Në vigjilje të Pashkës ortodokse, në familjen Metaraku në Fier amvisat janë duke bërë përgatitjet e fundit të tryezës tradicionale të festës. Nënë Margarita në të 80-at e saj, këtë Pashkë ka vendosur t’ua kalojë stafetën e gatimeve tradicionale nuses së djalit, elbasanases Elisabetë për t’i mësuar traditën myzeqare.
Gjithçka në familjen Metaraku është dëshmi e traditës ortodokse, emrat, Zaharia, Ioan , Elisabeta, ikonat në mur, qirinjtë gati për të marrë flakën e shenjtë në mesnatë.
Elisabeta plot emocion për Report Tv , tregon se tavolina e Pashkës nuk mund të kuptohet pa yshmerin tradicional siç dinë vetëm myzeqarët ta bëjnë, plot me gjalpë, qumësht, sheqer e vezë.
Ndërkohë Elisabeta është duke i kushtuar jo pak vëmëndje lyerjes së vezëve me bojë të kuqe, dhe jo pak, por plot 100 kokrra vezë , ndërsa ndalet edhe te simbolika e tyre.
Padyshim mishi i qengjit nuk do të mungojë në tryezën festive të Pashkëve ndërsa Elisabeta shpjegon se jo domosdoshmërisht, vetëm mishi i qengjit duhet të jetë zgjedhje e gjithë ortodoksëve.
Përveç gatimeve tipike Elisabeta është përkujdesur për të gjitha detajet e festës. Për djalin e vogël Ioanin ka përgatitur një punim ku ka vizatuar vezën e kuqe dhe urimin “ Krishti u ngjall”
Teksa të gjitha përgatitjet për tryezën festive në famijen ortodokse Metaraku janë gati , përzemërsisht vjen edhe urimi dhe mesazhet e paqes e dashurisë për të gjithë ortodoksët.
Komente
