Pashkët Katolike, mesazhi i Imzot Arjan Dodajt: Ringjallja të kthehet në shpresë për të rinjtë! Mesazhi dhe për luftën në Ukrainë

8 Prill 2023, 11:52| Përditesimi: 8 Prill 2023, 14:31

  • Share

TIRANË- Në vigjilje të Pashkëve, kreu i Kishës Katolike në Shqipëri, Imzot Arjan Dodaj, ka dhënë mesazhin e paqes e shresës për të gjithë besimtarët katolikë. Arqipeshkvi i Dioqezës Tiranë-Durrës, Imzot Arjan Dodaj tha se vetëm përmes dashurisë mundet e keqja. Ai u shpreh se Pashkët janë ftesë për një krijimtari të re në mbarë botën, e cila me forcën e Krishtit të Ringjallur, të mund të rigjejë Paqen! Imzot Arjan Dodaj pati edhe një mesazh për të rinjtë.

“Shqipëria, me shpresën që jep Ringjallja, të kthehet në sinonim shprese, Shqipëria të kthehet në një oportunitet dhe jo më utopi për zemrat e gjithë të rinjve dhe familjeve të reja dhe po ashtu për ato kategori që janë më të mënjanuara, ndoshta sepse nuk janë pjesë e një qarku të caktuar. Shqipëria, me Ringjalljen e Krishtit Zot, të ketë forcën për të mposhtur dimrin demografik, jo vetëm për hemorragjinë e shkaktuar nga emigrimi, por edhe për uljen e ndjeshme të numrit të të lindurve”, tha Dodaj.

Nuk mungoi as mesazhi për luftën në Ukrainë, ku Imzot Dodaj thekson se paqja nuk vjen përmes armëve.

“Lufta që vijon me pasojat e veta në më të brishtët, na ka dëftuar që të gjithë në fakt jemi vulnerabel, të brishtë dhe të paaftë përballë forcës së të keqit. Ndonjëherë mendojmë se mund të dominojmë të keqen duke reaguar me një të keqe më të madhe, por kështu kemi kontribuar në përkeqësimin e situatës. Kurrë paqja nuk vjen nëpërmjet armëve, ashtu si edhe në shoqërinë tonë, kurrë dialogu nuk vjen nëpërmjet fyerjes, hakmarrjes, shantazhit apo shtypjes”, u shpreh ai.

Besimtarët katolikë i janë drejtuar kishës për të marrë bekimin e ushqimeve. Në shportën që do të përmbajë tryeza e së dielës së Pashkës, nuk mungon Buka e Pashkës, një shishe vere, pak djathë dhe hudhra të njoma që simbolizojnë ardhjen e pranverës si dhe veza e kuqe, simboli i ringjalljes së Krishtit dhe ripërtëritjes. Festimet e Pashkëve nisin me meshën e madhe të së shtunës mbrëma dhe përfundojnë me drekën tradicionale të së dielës. Të gjithë mblidhen rreth tryezës nën refrenin e kësaj dite festive që është:  “Krishti u ngjall, vërtet u ngjall”.

Ndërkohë, mbrëmjen e kaluar besimtarët katolikë kremtuan ritualin “Udha e Kryqit”. Në sheshin ‘Nënë Tereza’ në Tiranë u organizua për herë të parë procesioni i ‘Udhës së Kryqit’ njësoj si në Vatikan. “Udha e Kryqit” vjen me 14 ndalesa dhe në secilën prej tyre besimtarët bëjnë lutje dhe përkujtojnë mundimet e Jezusit. E premtja para Pashkës, shënon ditën e kryqëzimit të Krishtit dhe vuajtjeve të tij me kryqin mbi shpinë. 

Ora 12:08
Nesër Pashka Katolike, mesazhi i Imzot Angelo Massafra: Nëse keni besim në Krishtin e Ringjallur, i kemi mundësitë të përballojmë gjithçka me guxim

 

Besimtarët katolikë festojnë ditën e nesërme Pashkën. Imzot Angelo Massafra u drejtoi një mesazh shpresë të gjithë besimtarëve katolikë. Imzot Massafra tha se nëse kemi besim në Krishtin e Ringjallur, i kemi edhe mundësitë që të përballojmë gjithçka me guxim, angazhim dhe bujari.

“Me të vërtetë u ngjall Zotëria dhe iu dëftua Simonit!” (Lk 24,34). Këto janë fjalët që nxënësit e mbledhur në dhomën e sipërme mbrëmjen e Pashkës u thanë dy nxënësve të Emausit. Ky është kumtimi i Pashkës, që prej shekujsh përsëritet çdo vit në Kishë dhe që nga Kisha përhapet në mbarë botën. Ky është kumtimi që çdo nxënës duhet të japë vazhdimisht, para së gjithash me jetën e tij dhe pastaj edhe me fjalë. Por çfarë do të thotë që Zoti është ringjallur me të vërtetë? Ringjallja e Jezusit në vetvete është një demonstrim i hyjnisë së Tij dhe, në të njëjtën kohë, një garanci se fjalët dhe mësimet e Tij janë të vërteta: Ai është Mesia i pritur prej shekujsh, Ai që Ati e ka dërguar dhe që, me Shpirt Shenjt dhe pushtet, ai erdhi në këtë botë “duke bërë mirë e duke shëruar të gjithë” (Vap 10,38).

Të besosh se Jezusi është ringjallur do të thotë ta mirëpresësh atë si të vetmin Shpëtimtar, domethënë si Atë që i riktheu dinjitetin e humbur njerëzimit të rënë për shkak të mëkatit fillestar, duke rindërtuar në të përngjasimin e Krijuesit. Prandaj, duke e pranuar Atë si të Ringjallurin, ne e pranojmë se kemi nevojë për shpëtim dhe besojmë se vetëm Ai mund ta realizojë atë. Me fjalë të tjera, kumtimi i krishterë i Ringjalljes së Krishtit është një kumtim shprese përpara kufirit të mëkatit: Ai e kryqëzoi borxhin e dënimit tonë! Është kumtim i mundësive të reja: si lulet që lulëzojnë përsëri edhe pas ngricave më të rënda! Është kumtim i një jete të re, që e ka harruar të keqen dhe është tërësisht i përqendruar tek e mira. Është kumtim i një energjie të re, që vjen nga të qenit në bashkësi me Të për të marrë prej Tij stimul, mbështetje dhe forcë për përballjen me sfidat e jetës.

E gjithë kjo është Pashkë! Zemra e fesë së të krishterëve, pa të cilën nuk është e mundur ta quajnë veten “të krishterë”. Duke u nisur pikërisht nga kjo, dua t’u drejtoj një mesazh shprese të gjithë atyre që do t’u arrijnë këto fjalë të mia. Vështirësitë e jetës nuk e kanë fjalën e fundit dhe as nuk mund t’ia lejojmë vetes t’i dorëzohemi këtij tundimi djallëzor: nëse kemi besim në Krishtin e Ringjallur, i kemi edhe mundësitë që të përballojmë gjithçka me guxim, angazhim dhe bujari. Nuk mund të ketë situata që na pengojnë të jemi njerëz të rinj, të aftë për të guxuar, për të ëndërruar lart siç na kujtoi Papa Françesku nëntë vjet më parë në Tiranë; dhe - siç ka këmbëngulur përsëri Papa Françesku - në fenë e Krishtit të Ringjallur, ne nuk mund të lejojmë asgjë dhe askënd të na e rrëmbejë shpresën!

Nëse jemi besimtarë të vërtetë në Krishtin, ka ardhur koha, dhe është në këtë moment, që të angazhohemi seriozisht për ta ndërtuar të mirën: nuk ka rëndësi se çfarë pengesash na dalin përpara; nuk ka rëndësi se sa njerëz apo situata do të rreshtohen kundër nesh: ky është momenti për të vepruar me gjithë shpresën dhe energjitë që jemi të aftë, por mbi të gjitha me energjitë që na vijnë nga feja në Krishtin Zot. Mendoj për familjet dhe për çdo person të shënuar nga vdekja, nga dhimbja, nga sëmundja, nga vuajtja e çfarëdo lloji, nga vështirësitë ekonomike, nga padrejtësitë, nga hakmarrja. Vëllezër, motra, guxim! “Me të vërtetë u ngjall Zotëria dhe iu dëftua Simonit!”. Dhe sot Krishti i Ringjallur na thotë: “Zemër, he burra! Unë jam! Mos druani!” (Mk 6,50). Ai është i pranishëm në sfondin e të gjitha vuajtjeve njerëzore dhe, si në filigranë, na i tregon edhe neve, si dikur Shën Tomës, plagët në duart, këmbët dhe në brinjën e Tij, për të na kujtuar se, pavarësisht gjithçkaje, ringjallja është e mundur për të gjithë. Gëzuar Pashkën, vëllezër dhe motra katolikë, ortodoksë dhe të krishterë. Zoti ecën përkrah nesh", tha ai.

Ora 11:26
Të krishterët kremtojnë ‘Udhën e Kryqit’ në Shkodër, besimtarët i bashkohen ritualit fetar

 

Ashtu si çdo vit, besimtarët katolikë të Shkodrës kanë përkujtuar mundimet e Krishtit dhe vdekjen e tij në kryq. Udha e Kryqit nisi nga Katedralja e Shkodrës deri te varrezat katolike të Rrmajit.

15 ndalesat janë simbolikë e 15 rrëzimeve të Krishtit teksa barte kryqin dhe dëshmitë e martirëve të fesë ishin pjesë e këtij procesioni, i cili u udhëhoq nga famullitari i Shkodrës, Dom Vlash Palaj.

Arqipeshkvi i Shkodrës në mesazhin e tij evidentoi rëndësinë e kësaj feste për mbarë besimtarët.

Udha e kryqit të Premten e Madhe simbolizon mundimet e Krishtit dhe vdekjen e tij në Malin e Kavarit

Ora 09:53
Lezhë/ Të krishterët kremtojnë ‘Udhën e Kryqit’! Ritualit fetar i bashkohen dhjetëra besimtarë, marshuan në Kalanë e qytetit

Besimtarë katolik në Lezhë kanë kremtuar të premten e zezë, apo siç njihet ndryshe “Udha e Kryqit”. Ritualit fetar ju bashkuan dhjetëra qytetar të cilët të udhëhequr nga përfaqësues të klerit katolik u nisën nga sheshi “Gjergj Kastrioti” e qytetit dhe marshuan deri në kalanë e qytetit, duke kujtuar në këtë mënyre mundimet e Jezu Krishtit.

E premtja e madhe është dita më e rëndësishme e javës së Pashkëve dhe mesazhi qe na jep Jezu Krishti është që të jetojnë në paqe dhe ta duam njëri-tjetrin, u shpreh Ipeshkvi i Dioqezes se Lezhës Monsinjor Otavio Vitale.

“E premtja e madhe është dita në të cilën ne përkujtojmë mundimin e Jezu Krishitit. Momenti që ka vuajtur dhe ka vdekur për ne të gjithë. Na tregon për atë momentin në të cilin Jezusi ka mbajtur kryqin dhe e ka çuar deri në malin ku ishte i kryqëzuar dhe në t cilin ka vdekur. Për ne të krishterët është kulmi i javës së madhe që jemi duke kremtuar. Jemi të thirrur që të qetësohemi dhe të jetojmë në fshehtësi duke u lutur dhe duke vuajtur edhe ne me Krishtin dhe për Krishtin, duke pritur momentin në të cilin jezuit të ringjallet. Mesazhi është ai që na thotë Jezusi. Mesazhi është që të gjithë të jetojmë në dashuri dhe bashkëvëllazërimi me njëri tjetrin, duke jetuar për paqen”, u shpreh ai.

“Udha e Kryqit” vjen me 14 ndalesa dhe në secilën prej tyre besimtarët bëjnë lutje dhe përkujtojnë mundimet e Jezusit. E premtja para Pashkës, shënon ditën e kryqëzimit të Krishtit dhe vuajtjeve të tij me kryqin mbi shpinë. E ashtuquajtura "java e zisë" fillon me të dielën që paraprin dhe është java më e rëndësishme në kalendarin e kishës.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?