Gjykata e Posaçme dhe SPAK

Kronikë

Pas pretencës së SPAK për ‘Sterilizimin’, nis mbrojtja e të pandehurve në GJKKO! Ish-zyrtari Kadiu: Kërkoj të mos jem unë gomari!

23 Korrik, 14:57| Përditesimi: 23 Korrik, 15:12

  • Share

Tiranë- Pas shpalljes së pretencës nga SPAK për dosjen ‘Sterilizimi’, ka nisur edhe mbrojtja e të pandehurve, të cilëve iu pranua gjykimi i shkurtuar, duke veçuar çështjen nga ish-ministri Ilir Beqaj.

Gjatë fjalës së tij, Saimir Kadiu, ish-drejtor ekonomik i Ministrisë së Shëndetësisë, kërkoi të shpallet i pafajshëm, duke deklaruar se nuk ka lidhje me asnjë shpërdorim detyre që pretendon SPAK.

Për këtë ai i kërkoi gjykatës që të tregojë dhe një anekdodë.

“Lexova një anekdodë para ca ditësh, mori flakë pylli dhe u mblodhën gjithë kafshët, thanë po na dënon zoti se kemi bërë shumë mëkate. Luani tha unë psh. kam ngrenë shumë prej jush, ujku e dhelpra po ashtu, pastaj i erdhi radha gomarit dhe tha që pashë një lëndinë me bar të gjelbërt dhe vajta e hëngra, të gjitha kafshët thanë ky është gabimi më i rëndë dhe dënuan gomarin“.

I pyetur nga gjykata pse e tha këtë anekdodë, ish-zyrtari u shpreh:

“Kërkoj mos jem unë gomari!”.

Më 25 qershor SPAK shpalli pretencën për 8 të pandehur të dosjes Sterilizimi, një koncesion me vlerë 100 milionë euro, për të cilin po gjykohet në një proces më vete, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj.

 SPAK kërkon 36 vite e 6 muaj burg për 8 të pandehurit. Për dy kryesorët, ish.zv ministrin e Shëndetësisë Klodian Rjepaj, dhe biznesmenin që fitoi tenderin e sterilizimit të pajisjeve mjekësore në shtet, Ilir Rrapaj, SPAK kërkoi dënimin me 10 vite burg për secilin. Nga Gjykimi i shkurtuar, të dyve u ulet 1/3-a dhe në rast se shpallen fajtorë nga gjykata e Posaçme, do të dënohen me 6 vite e 8 muaj burg.

Për, Marsela Serjani drejtoreshë juridike dhe Saimir Kadiu, drejtor ekonomik në ministri, Prokuroria e Posaçme kërkoi 3 vite e 6 muaj burg, që zbriten në 2 vite e 4 muaj për secilin.

Ndërkohë për 4 të pandehur të tjerë, dënimi me burg i kërkuar nga SPAK, pezullohet në shërbim prove. Mes tyre është edhe rektori i Universitetit të Mjekësisë, mjeku Arben Gjata, për të cilin SPAK kërkoi 2 vite burg, që nga gjykimi i shkurtuar zbret në 1 vit e 4 muaj, e që konvertohet në 3 vite shërbim prove në rast se do të dënohet nga gjykata e posaçme.

Pretenca e SPAK
Klodian Rjepaj 10 vite burg, nga gjykimi i shkurtuar i zbret në 6 vite e 8 muaj burg
Ilir Rrapaj 10 vite burg, nga gjykimi i shkurtuar i zbret në 6 vite e 8 muaj burg
Marsela Serjani 3 vite e 6 muaj burg, nga gjykimi i shkurtuar i zbret në 2 vite e 4 muaj
Samir Kadiu 3 vite e 6 muaj burg, nga gjykimi i shkurtuar i zbret në 2 vite e 4 muaj
Petraq Mersini 3 vite 6 muaj burg, nga gjykimi i shkurtuar i zbret në 2 vite e 4 muaj. Konvertohet 4 vite shërbim prove
Arben Gjata 2 vite burg, nga gjykimi i shkurtuar i zbret në 1 vit e 4 muaj. Konvertohet 3 vite shërbim prove
Genci Byrazeri 2 vite burg, nga gjykimi i shkurtuar i zbret në 1 vit e 4 muaj. Konvertohet 2 vite shërbim prove
Naile Ajazi 2 vite burg, nga gjykimi i shkurtuar i zbret në 1 vit e 4 muaj. Konvertohet 2 vite shërbim prove

    A.Q/ReportTv.al
    Komento

    Komente

    • Sondazhi i ditës:

      A mendoni se ka pasur rezultat aksioni për lirimin e hapësirave publike?