Vangjush Dako

Kronikë

Vangjush Dako del nga spitali dhe rikthehet në qeli! Duhet të kryejë edhe 6 ditë dënim

21 Shtator, 18:03| Përditesimi: 21 Shtator, 19:05

  • Share

Pas përmirësimit të gjendjes së tij shëndetësore, ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako ka lënë sot ambientet e Spitalit të Durrësit dhe është dërguar në qelinë e burgut ku i kanë mbetur për të kryer dhe 6 ditë nga dënimi.

Vangjush Dako u kthye në qeli pas vendimit të dhënë nga Apeli i GJKKO-së më 16 shtator ku u dënua me 2 vite e 8 muaj burg. Në bazë të përllogaritjes së kohës së paraburgimit së bashku me atë të arrestit shtëpiak, Dako duhet të kryente dhe 10 ditë burg, 4 nga të cilat i kaloi në spital.

Në momentin që në shtëpinë e tij mbërritën agjentët për të ekzekutuar masën e sigurisë, ish-kryebashkiaku pati përkeqësim të gjendjes shëndetësore me simptoma aritmie, gjendje ankthi dhe probleme me hernien diskale. Bazuar në Kodin Penal, çdo ditë në spital është e barabartë me 1 ditë burg.

Dako u arrestua në 6 qershor 2023. Ai u lirua në shkurt të vitit 2024 pasi i kaloi afati i paraburgimit dhe prej asaj kohe ka qëndruar në arrest shtëpie. Më 25 nëntor të 2024, GJKKO vendosi që ta dënonte me 2 vite e 8 muaj burg për shpërdorim detyre në dy raste.

Vangjush Dako u dënua për shpërdorim detyre në 2 raste, në kohën që ushtronte postin e kryetarit të bashkisë së Durrësit. Bëhet fjalë për ndërtimin e një pallati 12 vite më parë në Durrës, që u shemb nga tërmeti i vitit 2019. Leja e ndërtimit të pallatit u zbardh, tre vjet pasi ndërtimi kishte përfunduar dhe kishin hyrë banorët, duke legalizuar 4 kate pa leje. Po kështu dhe vetë ndërtimi nuk ishte bërë sipas projektit të miratuar nga Bashkia Durrës.

Ndërsa rasti tjetër i shpërdorimit të detyrës nga Dako lidhet me abuzimin me tenderin për ndërtimin e një shëtitoreje në vitet 2014-2015, të zbuluar nga KLSH, që I shkaktoi buxhetit të shtetit një dëm prej 18 milionë lekësh.

Sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme, Vangjush Dakos i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë pesëvjecare.

K.B/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria e re nis punën, besoni se do përmbushë pritshmëritë e qytetarëve?