Në Partinë Demokratike vazhdojnë sloganet anti-komuniste dhe po ashtu edhe nga mëtonjësit e saj nuk rreshtin diskurset ose thirrjet kundër “të kuqve” për të mbledhur vota edhe në vitin 2021! Nuk bien më poshtë edhe njerëzit e Partisë Socialiste që edhe pse i ka marrë të gjithë infrastrukturën Partisë së Punës në ligjërimin publik e përdor njësoj anti-komunizmin.
Kjo utopi e paarritur dhe absurde, mënyra sesi iu shërbye popullit, ishte aq e ndërlikuar saqë e ndiqnin më shumë pikërisht ata që nuk e kuptonin bash më mirë. Ashtu si në Luftën Anti-fashiste ata që ishin në Partinë Komuniste në jo pak raste nuk kishin as konceptet më të thjeshta për idetë, platformën e marksistëve të asaj kohe për të mos thënë që nuk njihnin konceptet bazë të teorisë së Marksit. Megjithatë zhgënjimi më i madh komunizmit i erdhi nga vetë idetë në dekadat e gjysmës së dytës të shekullit XX, pasi jo vetëm i zhgënjeu njerëzit hapur në aspektin material, që lidhej me premtimin e vazhdueshëm për mirëqenien e afërt por me mundësitë dhe praktikat e dhunshme politike ata vetë diskretituan pretendimet e tyre morale, shkruajnë politologët. Ndërkohë që në formë më pragmatiste, ndërsa ekonomia socialiste po merrte të tatëpjetën, Tregu i Lirë filloi të përshtaste modele socialiste në shërbim të politikës së vet!
Sloganet e mirëqenies që mbushnin ballinat e pallateve të varfra të banimit ishin viktimizimi më i madh i komunizmit. “Utopia shtrënguese me siguri do të kishte zgjatur më shumë, mbase edhe për mjaft kohë në shekullin tjetër (Lexo XXI), sikur të kishte arritur të plotësonte aspiratat minimale materiale të njerëzimit”, provokon politologu Zbignjev Bërzhinski, që shpjegon me këtë rast edhe faktin sesi njerëzit duke iu nënshtruar natyrës humane, në fakt iu nënshtruan fatit për të jetuar pa u ndjerë nën regjimet totalitare. Shqipëria jonë është rasti më i mirë por edhe më i dhimbur ndërkohë. Po pse nuk reagohej? Pse nuk kuptohej si duhet ky realitet? Tashmë është fare e lehtë të ulesh dhe të bësh deduksione inteligjente nga katedra shkencore dhe në artikuj pa demonin përballë, por një gjë dihet mirë: inxhinieria sociale e kishte shndërruar publikun në çdo qelizë, e ndaj po i bindej pafjalë. Ata të pakët që guxuan morën përgjigje shembullore nga vetë njerëzit e tyre dhe bashkë me ta edhe i gjithë regjimi që më egërsinë e vet mbylli çdo shteg të dashur lirie.
“Më saktë, reagimet instiktive, gjërat që pëshpëriteshin në mirëbesim, ndjenjat e ngulitura fetare dhe ndjenjat e fyera kombëtare u shkrinë në një mohim të përgjithshëm të utopisë shtrënguese”, shprehet Bërzhinski te “Jashtë kontrollit” dhe shpjegon më poshtë edhe metamorfozën drejt kalimit në demokraci të shumë vendeve të Lindjes, që sot lënë shumë për të dëshiruar. Po pse reagimi i pakët po ndikon edhe në demokracinë e sotme? Pasi mënyra e të bërit politikë dhe kuptimi i demokracisë tek ne është ende në aspektin parapolitik, ku formacionet që dolën për të konkurruar Partinë e Punës në vitet ’90 më shumë ishin grupime, që shpejt do shfaqeshin ashtu si ishin: pa ndonjë identitet të qartësuar ideologjik, me një këndvështrim shumë të amullt të së shikuarës edhe me modele të munguara. Tek e fundit, një emër nuk e bën partinë është partia që e bën emrin. Po pse vallë kjo pas-utopi nuk kishte akumuluar ide për mënyrën e zhvillimit të vendit, apo parimet politike ku do mund të mbështetej më mirë?! Pse të gjithë këto dekada nuk dhanë diçka më shumë të paktën në edukimin e politikanëve tanë? Një përgjigje të vjen nga literatura sërish: vetë qytetarët panë se ideali i demokracisë liberale evropiane po kthehet në një utopi të tipit shtrëngues, ku idealet dhe premtimet janë në stade tejet të paarritshme për njerëzit. Dhe, jo më kot, qytetarët në të gjithë kontinentin prej nga Portugalia deri në thellë në Lindje jo thjesht janë të zhgënjyer por nuk e besojnë politikën për të mos thënë se kanë kaluar krejt e në fazën e indiferencës totale. Me gjithë angazhimin e madh dhe apelet për votimin, Shqipëria prej disa zgjedhjeve nuk arrin të kapë as edhe 50% e përfaqësimit. Partitë janë kthyer në grupime tejet të mbledhura ku nuk kanë vend njerëzit që mendojnë me ideologji por thjesht militantët bosh. Dhe, kjo i bën populistët e gënjeshtërt të na shfaqen ngado me parulla ndryshimi dhe mund t’i shikosh në të gjithë kontinentet. Njerëzit tashmë ashtu kanë tejet rezerva për socialistët, ata janë të mërzitur nga vetë çka u thuhet nga ana tjetër për Liberalët dhe kauzën e tyre. Në këtë amulli njerëzit e zakonshëm e kanë fare të vështirë të formojnë një kulturë politike demokratike pasi njerëzit e parë që kundërshtojnë me arsye janë vetë atyre që u delegohet vota: ligjvënësve tanë. Duke vepruar në mënyrë parapolitike e më shpesh akoma në mënyrë aspak demokratike ata po e vrasin ngado demokracinë.
“Një instinkt demokratik vetjak nuk është i njëjtë me një kulturë politike demokratike…. Në përgjithësi njerëzit nuk e kanë dashur demokracinë për hir të saj apo për hir të angazhimit ndaj një ideali politik. Në shumicën dërrmuese ata që janë përpjekur aktivisht për demokracinë-në kuptimin e mirëfilltë të rregullit nga masat-e kanë dashur atë si mjet për të rritur përpjesën e tyre në sundimin politik dhe për të dobësuar pushtetin dhe autoritetin e atyre që sundojnë faktikisht. Demokracia ka qenë armë e të varfërve të shumtë kundër të pasurve të pakët qysh kur ajo bëri krye në Athinën e Lashtë. Përbërësi liberal, atje ku ka ekzistuar, ka qenë orvatje për të fituar mbrojtje kundër akteve arbitrare ose nga ana e të varfërve të shumtë, ose nga ana e të paktëve sundues”, shprehet Barrington Moore Junior në leksionin për Universitetin Kolumbia më 1989 cituar nga Zbignjev Bërzhinski
Por sot në formë zhgënjyese edhe vetë ky stad i Liberalizmit po përballet me humbjen e interesit, pasi oferta është tejkaluar bindshëm, kurse Disfata e utopisë shtrënguese komuniste që përmbante dikur dhe premtim dhe rrezik, tashmë edhe si mësim është një ide relike, që pakkush e kujton ose mundohet ta veshë më një fanellë të re, e cila nuk i qëndron trupit normal. Po u zbatua premtimi, na flet sërish Bërzhinski, hapet udhë për një sintezë në shkallë botërore të ideve demokratike, lindur me një forcë të tillë rrëmbyese si dikur në Amerikë e Francë rreth 200 vite më parë…anipse edhe kjo është një utopi e lodhshme, pasi çka i duhet realisht botës është një gjë e paqartë sepse tashmë jemi përballë një makthi të vërtetë… demokratik. (Homo Albanicus)