Pasi fituan të drejtën për kryerjen e merkatos nga FIFA, tashmë Partizani mund të aktivizojë në lojë edhe sulmuesin Eraldo Cinarin.
Është vetë klubi i të kuqve që ka bërë me dije një lajm të tillë përmes një postimi në Facebook.
Sipas klubit të Partizanit, periudha e pezullimit konsiderohet e shlyer dhe tashmë Çinari ka fituar të drejtën për të luajtur.
Ky i fundit u bë shkak i pezullimit të merkatos nga ana e FIFA-s më 16 korrik për shkak të parregullsive me transferimin e sulmuesit.
Futbollisti shkodran erdhi në vitin 2018 në klubin e kuq pasi kishte kaluar një eksperiencë tek Istra në Kroaci dhe është pikërisht klubi kroat që ka ankimuar procedurat e transferimit dhe që ka fituar gjyqin në FIFA.
Gjithashtu, organi më i lartë i futbollit botëror gjobiti Partizanin me 80 mijë euro ndërsa futbollistin e pezulluan për 4 muaj nga çdo aktivitet sportiv.
Njoftimi i plotë i Partizanit:
FK Partizani njofton se pas korrespondencave të vazhdueshme me FIFA-n, kjo e fundit ka pranuar kërkesat e klubit për të lejuar aktivizimin e lojtarit Erald Çinari, me efekt të menjëhershëm. Për sulmuesin e kuq periudha e pezullimit konsiderohet e shlyer dhe tashmë Çinari ka rifituar të drejtën për të luajtur ndeshje zyrtare me Partizanin.