Ka “kërcyer” sërish borxhi publik i Shqipërisë në tre muajt e parë të vitit 2010. Pasojat e tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar, por edhe fillimi i pasojave të pandemisë botërore të koronavirusit, ka bërë që të rikthehet rritja e borxhit publik, jo vetëm në shifra nominale, por edhe ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Sipas statistikave zyrtare të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në fund të muajit mars 2020, shteti shqiptar kishte borxh një shifër prej 1 trilion e 161 miliardë e 839 milionë lekësh, të barabartë në valutë me 9.4 miliardë euro. Kjo shifër përbën një rritje prej 50 miliardë lekësh në 90 ditët e para të këtij viti, krahasuar me fundin e vitit të kaluar.
Në këto statistika, Financat vlerësojnë se ky nivel përbën në vlerë një shifër prej 66.71 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Por ky vlerësim bazohet në prognozën e një Prodhimi të Brendshëm Bruto në masën e 1 trilion e 741 miliardë e 639 milionë lekëve, parashikim që është bërë nga qeveria për PBB-në në fund të vitit të kaluar, kur ende nuk kishte “trokitur” pandemia.
Por kjo shifër, sipas vlerësimeve aktuale të Fondit Monetar Ndërkombëtar, duhet të korrigjohet në një ulje të fortë prej 5 për qindësh, çka do të thotë që planifikimi për Prodhimin e Brendshëm Bruto të vendit do të duhej të jetë jo aq, por 1 trilion e 654 miliardë e 557 milionë lekë.
Në këtë korrigjim të dytë, që në fund të tremujorit të parë duket se raporti i borxhit të përgjithshëm publik kalon në mbi 70 për qind. Ky ka qenë edhe vlerësimi i FMN dhe Bankës Botërore për rritjen e borxhit publik të Shqipërisë.