Foto ilustruese

Autoriteti i Konkurrencës rrëzon marrëveshjen për rritjen e çmimit të patentave: Në kundërshtim me ligjin! Do monitorojmë tregun 1 vit

24 Mars 2023, 14:55| Përditesimi: 24 Mars 2023, 15:33

  • Share

TIRANË- Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur sot rrëzimin e marrëveshjes për rritjen e çmimit të patentave. Pas pezullimit të saj, Konkurrenca doli me një njoftim se kjo marrëveshje mes Drejtorisë së Përgjithshëm të Shërbimit të Transportit Rrugor dhe Shoqatave të Autoshkollave bie në kundërshtim me ligjin dhe për këtë arsye kanë vendosur ta rrëzojnë.

Në njoftimin e bërë publik për mediat thuhet se vendosja e një çmimi tavan për patentat sipas marrëveshjes së parashikuar do të dëmtonte tregun dhe Autoriteti i Konkurrencës e sheh si një rrezik. Teksa ka vendosur pezullimin e marrëveshjes, Autoriteti i Konkurrencës njofton se do të monitorojë tregun për një periudhë 1 vjeçare dhe nëse do të konstatohen shkelje, do të merren masa ndëshkuese.

Marrëveshja që ishte nënshkruar mes DPSHTRR dhe grupeve të interesit parashikonte që çmimi i patentës të shkonte deri në 85 mijë lekë, por me pezullimin që Konkurrenca bëri ditën e sotme do të thotë që një person që dëshiron të bëjë patentën do ta paguajë atë me çmimin aktual që është në treg, që maksimumi shkon në 45 mijë lekë.

Njoftimi i plotë:

Komisioni i Konkurrencës, në mbledhjen e tij më datë 24.03.2023, mori në shqyrtim çështjen “Mbi vlerësimin ligjor të Akt Marrëveshjes nr. 2729 prot., datë 13.02.2023, të lidhur ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Shoqatës “Kombëtare të Autoshkollave”, Shoqatës së Autoshkollave “Siguria në rrugë” dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve”, e cila ka për objekt de facto dhe de jure caktimin e tarifës së pagesës dhe kostos referuese minimale fiskale për përgatitjen dhe pajisjen me leje drejtimi, sipas kategorisë së lejedrejtimit, dëshmisë ose çertifikatës.

Në përfundim të vlerësimit ligjor, u konstatua se Akt Marrëveshja nr.2729 prot., datë 13.02.2023, lidhur ndërmjet grupeve të interesit përfaqësues të Autoshkollave, DPSHTRR-së dhe DPT-së, është një marrëveshje e ndaluar në vetvete për nga objekti, në kuptim të nenit 4, pika 1, gërma a), të ligjit nr. 9121/2003, pasi me hyrjen në fuqi do të çojë në praktika të njëjta në çmimet/tarifat e pagesës për përgatitjen dhe fitimin e kategorisë së leje drejtimit, dëshmisë ose certifikatës, duke penguar, kufizuar dhe shtrembëruar konkurrencën në treg.  Si e tillë kjo Akt Marrëveshje, në kuptim të nenit 4, pika 2, të ligjit nr. 9121/2003, është e ndaluar. 

Sa më sipër, Komisioni i Konkurrencës, me vendimin nr. 970, datë 24.03.2023 vendosi:

I. Akt Marrëveshja nr. 2729 prot., datë 13.02.2023, e lidhur ndërmjet palëve: Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, Shoqata “Kombëtare e Autoshkollave”, Shoqata e Autoshkollave “Siguria në rrugë” dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, vlerësohet si një akt marrëveshje në kundërshtim me nenin 4 të ligjit 9121.2003, “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

II. Monitorimin e tregut të shërbimit të përgatitjes dhe pajisjes me leje drejtimi, sipas kategorisë së lejedrejtimit, dëshmisë ose çertifikatës, për një periudhë 1 (një) vjeçare.

III. Moszbatimi i këtij vendimi përbën shkelje të rëndë të konkurrencës në kuptim të nenit 74, pika 1, gërma c), të ligjit nr. 9121/2003.

Për më tepër, ju lutem konsultoni faqen zyrtare të Autoritetit të Konkurrencës.

G.MO//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Shqiptari: 25/03/2023 08:03

    Urime qe fitoj nje here ky popull perballe banzise dhe te babziturve, pavarshisht se te paaftet do e marrin me 200 mijleksha per cdo provim ????????

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?