FIER- 587 kuti të qarkut Fier nga zgjedhjet e 11 majit do të numërohen nga e para. Njëlloj si me Tiranën, Partia Demokratike shfrytëzoi dy anëtarët e saj në Komisionin e Ankesave në KQZ për të hapur të gjitha kutitë, edhe për qarkun e dytë më të madh në vend, Fierin, që prodhon 16 deputetë.
“Me kërkesë të dy anëtarëve të KAS, i kërkohet administratës që të këqyrë të gjitha kutitë e votimit të qarkut Fier, për subjektet zgjedhore dhe kandidatët për votat brenda vendit si në rastin e qarkut Tiranë. Kështu që merrni masat, me mbarimin e qarkut Tiranë, të vazhdojë me këqyrjen e kutive të votimit të qarkut Fier. Seancën e radhës dhe orën do ta lëmë në varësi të përgatitjeve që do administrata për të organizuar këtë proces”, u shpreh Elvin Lako, anëtari i PS në KAS.
Rinumërimi i të gjithave votave të Fierit do të bëhet pas atyre të kryeqytetit nga administrata e KQZ-së. Më 11 maj, në këtë qark votuan rreth 200 mijë zgjedhës, dhe numërimi i këtyre fletëve do të bëhet dy herë, edhe për votën e partisë, edhe për atë të kandidatëve.
Në Fier PD mori vetëm 4 mandate, kundrejt 12 të tjerëve që fitoi Partia Socialiste. Koalicioni i ‘Nisma Shqipëria Bëhet’ e Adriatik Lapajt, ishte shumë afër marrjes një mandati në këtë qark, por e humbi për një grusht votash.
Me vendimin e fundit të KAS, deri më tani ka shkuar në 1,914 numri i kutive që është vendosur të rihapen dhe të numërohen, nga 5225 në të gjithë vendin. PD beson se aty ka prova që vërtetojnë sipas saj krimin elektoral. Deri më tani, kutitë që janë hapur kanë konfirmuar se nuk ka pasur deformim të rezultatit.
Hapja e kutive mund të bëhet edhe nga pakica e anëtarëve të KAS, por ku vjen momenti i shpalljes së zgjedhjeve të pavlefshme, apo përsëritjen e tyre, vendimet merren me shumicë.
Kështu KAS, me votat e 3 anëtarëve të shumicës ka lënë në fuqi zgjedhjet e 11 majit për Kukësin, Lezhën, Gjirokastrën dhe Korçën, qarqe ku PD nuk pati pretendime për rinumërim.
Ky është një proces që mund të marr shumë kohë, pasi vetëm për Tiranën KQZ ka deklaruar se duhen të paktën 10 ditë kohë për t'u pregatitur për procesin.
Komisioni i Sanksioneve dhe Ankesave është mbledhur ditën e sotme për të shqyrtuar ankimimet në rend ditë të shtyra nga seancat e kaluara, të depoziuara nga PD-ADSHM, e cila kërkoi pavlefshmërinë dhe përsëritjen e zgjedhjeve në të 12 qarqet e vendit.
Në rend ditë ishte Shkodra e para, teksa përfaqësuesi i opozitës u dëgjua për pretendimet e tij. Marash Logu u shpreh se janë gjetur parregullsi të theksuara, sidomos tek të dhënat PEI, vota e diasporës dhe referimi i votave në procesverbale, përveç atyre që ishin dorëzuar më parë si përdorimi i administratës, asfalti elektoral i qeverisë, patronazhistët dhe blerja e votave.
"Ka raste kur qytetarët kanë votuar edhe nga dy herë. Ne duam të na vihen në dispozicion edhe pamjet filmike nga KQZ", u shpreh mes të tjerash Logu.
Pretendimet e Logut u kundërshtuan me forcë nga ana e administratës së KQZ-së, ku drjtoresha Pavlina Doçaj u shpreh se “janë të pabaza”, pasi tabela e Shkodrs është certifikuar nga KQZ pa asnjë ankimim nga numëruesit apo komisionerët e opozitës. Ajo tha se nuk janë gjetur parregullsi që të çojnë në përsëritje apo pavlefshmëri zgjedhjesh.
Të njëjtin pretendim dha edhe përfaqësuesja ligjore e PS-së, Elena Xhina, që kërkoi rrëzimin e ankimimit të PD-së.
KAS pasi dëgjoi palët vendosi që mbledhja të shtyhej për ditën e mërkurë, në orën 10:30, duke i kërkuar Logut që të dorëzonte provat konkrete mbi shkeljet që pretendonte, nëpërmjet verifikimit që do i bëheshin pamjeve, të cilat më pas do shqyrtoheshin nëse ishin të vërteta apo jo.
Komente

Te shikohet vota dhe ne Kosove ka komisioni zgjedhore dhe kas
Përgjigju