Një raund i ri bisedimesh që synojnë zgjidhjen e një lufte tregtare midis SHBA-së dhe Kinës është planifikuar të zhvillohet në Londër sot. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të premten se një delegacion i lartë amerikan do të takohet me përfaqësuesit kinezë.
"Sekretari i Thesarit i SHBA-së, Scott Bessent, Sekretari i Tregtisë Howard Lutnick dhe Përfaqësuesi i Tregtisë Jamieson Greer do të takohen me zyrtarë kinezë në Londër", shkroi Trump në rrjete sociale.
Lajmi u konfirmua pasi Trump dhe udhëheqësi i Kinës Xi Jinping patën një bisedë telefonike javën e kaluar, të cilën presidenti amerikan e përshkroi si një "bisedë shumë të mirë".
Të shtunën, ministria e jashtme e Kinës tha se zëvendëskryeministri He do të ishte në Mbretërinë e Bashkuar midis 8 dhe 13 qershorit dhe se do të zhvillohej një takim i "mekanizmit ekonomik dhe tregtar Kinë-SHBA".
Muajin e kaluar, dy ekonomitë më të mëdha në botë ranë dakord për një 'armëpushim' të përkohshëm për të ulur taksat e importit për mallrat që tregtohen midis tyre, por që atëherë të dy vendet e kanë akuzuar njëri-tjetrin për shkelje të marrëveshjes.
Trump po ndjek që nga marrja e detyrës një kurs të ashpër në politikën tregtare ndaj Kinës. Republikani madje i rriti tarifat doganore ndëshkuese ndaj importeve kineze në SHBA deri në shifrën marramendëse prej 145 përqindësh, të cilave Pekini iu përgjigj me kundër-tarifa doganore.
Komente
