Një koncert i veçantë, mes ikonave të shekullit XVI-XIX, realizuar nga Shën Gjon Vladimiri apo Onufri, në Pavijonin e Ikonografisë në Muzeun Historik Kombëtar u realizua për herë të parë pas 7 muajsh distancim social për shkak të COVID 19.
“Ka qenë shumë emocionues rikthimi në skenë, sepse vijmë nga një periudhë e gjatë pandemie. Urojmë që kjo të jetë një rinisje e aktiviteteve kulturore”, shprehet sopranoja Ulpiana Aliaj.
Tre artistët, pjesë e Ansamblit të Muzikës Baroke, sopranoja Ulpiana Aliaj, kitaristi Denis Bizhga dhe Jusuf Beshiri në klavicembal me interpretimin e tyre sollën koncertin e parë në një ambient të mbyllur, ku nuk munguan pjesët që u luajtën për herë në parë në vendin tonë, nga Atnonio Valente “Tenore del passo e mezo con sei mutanze, Juan Cabaniles me “Corrente italiana” edhe si rrallëherë, një pjesë e kompozuar nga piktori i njohur i r8ilindjes italiane, Leonardo Da Vinçi, “Tre rebus muzikali”.
“Kemi nis që nga prekja e muzikës antike, që qëndronte bukur me ambientet edhe atmosferën ku kënduam mbrëmë. Tepër e veçantë ka qenë një pjesë e shkruar nga Leonardo da Vinçi për dashruninë. Gjëja që më bëri përshtypje është një nga përkufizimet e tij, që e shihte muzikën si një gjë funksionale ndaj gjithçkaje, që s’mund ta shprehje ndaj asnjë lloj materie të prekshme”.
Sopranoja Aliaj na rrëfen edhe pasojat që janë duke vuajtur artistët shqiptarë, sikundër kudo në botë për shkak të kësaj distance sociale nga publiku
“Ne bëmë koncertin në sallë të mbyllur, duke qenë rigoroz në numrin e personave. Kemi respektuar distancën dhe mendoj se është shumë e rëndësishme, që jeta artistike të rifillojë gradualisht. Unë kam pas pezullime të aktiviteteve, duke qenë se aktiviteti im më shumë zhvillohet jashtë. Këtë e kam ndierë këtu edhe jashtë. Por nuk ka pse të shtyhet më edhe të jetë kjo lloj mbyllje, sepse po nxjerr jashtë loje një brez të tërë, edhe arti është ushqim i shpirtit, që s’ka mese ta zëvendësohet, por është dhe jetike. Mendoj se është emergjente edhe duhet patjetër që të ketë një iniciativë”, përfundon Aliaj.
Në kuadër të muajit të trashëgimisë, koncerti i radhës i Ansamblit të Muzikës Baroke do të jetë në datë 25 shtator 2020 në Kalanë e Gjirokastrës.