Ilustrim i ushtarëve ukrainas dhe rusë

Bota

Pas telefonatës Putin-Trump, Rusia dhe Ukraina shkëmbejnë akuza për sulmet në infrastrukturë

19 Mars, 09:08| Përditesimi: 19 Mars, 09:22

  • Share

Rusia dhe Ukraina akuzuan njëra-tjetrën të mërkurën për nisjen e sulmeve ajrore që shkaktuan zjarre dhe dëmtuan infrastrukturën vetëm disa orë pasi udhëheqësit e tyre ranë dakord për një armëpushim të kufizuar për të ndaluar sulmet në infrastrukturën energjitike, sipas Reuters.

Presidenti rus Vladimir Putin ra dakord të ndalonte përkohësisht sulmet ndaj objekteve energjetike të Ukrainës, por nuk pranoi të miratonte një armëpushim të plotë 30-ditor të kërkuar nga homologu i SHBA Donald Trump në bisedën telefonike që zhvilluan të martën.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ra më herët dakord me propozimin e SHBA-së për një armëpushim 30-ditor dhe më pas mbështeti armëpushimin e kufizuar për objektivat e energjisë. Por pasi Rusia nisi sulmet e saj ajrore herët të mërkurën, Zelensky i kërkoi botës të bllokojë çdo përpjekje të Moskës për të zvarritur luftën.

"Rusia po sulmon infrastrukturën civile dhe njerëzit - pikërisht tani," tha Andriy Yermak, shefi i shtabit të Zelensky.

Autoritetet rajonale në Sumy në verilindje të Ukrainës thanë se sulmet me dron të Rusisë dëmtuan dy spitale atje, duke mos shkaktuar lëndime, por duke detyruar evakuimin e pacientëve dhe stafit të spitalit.

Zelensky tha se Rusia lëshoi ​​më shumë se 40 dronë kundër Ukrainës në orët pas telefonatës midis Trump dhe Putin.

Ushtria ukrainase tha të mërkurën se njësitë e saj të mbrojtjes ajrore rrëzuan 72 nga 145 dronët e lëshuar nga Rusia në sulmet gjatë natës.

“Sulmi rus preku rajonet Sumy, Odesa, Poltava, Dnipropetrovsk, Kiev dhe Chernihiv”, tha ushtria në Telegram.

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se Parlamenti i dalë nga zgjedhjet e 11 majit do të jetë më cilësor?