TIRANË- Deklarata e djeshme e Donald Trump ku sulmonte filantropistin George Soros me të birin Alex, se janë përfshirë në protesta të dhunshme, mjaftoi që Sali Berisha të krenohet me qëndrimet që ka mbajtur kundër ‘armikut’ të tij. Kreu i PD, i kushtoi një konferencë të posaçme deklaratës së Trump duke e konsideruar një akt historik kërkesën e tij që George dhe Alex Soros të hetohen nën ligjin federal RICO, që parashikon ndjekje penale për pjesëmarrje në organizata kriminale. Kështu Berisha kujtoi edhe qëndrimet e tij kundër Soros, të cilin e akuzon edhe për shpalljen e tij non grata.
"Ditë e madhe në histori. Personi që loboi për ‘non gratën’ time subjekt i RICO-s. Personi që firmosi nuk hyn dot në asnjë ndërtesë federative të vendit të tij. ‘Non grata’ në çdo ndërtesë. Si një mashtrues i madh publik dhe nuk dihet se si do shkojë se ka bërë një mashtrim të tmerrshëm të kombit të tij. Ka arritur të mbledhë firmat e 51 personaliteteve më të larta të sigurisë së SHBA-së, duke u betuar si mashtrues ordiner, se Hunter Biden nuk ka patur në jetën e tij në dorë laptop dhe laptopin e kanë hedhur rusët. E kupton. Si të duken ty këto zhvillime, me thuaj pak. Këto për mua janë zhvillime të jashtëzakonshme, jo vetëm personale, por për mbarë SHBA-të, partnerët e tyre dhe mbarë botën", tha Berisha.
8 vite më parë, tha Berisha, “ e kam shpallur Soros monstër të njerëzimit”. Kreu i PD tha e ka kërkuar shpalljen e tij non grata në Shqipëri, pasi e akuzon se përdori të gjithë fuqinë e tij politike në mbështetje të ‘organizatës kriminale’ të Ramës.
“Unë vij sot edhe për të rikujtuar se 8 vite më parë e kam shpallur Sorosin një monstër të njerëzimit. I kam kërkuar publikisht Senatit dhe Kongresit të SHBA që të ndalojnë me ligj veprimtarinë e tij kriminale, antidemokratike jashtë SHBA. Të njëjtën kërkesë i kam paraqitur publikisht edhe Parlamentit Europian.
Për Shqipërinë, e kam konsideruar dhe e konsideroj atë një armik të egër të demokracisë shqiptare. E vërteta është se po në këtë fjalë publike, unë kërkova shpalljen e tij non-grata. Gjatë këtyre viteve ai përdori të gjithë fuqinë e tij politike, monetare kundër demokracisë në Shqipëri, në mbështetje të një organizate kriminale që kryesohet nga Edi Rama”, tha Berisha.
Berisha e akuzoi edhe mbështetës të tij ishin hartues të reformës në drejtësi dhe se Soros mbështeti dhunimin e zgjedhjeve në 2021. Por, teksa u kujdes të nënvizojë deklaratat e tij kundër Soros, Berisha harroi se si kohë më parë jo vetëm e lavdëronte Soros, por përmes një letre edhe e falënderonte për fitoren e PD.
Në letrën e tij, Berisha asokohe përmend ndihmën konkrete që Fondacioni i Shoqërisë së Hapur kishte dhënë për shtypin demokratik shqiptar, duke dërguar 120 tonë letër për botimin e gazetave opozitare.
“Mbështetja juaj ishte shumë e nevojshme. Nuk ka dyshim se ndihmesa juaj ishte një çelës për fitoren tonë demokratike”, shkruante Berisha, duke e ftuar Sorosin që të vizitonte Shqipërinë si “mik personal”.
Letra e Berishës për Soros
Komente
