Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, është bërë së fundmi shënjestër e akuzave të forta nga portale të afërta me familjen Berisha, duke shënuar një tjetër episod të tensionuar brenda radhëve të opozitës. Pas kritikave të ashpra që mori nga drejtuesi i "Syri.net", Çim Peka, këtë herë është portali “Timoni.al”, i drejtuar nga gazetari Almer Toska, që ka publikuar një editorial të gjatë kundër tij.
Në artikullin me titullin provokues “Belind Këlliçi – zëri i opozitës ditën, mburoja e Ballukut natën: kur drejtësia ndalet para interesave familjare”, portali akuzon Këlliçin për lojë të dyfishtë, duke e paraqitur si opozitar në publik, por të përfshirë në mbrojtjen e interesave të qeverisë në prapaskenë.
“Këlliçi është përpjekur me ngulm të ndërtojë një profil politik si ‘i pakompromis’ me të keqen, si një opozitar që nuk ndalet para askujt dhe që gjoja kërkon të çojë para drejtësisë eksponentët më të korruptuar të qeverisë socialiste. Por kur hetimi prek qeveritaren më të fuqishme të kabinetit, Belinda Ballukun, që rastësisht është edhe një lidhje e afërt familjare e vetë Belindit, sulmi ndalet, e madje shndërrohet në presion ndaj drejtësisë”, shkruhet në editorialin e “Timoni.al”.
Sulmi përforcohet me pretendime për lidhje të drejtpërdrejta familjare dhe konflikte interesi që, sipas portalit, shpjegojnë heshtjen e Këlliçit për çështjen Balluku.
“Sipas burimeve të brendshme dhe raportimeve të përsëritura mediatike, vëllai i Belind Këlliçit ka shërbyer si konsulent pranë Ministrisë së Infrastrukturës në kohën kur ajo drejtohej nga Belinda Balluku. Ky fakt nuk është thjesht një detaj dytësor: është një konflikt interesi i qartë dhe një lidhje që e shpjegon më shumë se çdo gjë tjetër sjelljen e Këlliçit në këtë aferë", vijohet më tej.
Editoriali kulmon me një akuzë që shkon përtej një figure individuale, duke e lidhur emrin e Këlliçit me krizën e thelluar të besimit brenda opozitës shqiptare: “Belind Këlliçi sot nuk është më thjesht një politikan i ri me retorikë të fortë. Ai është një simbol i krizës së besimit që ka përfshirë opozitën shqiptare. Një figurë që përdor drejtësinë si kartë politike dhe interesin publik si dekor për mbrojtjen e interesave private”.
Kjo përplasje publike, e nisur nga Çim Peka dhe e përshkallëzuar tashmë edhe nga portale pranë familjes Berisha, duket se reflekton një gjendje të rëndë besimi brenda kampit opozitar, ku akuzat për "armiq të brendshëm" po bëhen më të zëshme se ato ndaj kundërshtarëve politikë. Rasti i Belind Këlliçit është një shembull i qartë i kësaj paranoje që po gërryen kohezionin e brendshëm të Partisë Demokratike. /TemA
Komente
