Kosova & Rajoni

Pas protestave masive të studentëve, Vuçiç: Kërkesat e tyre janë plotësuar të gjitha! Negociatat për qeverinë e re nisin javën e ardhshme

28 Mars, 14:25| Përditesimi: 28 Mars, 21:22

  • Share

Presidenti serb, Aleksander Vuçiç foli në një intervistë televizive për bllokadat e fakulteteve dhe protestat studentore e qytetare anembanë Serbisë, të cilat kanë zgjatur gati pesë muaj, për shkak, siç pohojnë studentët në bllokadë, mosplotësimit të kërkesave të tyre.

Vuçiç pretendon se autoritetet në Serbi i kanë përmbushur të gjitha kërkesat që kanë kërkuar studentët që kanë bojkotuar jetën universitare.

 “I ofrova dialog rektorit dhe rektoratit. Më kërkuan të dërgoja një letër, të cilën e bëra dhe pas 24 orësh, me urdhër të atyre lart që po krijojnë revolucion me ngjyrë, më thanë se nuk munden dhe se do të bisedojnë me dikë tjetër. I ftoj në një debat nëse janë plotësuar kërkesat, por ata nuk duan një të tillë”, thotë Vuçiç.

Vuçiç njofton se konsultimet për përbërjen e qeverisë së re do të fillojnë të hënën e ardhshme dhe shpjegon se kë do të mandatojë për formimin e qeverisë së re, limit kohor për formimin e të cilës është fundi I muajit prill, në të kundërt Serbia do të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

"Do të shohim se çfarë do të thonë ata që kanë mazhorancën, a duan të formojnë qeveri apo duan të shkojnë në zgjedhje. Unë pres që të më thonë përfaqësuesit e mazhorancës, ata që kanë votat për të zgjedhur qeverinë e re, nëse duan atë qeveri apo duan që të mbarojë koha dhe të shkojnë në zgjedhje. Pra, janë dy opsione", shtoi ai.

Pasi protestat u masivizuan në të gjithë vendin, Kryeministri Milosh Vuçeviç dha dorëheqjen, çka detyron partinë e Vuçic të formojë një qeveri të re.

Vuçiç mesa duket nuk do ta dëgjojë këtë kërkesën e fundit të kundërshtarëve parlamentarë, pasi sic thotë duhet ta bindin se kanë votat e mjaftueshme për të formuar një qeveri. Opozita parlamentare serbe, propozoi javën e kaluar krijimin e një qeverie tranzicioni me mandat 9 mujor e cila do të përgatisë vendin për zgjedhje të besueshme.

Xh.K/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Programi i PS, a ju duken të realizueshme objektivat ekonomikë?