Pas përballimit me sukses të situatës së pandemisë, Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi” do të zgjerojë shërbimet. Në këtë spital të rëndësishëm është bërë një investim shumë i madh për shërbimin e ri të Kardiokirurgjisë, teksa ka përfunduar edhe investimi në një laborator shumë modern analizash. Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ishin sot në spitalin “Shefqet Ndroqi”, teksa inspektuan nga afër punimet.
“Edhe pse në një periudhë të vështirë të pandemisë, nuk kemi ndalur investimet e parashikuara, për të siguruar më shumë shërbime për qytetarët. Shërbimi i ri i Kardiokirurgjisë në spitalin “Shefqet Ndroqi”, i jep një drejtim tjetër këtij spitali, pasi përmbyll një cikël shumë të rëndësishëm, përsa i përket sëmundjeve kardiologjike. Përveç shërbimit të hemodinamikës, një shërbim i cili është investuar rreth 5 vite më parë, tashmë shtohet shërbimi i Kardiologjisë, ku do të realizohen mbi 400 ndërhyrje operatore në zemër në vit”, deklaroi Manastirliu.
Duke vënë theksin tek rritja e kapaciteteve të burimeve njerëzore, Manastirliu tha se shumë shpejt, një mjek kardiokirurg nga Gjermania do t’i bashkohet ekipit të Spitalit ‘Shefqet Ndroqi’, në kudër të thirrjes të iniciuar nga Kryeministri Edi Rama “Gati për Shqipërinë’.
“Duke qënë se burimet njerëzore janë ato më të rëndësishmet për të vënë në jetë projekte si ky, përveç kardiokirurgëve të përgatitur që kemi, në kuadër të thirrjes ‘Gati për Shqipërinë’, edhe një kardiokirurg do vijë nga Gjermania, dr. Fagu, i cili po bëhet gati për t’u shkëputur nga një klinikë në Gjermani dhe për t’iu bashkuar ekipit fantastik të ‘Shefqet Ndroqit’, në një iniciativë shumë të rëndësishme”, tha Manastirliu.
Një prej mjekëve kardiokirurgë, prof. Rezart Deveja, i ardhur disa vite më parë nga Greqia, ka shprehur mirënjohjen dhe vlerësimin për investimet e reja në Spitalin ‘Shefqet Ndroqi’.
“Ky është një investim që arrin në shifrën rreth 1 milion euro në kuadër të investimit të gjithë materialeve, aparaturave të sallës kardiokirurgjikale, si dhe të reanimacionit. Gjithçka është e re dhe e kohëve të fundit. Synimi është që në shtator të fillojnë operacionet. Nga shtatori deri në fund të vitit do të jetë një punë që do të rritet gradualisht dhe nga janari i vitit të ardhshëm do të jemi në kapacitet të plotë, që do të thotë se në këtë sallë do të kryhen disa operacione të mëdha kardiokirugjikale çdo ditë. Ka një rëndësi shumë të madhe, pasi nevojat duke krahasuar me popullësinë dhe rritjen e nivelit të diagnostifikimit, janë të mëdha”, tha prof. Deveja.
Gjatë inspektimit në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”, Ministrja e Shëndetësisë nënvizoi se një tjetër investim i rëndësishmë në këtë spital është edhe laboratori i ri modern, që plotëson të gjithë gamën e analizave që duhet të bëhen në një spital universitar.
“Laboratori i ri sapo ka përfunduar, në kuadër të partneritetit tonë për forcimin e rrjetit të laboratorëve në të spitalet e vendit, universitare, rajonale dhe në dy spitale bashkiake”, tha Manastirliu.
Shërbimi i ri i kardikirurgjisë investimi i buxhetit të shtetit, i cili ka përfshirë rikontruksionin e plotë të sallës së re të operacionit dhe njësisë së veçantë të reanimacionit, si dhe të gjithë pajisjet mjekësore të teknologjisë së fundit për shërbimin e kardiokirugjisë. Hapja e këtij shërbimi, i dyti në rang vendi në spitalet publike do të përmirësojë ndjeshëm trajtimin cilësor dhe në kohë të pacientëve, ku do të kryen rreth 400 operacione në zemër, duke mbuluar të gjithë gamën e kardiokirurgjisë.
Një tjetër investim i rëndësishëm që është vënë në funksion në këtë spital universitar, është edhe shërbimi i ri i laboratorit, pjesë e rrjetit modern të laboratorëve publik, me Partneritetin Publik Privat. Në 18 spitale publike do të investohen për ofrimin e shërbimit cilësor dhe zgjerimit të gamës së analizave, duke rritur mbulimin shëndetësor dhe duke reduktuar pagesat nga xhepi për qytetarët.
Njësija e re e Kardiokirurgjisë do të kryejë rreth 400 opercione në vit. Së bashku me Kryeministrin Rama, ministrja e Shëndetësisë ka vizituar sot spitalin ‘Shefqet Ndroqi’ dhe bën me dije se spitali i është kthyer normalitetit dhe do të jetë në dispozicion për pacientët.
“Me Kryeministrin Edi Rama, në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”, i cili i rikthehet normalitetit me dy investime fantastike, që do të zgjerojnë shërbimet me standardet më të larta për qytetarët. Ka përfunduar investimi për ngritjen e Njësisë së re të Kardiokirurgjisë, ku do të kryhen rreth 400 operacione në vit. Laboratori modern, me standarde ndërkombëtare tashmë është në shërbim të pacientëve”, shkruan Manastriliu.
Shume mire qe inagurohen aparatura moderne ne spitalet shqiptare por ne vend te degjojme drejtoret e spitaleve degjojme gjithmone ministren duke u bere monotone .Me shume te flasin ato qe i perdorin pra mjeket
Përgjigju