Pashaqofte me mish të grirë dhe salçiçe
Përbërësit:
- 300 gr mish i grirë
- 100 gr salçiçe e freskët
- 1 kokërr vezë
- 1 karrotë
- 2 lgj bishta qepësh të njoma
- 1 hudhër e shtypur
- 1 lgj kopër e grirë
- 2 lgj oriz
- 2 lgj bukë e grirë
- Kripë, piper i zi, piper i kuq
Për salcën:
- 1 vezë
- 1 lgj miell
- 500 ml lëng mishi
- 1 limon (lëngu dhe lëkura)
- Kripë, piper, kurkumë
- Majdanoz / Kopër
Përgatitja:
Në një tas të madh bashkojmë mishin e grirë, salçiçen e freskët të grirë, karrotën, bishtat e qepës së prera imët (të cilat i kemi kaurdisur pak), vezën, koprën, orizin, hudhrën e shtypur, kripën, piperin dhe lëkurën e limonit. Në fund shtojmë bukën e grirë dhe e punojmë mirë brumin me dorë, derisa masa të bëhet e njëtrajtëshme. Përzierjen e lëmë rreth 20 minuta në frigorifer dhe më pas me duar të lagura formojmë qofte të vogla, si kokrra arre ose pak më të mëdha sipas dëshirës. Qoftet e formuara i skuqim lehtë në vaj ulliri ose mund t'i ziejmë direkt në lëng mishi. Përgatisim salcën: në një tas hedhim miellin, vezën, lëngun e limonit dhe kurkumën dhe e përziejmë mirë derisa të bëhet një masë homogjene. Shtojmë ngadalë pak lëng mishi, duke e përzier që salca mos bëhet me kokrriza. Qofteve te skuqura në tigan u shtojmë lëngun e mishit dhe më pas salcën me limon e kurkumë për t'i dhënë shije dhe ngjyrë. I lëmë të ziejnë për 15-20 minuta në zjarr të ulët, derisa të jenë gatuar mirë dhe salca të jetë trashur pak. Në fund e aromatizojmë me kopër ose majdanoz të grirë.
Komente
