Pas Spiropalit, kundërpërgjigjet
Meidani: Janë shpifje të ulëta

21 Tetor 2013, 11:06| Përditesimi:

  • Share
TIRANE- Pas letrës së Drejtoreshës së Doganave, Elisa Spiropali, ka reaguar edhe ish-shefi i Antikontrabandës Doganore, Denion Meidani.

Një ditë më parë, drejtoresha e Doganave publikoi një letër në të cilën shpjegonte arsyet e shkarkimit nga detyra të Meidanit.

Ndërsa djali ish-presidentit, Rexhep Mejdani, në letrën e tij shpjegon se ndihet krenar për mbiemrin që ka, dhe se shkeljet që përfliten nuk janë gjë tjetër veçse shpifje të ulëta.

Në reagimin e tij, Denion Meidani, i kërkon kreut të Doganave, “të faktojë shkeljet që sipas Spiropalit, i ka bërë ish-shefi i Antikontrabandës Doganore në detyrën e fundit dhe ato paraprake”.

“Shpresoj vetëm që zonja të ketë qenë e aftë të dokumentojë paaftësinë dhe mungesën e profesionalizmit tim gjatë këtij një muaji të shkurtër që unë kam qenë në detyre (dhe akoma më pak kohë nën drejtimin e saj për t’u vlerësuar) kur shifrat dhe fakte flasin për një punë të shkëlqyer të antikontrabandës gjatë kësaj kohe”, shkruan Meidani në letrën e tij.

LETRA E PLOTË E DENION MEIDANIT
Doja t'i bëja me dije zonjës se jam krenar për mbiemrin tim dhe se nuk e kam përdorur askund me apo pa vend dhe nuk i bën aspak nder që mendon se mund te abuzojë duke pretenduar që unë e paskam çdo gjë të dhuruar. Kam studiuar vetëm jashtë ku mbiemri i asnjërit nuk merret parasysh por gjykohet vetëm nga dijet, puna dhe kapacitetet. Kam punuar si në sektorin publik dhe atë privat me rezultate e arritje të dukshme dhe ndryshe nga ajo edhe në doganë nuk jam katapultuar por kam hyrë me konkurrim dhe rezultate. 

Është fatkeqësi që një institucion shtetëror kaq i rëndësishëm ka për titullar një vajzë të paditur e të pamësuar që fshihet mbas arrogancës dhe agresivitetit të saj për të mbuluar defektet që e karakterizojnë. 

Ajo ditën e parë të punës në administratën publike e filloi si Drejtoreshë e Përgjithshme pa patur asnjë eksperience të mëparshme në sektorin privat apo administratën civile që do i duhej minimalisht çdo personi të përgjegjshëm për të kuptuar nivelin e mjaftueshëm të nevojshëm të një detyre shtetërore të këtij kalibri. 

Për akuzat që ka ngritur ndaj meje me paturpësinë me të madhe duke thënë se "...ish-shefi i antikontrabandës s'mjaftohet me shkeljet e shumta që nuk i mban mend, shkon edhe më larg. Si shkelës i regjur i çdo kodi detyre, si në disa detyra të larta ku ka qenë dhe është shkarkuar vazhdimisht, me shkeljet s'ka të sosur...

" Doja të më thoshte se ku i kam këto shkelje të shumta si në detyrën e fundit dhe ato paraprake sepse i konsideroj si shpifje të ulëta dhe asgjë më shumë. Gjithashtu doja të pyesja zonjën se nga cilat detyra jam shkarkuar në vazhdimësi sepse kjo është qesharake dhe nuk i lejohet drejtueses së institucionit ku unë punoj dhe që ka dosjen time të plotë përfshi këtu edhe librezën time të punës. E këshilloj këtë vajzë të nxituar e të papjekur të konsultohet me shpesh me letrat në institucion para se të prononcohen sepse nuk punon më në OJQ. 

Megjithëse institucionalisht nuk i është përgjigjur akoma kërkesës time me shkrim për të më informuar se cila ishte shkelja ime e “Kodit të Etikës” për të cilën më ka pezulluar shoh se po ma kthen në formën e akuzës publike nëpërmjet letrës së saj se paskërkam qenë "pezulluar nga detyra për paaftësi, mungesë profesionalizmi, dëmtim të imazhit të institucionit". 

Shpresoj vetëm që zonja të ketë qenë e aftë të dokumentojë paaftësinë dhe mungesën e profesionalizmit tim gjatë këtij një muaji të shkurtër që unë kam qenë në detyre (dhe akoma më pak kohë nën drejtimin e saj për tu vlerësuar) kur shifrat dhe fakte flasin për një punë të shkëlqyer të antikontrabandës gjatë kësaj kohe. Kemi vënë gjatë këtij një muaji në aq gjoba sa antikontrabanda nuk i kishte vënë ndonjëherë në një vit të tërë kalendarik.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?