Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha i ka dërguar një mesazh të gjithë kandidatëve për deputet, ku i ka kërkuar që gjatë fushatës zgjedhore deri më 25 prill, të përdorin materialet që përmbajnë numrin 9, i cili përcakton PD, dhe jo numrat e tyre personal.
Sipas mesazhit, ky urdhër është dhënë për të mos krijuar konfuzion te zgjedhësit.
Pas kësaj kërkese të kryedemokratit, kandidatët për deputet kanë rifreskuar posterat e tyre, duke zëvendësuar numrat e tyre personal me numrin 9.
Kjo erdhi pasi edhe kryeministri Edi Rama ditën e djeshme, ka thirrur të gjithë kandidatët për deputet në një mbledhje, ku fokusi kryesor ishte te mënyra e bërjes së fushatës nga ata. Kryesocialisti u ka kërkuar që të mbledhin votat për Partinë Socialiste dhe jo në emra të veçantë, me qëllim që të arrihet objektivi i vendosur, një minimum mandatesh nga 78 deri në maksimumin 88.
Këto kërkesa vijnë vetëm 24 ditë përpara zgjedhjeve parlamentare më 25 prill.
Mesazhi i plotë i Bashës:
Te nderuar kandidat/e,
Sikurse iu është dhënë si porosi, kërkohet nga ju qe,
Posterat duhet ti publikoni apo printoni siç ju ka ardhur formati zyrtar. Nuk lejohet asnjë ndryshim nga ana juaj.
Kush ka bërë ndryshime, duhet ti hiqni menjëherë (që sot). Përdorimi i nr tuaj personal nga disa prej jush ka krijuar konfuzion dhe dëmton drejtpërdrejtë numrin e te gjithëve qe është një dhe vetëm një, 9-PD-AN.
Prandaj, te nderuar kandidat/e, votuesin do ta ftojmë te gjithë se bashku te votoj nr. 9. Ne te gjitha materialet zgjedhore (postera, bluza, byzylyk, virtual e material) duhet te përdoret vetëm numri 9.
Vendimi i kryesisë se PDSH dhe Shtabit Qendror te fushatës është imazhi i standartizuar.
Bashkëlidhur po ju ridërgoj imazhin e vetëm për postera dhe cover foto ne rrjetet tuaja sociale.
Faleminderit për mirëkuptimin.
Basha i ka dhënë kandidatëve edhe porosinë se duhet të bëjnë fushatë vetëm në zonat ku i është caktuat.