Politikë

Zgjedhjet në PD/ Harxhi: U votua me foton e Bashës në mur si në kohën e diktatorit! Ristani: PD, jashtë shtratit ligjor! Imami: Lista të fshehta kanë vetëm organizatat terroriste

16 Qershor 2021, 10:14| Përditesimi: 16 Qershor 2021, 13:24

  • Share

Në kufijtë e pavlefshmërisë ligjore, një parti 'gaz i botës' dhe jashtë shtratit ligjor, maskaradë elektorale, sjellje si një organizatë terroriste apo komuniste. Këto ishin vetëm disa prej akuzave të bëra sot në drejtim të Lulzim Bashës për procesin zgjedhor që organizoi brenda partisë nga vetë disa prej demokratëve më të njohur. 3 ditë pas rizgjedhjes së Bashës për një mandatet të tretë në krye të partisë më të madhe opozitare në vendi, Grupimi 'Për PD-në' ka dalë sot në një konferencë për media, ku kanë listuar një sërë arsyesh se përse procesi sipas tyre ishte i paligjshëm.

Edit Harxhi, e cila ishte një prej kandidatëve për kryetar të PD-së nënvizoi faktin se mijëra anëtarë të PD nuk u lejuan të votonin , ndërkohë që mijëra u përjashtuan nga listat fare. Sipas saj janë përjashtuar 28 mijë anëtarë të Partisë Demokratike dhe kjo është shkelja me madhe e këtyre zgjedhjeve.

Ajo nënvizoi edhe një fakt që edhe pse jo në kundërshtim me ndonjë nen të statutit sipas saj tregon shumë për mendësinë e Bashës.

"Në shumicën e qendrave të votimit është fotografinë e kryetarit aktual në mur. Kutitë e votimit nuk kanë pasur masa sigurie dhe as kode përkatës", tha ndër të tjera Harxhi. 

Ish-presidenti Bujar Nishani pjesë e 'Grupimit për PD' tha se kryetari i ri i zgjedhur i Partisë Demokratike, Lulzim Basha përfaqëson sot minorancën në PD. Sipas tij Basha u zgjodh nga më pak se 30% të anëtarësisë së PD-së.

Për Arben Imamin, themelues i kësaj force politike, Lulzim Basha i mban të fshehta listat e partisë sikur PD të ishte organizatë terroriste.

Kryetari i Komisionit të Apelimit brenda Partisë Demokratike, ish-Sekretar i Përgjithshëm i saj, Arben Ristani, ka thënë se PD është jashtë shtratit ligjor në vend pasi nuk ka zbatuar ligjin 'Për partitë politike' dhe nuk ka dorëzuar në gjykatë ndryshimet në statut.

Ndërkohë që i ashpër ishte edhe Ibsen Elezi kur tha se kreu i PD e ka kthyer këtë forcë politike në gazin e botës, kur denoncon maskaradën e 25 prill duke bërë maskaradë brenda shtëpisë së vet.

Lulzim Basha u shpall të hënën zyrtarisht fituesi i zgjedhjeve të 13 qershorit në PD duke marrë një mandat të tretë për drejtimin e partisë për 4 vitet e ardhshme. Pas fitores, me një postim në Facebook, Basha ka falënderuar të gjithë demokratët, ndërsa shton se do të bëjë gjithçka që "Shqipëria të fitojë". Kreu i Komisionit Zgjedhor në PD, Jemin Gjana, një ditë pas zgjedhjeve për kreun e partisë, zyrtarizoi fitoren e Lulzim Bashës për herë të tretë, ndërsa deklaroi se ka marrë 32,882 vota ose mbi 80% të votave. Pas Bashës më i votuari është Agron Shehaj me 6038 vota, e treta vjen Edit Harxhi me 983 vota, ndërsa i fundit në renditje nga numri i votave të siguruara është Fatbardh Kadilli i votuar nga 781 anëtarë. Nga 75 mijë anëtarë të PD, në zgjedhje kanë votuar 41097 anëtarë, nga këto 413 vota kanë dalë të pavflefshme, kurse të vlefshme 40 mijë vota.

Ora 10:56
Nishani: Basha sot përfaqëson minorancën në PD, u votua nga më pak se 30% e anëtarësisë

Kryetari i ri i zgjedhur i Partisë Demokratike, Lulzim Basha përfaqëson sot minorancën në PD. Ish-presidenti Bujar Nishani pjesë e 'Grupimit për PD' tha se ai përfaqëson më pak se 30% të anëtarësisë së PD-së.

'Është një shqetësim jo vetëm i joni. Besoj se është një shqetësim i shoqërisë. Po evidentojmë s e kemi probleme thelbësore me zgjedhjet në këtë vend. Ngrihet pushteti shfrytëzon të gjithë fuqinë e tij, i vjedh zgjedhjet në favor të pushtetit të vet. Bëhen zgjedhjet në parti ngrihet i pushtetshmi brenda partisë dhe i vjedh zgjedhjet në favor të pushtetit të tij.

Në Korçë bashkia Korçës ku patën mundësi kandidatët të kontrollin pjesërisht pushtetin rezultoi se fitoi vetëm 70%. Në Devoll kryetari i PD deklaroi publikisht se ndihet i turpëruar dhe e bojktoi procesin e votimit pasi nuk anëtarëve u mohua pjesëmarrja. 50% e anëtarësisë fshihet. Një media ka treguar si hidhen 7 fletë votimi në kuti dhe kjo ka ndodhur kudo. Sot përfaqëson minorancën e PD më pak se 30% të anëtarësisë së PD-së.'- tha Nishani.

Ora 10:46
Harxhi nuk njeh Bashën si kryetar: Nuk ishin zgjedhje, u zhvilluan jashtë çdo standardi vendor! Do vazhdojmë të punojmë brenda PD

Kandidatja për kryetare e Partisë Demokratike Edit Harxhi tha se zgjedhjet e 13 qershorit nuk ishin as zgjedhje dhe as zgjidhje dhe jashtë çdo standardi. Harxhi tha se do të vazhdojë që të qendrojë në të njëjtin grupim për të rithemeluar Partinë Demokratike.

'Këto zgjedhje nuk ishin zgjedhje nuk ishin as zgjidhje ishin jashtë çdo standardi vendor, e jo më ndërkombëtar për t'u quajtur zgjedhje. Ne do të vazhdojmë të punojmë brenda PD-së. për të ringritur PD nga A për ta rithemeluar. Nuk ka përfunduar me datën 13 qershor, kjo do të vazhdojë dhe ky grup ka të njëjtin qendrim. Këto nuk ishin zgjedhje. nëse vazhdon që të quhet kryetar partie le të vazhdojë të jetë.'- u shpreh Harxhi.

Ora 10:44
Ibsen Elezi: Na bënë gaz i botës, demaskonte masakrën e 25 prillit duke bërë masakër në shtëpinë e vet

 

Ibsen Elezi, një prej kandidatëve e përjashtuar nga gara në PD, akuzoi Lulzim Bashën se e kanë shndërruar PD-në në gazin e botës.

"Na bënë gaz i botës, si nuk i vjen turp që tallen me partinë e vet. Të paktën ka pasur 1200 vetë gati për fushatë brenda PD me idenë se do të demaskonte masakrën e 25 prillit dhe bën një masakër në shtëpinë e vet. Edhe rezultati nuk është i kënaqshëm" tha Elezi.

 

Ora 10:39
Arben Imami: Basha i mban të fshehta listat e partisë si të ishte organizatë terroriste apo komuniste

 

Arben Imami, ish ministër i PD, themelues i kësaj force politike, akuzoi Lulzim Bashën se i mban të fshehta listat e partisë sikur PD të ishte organizatë terroriste.

"Në vitin 2017 z. Basha ka marrë 25000 vota më pak se në vitin 2021 dhe arsyeja është se zgjedhjet e para 4 vitesh kanë qenë totalisht të montuara. Këto zgjedhje janë përtej njohjes apo mosnjohjes. Kandidatët nuk kanë pasur listat. Edhe sot pasi kanë mbaruar zgjedhjet kandidatët nuk kanë listat e partisë. I them z. Basha që ti nuk je kryetar i një subjekti terrorist, komunist, që i mban të fshehta listat e partisë. Në një parti si PD nuk mund të ketë lista të fshehta të partisë", tha Imami.

Ora 10:38
Ristani: Anëtarëve të PD-së iu mohua e drejta për të votuar, procesi zgjedhor është në kufij të pavlefshmërisë absolute

Ish-sekretari i Përgjithshëm dhe kryetari i Komisionit të Apelimit brenda PD-së, Arben Ristani duke folur për përjashtimin nga e drejta për të votuar e mbi 28 mijë anëtarëve të PD-së për zgjedhjen e kryetarit të ri, tha se procesi është absolutisht i pavlefshëm.

Kjo pasi sipas Ristanit anëtarë të cilëve u është mohuar e drejta për të votuar, nuk kanë mundësi ankimimit, kjo pasi gjykata brenda partisë që shqyrton ankesat ka vetëm kryetarin.

'Kanë të drejtën kushtetuese që t'u jepet një vendim i arsyetuar se pse ty zotëri të mohohet e drejta për t'u zgjedhur çdo shkelje statutore i jep mundësinë çdo anëtari që të ankohen kundër shkeljes statutore. Është një komision që merr përsipër të gjykojë ankesat për shkeljet satutore. Është kompetencë e Gjykatës së partisë. Por çfarë ndodh, gjykata ka vetëm anëtari dhe nuk anëtarët. Nuk realizon dot shqyrtimin e ankimeve. Mohon të drejtën për t'u zgjedhur dhe për të zgjedhur. Të heq të drejtën e ankimit, rrjedhimisht një proces që është në kufij të pavlefshmërisë absolute. Për mua është absolutisht i pavlefshëm.'- tha Ristani.

Ora 10:29
Ristani: Aktualisht PD është jashtë shtratit ligjor, ta kthejmë brenda ligjit! Ndryshimet statutore nuk janë paraqitur në gjykatë

 

Kryetari i Komisionit të Apelimit brenda Partisë Demokratike, ish-Sekretar i Përgjithshëm i saj, Arben Ristani, është shprehur sot se aktualisht PD është jashtë shtratit ligjor në vend pasi nuk ka zbatuar ligjin 'Për partitë politike' dhe nuk ka dorëzuar në gjykatë ndryshimet në statut.

"Pas një përpjekje të gjatë që PD të vendose në shtratin ligjor dhe statutor ne nuk ia kemi dalë. Duke qenë se PD nuk është vetëm aset i demokratëve por i të gjithë shqiptarëve kërkohet një vëmendje e madhe e të gjithë shoqërisë.  PD është jashtë shtratit ligjor sepse nuk ka dërguar në gjykatë ndryshimet statutore dhe ne duhet të përpiqemi që ta kthejmë patjetër në shtratin ligjor", tha Ristani.

 

Ora 10:23
Harxhi: Përjashtimi i 28 mijë anëtarëve të PD-së, shkelja më e rëndë në zgjedhje! Janë kërcënuar disa komisionerë

Ish-kandidatja për kryetare e Partisë Demokratike Edit Harxhi tha se janë përjashtuar 28 mijë anëtarë të Partisë Demokratike dhe kjo është shkelja me madhe e këtyre zgjedhjeve. Teksa evidentoi një numër shkeljesh të kryera në procesin zgjedhor brenda PD-së, Harxhi tha se atyre nuk u është vënë në dispozicion lista e anëtarësisë. Po ashtu Harxhi tha me tej se në disa qendra votimi është votuar pa kartë anëtarësie, ndërkohë që disa komisionerë janë kërcënuar.

'Listat e anëtarësisë nuk u vunë në dispozicion të kandidatëve. Kjo i mohoi të drejtën e votës dhjetëra mijera demokratëve. Përjashtimi i 28 mijë anëtarëve të PD-së është shkelja më e rëndë e këtyre zgjedhjeve. Ka pasur nga ato që kanë shkuar me kartë anëtarësisë të lëshuara nga Azem Hajardi dhe nuk janë pranuar. Pra përveç listës së shkurtuar nga 106 në 75 mijë ka pasur një mungesë shumë të madhe të emrave në listë. Në kundërshtim me çdo normë të Kodit Zgjedhor janë bërë anëtarë të rinj. Disa kanë votuar vetëm me një kontrabilet për të votuar. Në disa qendra votimi ka pasur raste kur kanë votuar pa kartë anëtarësie. Audituesit elektronik përfaqësuesit e kandidatëve nuk janë lejuar të shikojnë nëse ka modifikime në sistem. Në 90% të rasteve vëzhguesit janë kërkuar që të rrinë larg tavolinës së komisionit. Ka pasur raste kur vëzhguesit janë kërcënuar nga anëtarët e komisionit. Disa janë përjashtuar nga komisioni. Nuk është zbatuar rregullorja në lidhje me modalitet e procesit zgjedhor.'- tha Harxhi.

K.T.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Abdulla Dushku: 17/06/2021 07:08

    Nuk ka patur asnjehere pandemi, cdo gje ka qene e sajuar per te bere provat tek njerezit me injeksione

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?