Pas policëve, njerëzit e SHISH në pension parakohshëm me gjysmë page, ligji në Kuvend

5 Qershor 2020, 14:55| Përditesimi: 5 Qershor 2020, 15:28

  • Share

Pas punonjësve të policisë, në pension të parakohshëm do të dalin njerëzit e Shërbimit Informativ Shtetëror, institucioni kryesor i sekreteve në Shqipëri. Qeveria ka depozituar në Kuvend një projektligj, i cili parashikon daljen në pension të parakohshëm të punonjësve të SHISH, duke përfituar 50 % të pagës mujore neto deri kur të mbushin moshën e pensionit. Në pension të parakohshëm mund të dalin punonjësit e shërbimit sekret që kanë mbushur moshën 57 vjeç si dhe atë që kanë 25 vite vjetërsi shërbimi. Por, përfituesit duhet aktivizohen pranë SHISH deri në 700 orë në vit, në të kundërt humbasin gjysmën e pagës.

Trajtimi financiar përfitohet me kërkesë të punonjësit ose kërkesë të drejtorit të SHISH dhe miratohet nga një Komision i Posaçëm. Në relacion sqarohet se dalja në pension të pakohshëm është më dëshirë të punonjësit të SHISH, por është parashikuar edhe e drejta e kreut të SHISH, për të shkarkuar punonjësit mbi 57 vjeç dhe ata që kanë 25 vite vjetërsi shërbimi. Gjithsesi, në vlerësimin e kërkesës për të ndërprerë marrëdhënien e punës të punonjësit të SHISH merret në konsideratë edhe pamundësia fizike e shëndetësore e punonjësit për të vazhduar karrierën e mëtejshme.

Propozuesi, në këtë rast Këshilli i Ministrave, thekson se “qëllimi i këtij projektligji synon uljen e moshës mesatare të punonjësve të institucionit, duke siguruar që në institucionin e SHISH-it, i cili ka si objekt të punës mbrojtjen e sigurisë kombëtare, të krijohet mundësia e punësimit të gjeneratës së re, në moshë më aktive dhe efiçente në luftën kundër krimit në përgjithësi e atij të organizuar në veçanti, si dhe rritjen e parametrave të sigurisë kombëtare në Republikën e Shqipërisë”.

Sipas qeverisë, miratimi i këtij projektligji është i domosdoshëm për faktin se, detyrat institucionale që ligji i ngarkon, kryesisht Shërbimit Informativ të Shtetit, janë të një rrezikshmërie e vështirësie shumë të lartë në raport me detyrat institucionale që kanë strukturat tjera shtetërore.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?