet prodhim shqiptar.

“Unë mendoj që filmi është shqiptar, duke u nisur nga fakti se ngjarja e filmit vjen nga një kontekst shqiptar, aktorët kryesorë janë po ashtu shqiptarë, dhe mbi të gjitha dhe unë jam shqiptar.

Ambasada Franceze ka qenë suportuese në procesin tim realizues, jo si prodhues i filmit, por si krijuese e urës lidhëse për mua në Francë”, shprehet ai.

Aktorja protagoniste e këtij filmi, Luana, është pjesë e Bienales edhe si regjisore, duke qenë se “Bota jonë”, produksion i Kosovës, është përzgjedhur si pjesë e seksionit ‘Orizzonti Extra’.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?