Kultura

Pashk Përvathi rivjen me një ekspozitë me 50 punë për detin, në ‘Galeri +' gjatë gjithë muajit

6 Prill, 15:10| Përditesimi: 6 Prill, 15:16

  • Share

Të gjithë e njohim për pasionin që ka në trajtimin e peizazheve të vjeshtës, duke zbuluar bukuritë shqiptare në të gjitha viset e vendit, ndërsa tani, shohim se piktori Pashk Përvathi jetëson me po të njëjtin pasion edhe detin Adriatik dhe Jon.

Ekspozitën e radhës, të çelur në “Galeri +” në Tiranë, ai ia dedikuar pikërisht detit.

“Është një ekspozitë kushtuar tërësisht detit. Duke pikturuar gjatë viteve të ndryshme janë krijuar një sasi e konsiderueshme punimesh dhe mendova që rrinë mirë në marrëdhënie me njëra-tjetrën. Kjo ekspozitë ka një të mirë veç anës figurative, anës piktorike: ka një pjesë dokumentare, se unë kam konstatuar vitet e fundit që peizazhet që kam lënë para tre vitesh nuk i kam gjetur dy vite më vonë.”, - shprehet autori Pashk Përvathi për “Report TV”.

Veprat shtrihen në një hark kohor 15-vjeçar, ndërsa në ekspozitë paraqiten 50 peizazhe nga Shëngjini deri në Himarë. Vendin kryesor e zënë peizazhet nga bregu i Dhërmiut dhe Vlorës.

Tek veprat ndjehet bluja e thellë e Jonit dhe delikatesa e ujërave të Adriatikut, ndërsa ka një lojë kontrastesh dritë-hije të shkëmbinjve në buzë të ujit.

“Peizazhet e detit i krijojnë çdo autori mundësi shprehje të pafundme. Gurët në breg në atë dialogimin e tyre, ngjyra e thellë e Jonit, ngjyra gri në jeshile e Adriatikut, të gjitha bashkë krijojnë një ansambël, që për autorin janë mjaft mbresëlënëse. Unë detin nuk e pikturoj në dimër, e pikturoj në prill dhe në fillim të verës, sepse ngjyra është më domethënëse, më kontrastuese. Peizazhi është më lirik”, vijon Përvathi.

Kjo është ekspozita e 45-të e piktorit lezhjan Pashk Përvathi, e cila do të qëndrojë e hapur gjatë gjithë muajit prill.

S.B/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A e keni të qartë se si duhet të votoni më 11 maj?