'Pashë dhëmbë të mëdhenj të bardhë që vinin drejt meje dhe...', dëshmitë e njerëzve që i mbijetuan sulmeve të tmerrshme të kafshëve të egra

4 Janar 2022, 11:00| Përditesimi: 4 Janar 2022, 11:47

  • Share

Edhe pse rrallë, sulmet e kafshëve të egra ndaj njerëzve nuk mungojnë. Hulumtimet nga revista shkencore "Nature" zbuluan se teksa zonat urbane zgjerohen më tej në territoret e kafshëve të egra, sulmet ndaj njerëzve po shtohen. Në Kashmir, departamentet lokale të kafshëve të egra kanë raportuar një rritje të dukshme të sulmeve , me pothuajse 200 njerëz të vrarë dhe më shumë se 2,000 të tjerë të plagosur që nga viti 2011.

Nga një shtetas britanik i sulmuar nga lundërza në Singapor, tek sulmet nga majmunët në Tajlandë , sulmet me ketra në Nju Jork dhe një njeri që luftoi një krokodil me një thikë xhepi në Queensland, këto sulme shkojnë përtej imagjinatës sonë. Por si është t'i mbijetosh një sprovë të tillë dhe si ndikon në jetën tënde? Ja çfarë tregojnë personat që kanë kaluar një përballje të tillë të frikshme.

Anne Hjelle, 48 vjeçe, Orange County, Kaliforni

Një ditë në janar 2004, i dërgova mesazh shoqes sime Debi për të parë nëse ajo donte të dilnim xhiro me biçikletë. Po ecnim me shpejtësi me biçikletë, kur papritmas pashë siluetën e një kafshe, fillimisht mendova se ishte një dre, por kur u afruam kuptova se ishte një luan. Kafsha kërceu dhe më kapi. Më mbërtheu mbi supet dhe u përpoq të më kafshonte në pjesën e pasme të qafës. Më dukej sikur u godit nga një kamion. U përpoqa ta godisja me grushte, por ishte e kotë, kafsha më tërhoqi zvarrë poshtë në luginë, më kafshoi n fytyrë, isha e bindur se ishin minutat e fundit të jetës sime. Shoqja ime bërtiste dhe u afruan edhe njerëz të tjerë që filluan t'i gjuanin me gurë dhe më pas kafsha më lëshoi. Mbaj mend që isha shumë e tronditur që u zgjova dhe që luani ishte larguar. Isha e mbytur ne gjak, kisha frikë se nuk do mund të shihja nga syri i majtë, por fatmirësisht nuk ishte dëmtuar. Kam ndenjur 6 orë në operacion dhe sot veç shenjës ende në fytyrë nuk kam pasoja të tjera. Isha me shumë fat.

Rodney Fox, 81, Adelaide

Në moshën 22-vjeçare, unë isha fituesi i kampionatit të Australisë Jugore të peshkimit me shtizë, duke mbajtur frymën dhe duke gjuajtur me heshta një shumëllojshmëri peshqish. Po përpiqesha të rifitoja titullin tim në vitin 1963, jashtë plazhit të Aldingës. Pas tre ose katër orësh, më duhej të kapja disa specie të veçanta, kështu që notova një rrugë të gjatë në det të hapur, ku nuk kishte qenë asnjë nga konkurrentët e tjerë dhe u zhyta në fund. Sapo isha gati të tërhiqja këmbëzën mbi një peshk vërtet të çmuar kur një gjë e madhe më goditi në krah. Më hoqi armën nga duart dhe maskën nga fytyra ime dhe unë u tërhoqa zvarrë nëpër ujë shpejt.

Fillimisht mendova se isha goditur nga një nëndetëse, por më pas kuptova se ishte një peshkaqen gjigant i bardhë. Unë u rrotullova rreth kokës së tij duke u përpjekur të shpëtoja nga dhëmbët e tij dhe shpëtova.

Isha 30 ose 40 metra nën ujë dhe kuptova se do të mbytesha nëse nuk lëvizja. Kështu që u largova dhe u ngjita në sipërfaqe, pastaj shikova poshtë përmes ujit të kuq të gjakut dhe pashë dhëmbë të mëdhenj të bardhë që po ktheheshin drejt meje. E godita me shqelm sa të mundja peshkaqenin, por vetëm e preka. Ai u kthye dhe më kafshoi te shpatulla dhe krahu. Më tërhoqi përsëri nën ujë. Duart i kisha të copëtuara. E dija se brenda pak minutash do të mbytesha, por fatmirësisht peshkaqeni u tërhoq dhe një varkë erdhi menjëherë drejt meje. Frika e vdekjes mbizotëronte dhimbjen. E dija se kisha bërë më të mirë, tani u takonte shpëtimtarëve të mi të përpiqeshin të më shpëtonin.

Në ato ditë nuk kishte mikrokirurgji, kështu që më bënë 29 qepje në mushkëri për të mbyllur qeskën pleurale dhe çdo brinjë në anën e majtë më ishte thyer. Kam pasur 462 qepje në gjoks gjithsej, pasi të gjitha organet e mia ishin të ekspozuara. Mjekët thanë se ishte sulmi më i keq i peshkaqenëve që kishin parë. Vetëm shtatë muaj pas sulmit arrita të marr veten.

Leah Hiller, 42 vjeç, Minesota

Babai im ka një kabinë në një zonë të largët në Island Lake, Minesota, ku ne shpesh kalonim pushimet. Në korrik të vitit 2012, kur isha 31 vjeç, qëndroja atje ndërsa stërvitesha. Bashkëshorti dhe dy fëmijët, të cilët në atë kohë ishin 4 dhe 2 vjeç, ishin me mua. Një mëngjes, shkova për notin tim të zakonshëm. E kisha bërë 100 herë më. Gjithçka po shkonte mirë.

Në Island Lake, uji ka ngjyrën e rumit të errët, kështu që kur dora futet në ujë, nuk mund të shohësh përtej bërrylit. Nuk e di se çfarë është poshtë. Unë isha duke u kthyer në breg kur u kafshova në thembër. Ishte një dhimbje vërtet e mprehtë. Në fillim mendova se ishte një peshk i madh. Më diçka më kapi këmbën dhe filloi të më kafshonte.

Kisha dhimbje dhe isha në shok. Rreth 20 metra larg, një kokë doli për të më parë dhe kuptova se ishte një vidër. Unë jam një adhuruese e kafshëve dhe nuk e kisha menduar kurrë që lundërza do të sulmonte dikë. Gjatë 10 minutave të ardhshme, unë bërtita dhe kërkoja ndihmë. Lundërza vazhdoi të sulmonte sërish. E dija që nuk mund ta kaloja dhe përpiqesha të mbroja qafën, sepse, nëse do të më godiste atje, do të isha mbytur.

Këto pickime të mprehta e të nxehta vinin nga çdo kënd dhe më kafshoi 25 herë. Disa prej tyre ishin dy centimetra të thella dhe një më shpoi kockën e kyçit të këmbës. Vazhdova të bërtisja dhe më në fund babai më dëgjoi. Iu deshën 10 minuta të vinte te unë. Shkuam direkt në spital ku mjekët ishin të shqetësuar se vidra mund të kishte tërbim. Meqenëse kisha 25 plagë të hapura, më duhej të merrja një injeksion të tërbimit në secilën prej tyre. Pavarësisht kësaj, unë sot notoj akoma në liqen.

Colin Dowler, 47 vjeç, Vankuver, Kanada

Në verën e vitit 2019, po eksploroja rrugë të mundshme ecjeje për t'u ngjitur në malin Doogie Dowler në 'Kolumbinë' Britanike. Po ecja me biçikletë në një shteg të ngushtë kur vura re një ari të murrmë. Kisha parë dy-tre arinj të zinj më parë dhe, zakonisht, nëse bën ndonjë zhurmë, ata largohen. Por kjo ishte hera e parë që pashë një ari që nuk largohej, por po më shikonte.

Unë zbrita nga biçikleta, pasi ai nuk lëvizte. Po shikoja me cep të syrit dhe vura re se po vinte drejt meje dhe ishte vetëm disa metra larg. Filloi të më shtynte me putrat e tij. Çdo goditje bëhej më agresive derisa ngriti putrën lart. U hodh përpara dhe i zhyti dhëmbët midis brinjëve dhe ijëve të mia në anën e majtë dhe shpejt u futa në gojën e ariut ndërsa më çoi 30 ose 40 metra drejt një shkurreje. Kisha dhimbje të tmerrshme. Më mbërtheu dhe filloi të më kafshonte dhe të më shqyente kofshën. Ishte aq e dhimbshme.

Fillova t'i them lamtumirë gruas dhe fëmijëve në kokën time dhe u ndjeva në faj që e kisha bërë këtë udhëtim. Pastaj kujtova se kisha një thikë xhepi. Më duhej të përdorja të dyja duart dhe e godita ariun në qafë me gjithë energjinë që kisha. Kur nxora thikën, ai ngriti kokën lart dhe një rrjedhje e madhe gjaku më spërkati në bel. Kafsha u largua nga unë dhe u rikthye në shkurre nga ku kishte dalë.

E dija se duhej të lëvizja shpejt, përndryshe do të vdisja nga gjakderdhja. U tërhoqa zvarrë drejt biçikletës sime, mblodha mendjen dhe fillova të pedaloj me njërën këmbë për rreth 45 minuta, derisa më në fund pashë një kabinë druri. Dera ishte e hapur dhe unë u përplasa në shkallët e tyre, duke bërtitur për ndihmë. Falë Zotit, atje ishin pesë djem që më ndihmuan. Kisha 60 plagë dhe mu deshën 40 ditë që të ngrihesha e të ecja sërish.

Kristen Yaldor, 41 vjeç, Odessa, Florida

Burri im, Ryan, dhe unë vendosëm të shkonim në Victoria Falls për ditëlindjen time të 37-të në vitin 2018 dhe të bënim një udhëtim me kanoe poshtë lumit Zambezi atë ditë. Moti ishte i mrekullueshëm dhe temperatura ishte perfekte. Për sa i përket sigurisë, udhërrëfyesit thjesht thanë që nëse bie jashtë, noto deri në breg sa më shpejt që të mundesh. Ne e neglizhuam, jemi nga Florida dhe jemi mësuar me ujin, kështu që nuk mendonim se do të binim në ujë.

Kishte tre kano gjithsej, e para kishte një guidë dhe një tjetër turist, kanoja e dytë isha unë me Ryan pas dhe e treta ishte një guidë tjetër. Ne sapo ishim nisur kur një udhërrëfyes na tha se kishte parë një grup hipopotamësh përpara, kështu që duhet të kthehesim. Ne po vozisnim majtas dhe unë hodha një vështrim për t'i parë. Pashë një të zhytur në ujë dhe u fut nën kanoen tonë. U hodh lart dhe na nxori jashtë, duke përkulur kanoen me një goditje të fortë. Unë rashë përpara drejt vendit ku ishte hipopotami dhe Ryan u rrëzua mbrapsht drejt bregut. Ne kishim jelek shpëtimi, kështu që unë dola shpejt në sipërfaqe. Fillova të notoja, por pas disa goditjesh më kapi këmbën dhe më tërhoqi poshtë. Hipopotami më tërhoqi zvarrë dhe filloi të më përplaste si një lodër. E dija që nuk isha mjaftueshëm e fortë dhe nuk po bëja përpjekje të çlirohesha nga dhëmbët e tij. Mbase mendoi se kisha vdekur, nuk e di, por mrekullisht më lëshoi. Për shkak se kisha veshur një jelek shpëtimi, dola përsëri në sipërfaqe, por nuk mund të notoja. Fillova të bërtas dhe një nga guidat erdhi më mori me varkë.

Unë mendoj se i gjithë episodi zgjati vetëm rreth 45 sekonda, por, nga llogaria e Ryan, kur ai doli në breg dhe shikoi prapa, nuk pa asgjë. Edhe pse isha duke u përplasur nën ujë, nuk kishte lëvizje sipërfaqësore. Këmba ime ishte copëtuar, shihja muskulin. Pritëm 45 minuta deri sa erdhi ambulanca. Kam bërë 21 operacione deri më sot dhe nuk e di nëse është për shkak të dëmtimit të nervave, por nuk kam pasur pothuajse asnjë dhimbje gjatë gjithë kohës. Nuk e mendoja kurrë se nuk do të mund të ecja më, humba një pjesë të madhe të muskulit të këmbës. Kam mbaruar fizioterapinë, e i që do më duhet të kujdesem gjithë jetën që të rifitoj muskulin e humbur, por jam e lumtur që vazhdoj të bëj gjërat që bëja dikur.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?