Besimtarët Ortodoksë kremtojnë të Premten e Zezë

E Premtja e Zezë/ Besimtarët ortodoksë në Tiranë dhe qytete të tjera përkujtojnë Kryqëzimin e Krishtit

3 Maj, 19:48| Përditesimi: 3 Maj, 22:53

  • Share

Besimtarët ortodoksë në mbarë botën festojnë më 5 maj Ngjalljen e Krishtit, ose Pashkën. Për ortodoksët kjo është Java e Madhe e Shenjtë dhe dita e sotme përkon me të Premten e Zeze ku përkujtohen Pësimet e Jezu Krishtit.

Edhe në Shqipëri, në të gjitha kishat ortodokse janë zhvilluar shërbesat fetare. Pasditen e së premtes në Katedralen "Ngjallja e Krishtit" në Tiranë u kujtua kryqëzimi dhe varrimi i Krishtit në Jerusalem në kohën e Pont Pilatit.

Përpara fillimit të shërbesës, në të gjitha kishat është përgatitur një "varr" (Kuvuklion) në mes të Kishës i zbukuruar me lule. Gjithashtu një ikonë e veçantë e pikturuar ose e qëndisur në një pëlhurë (Epitaf), ku paraqitet Shpëtimtari i vdekur, është e vendosur në Tryezën e Shenjtë.

Shërbesa e Mbrëmësores, si zakonisht filloi me himne rreth vuajtjes dhe vdekjes së Krishtit. Më pas klerikët dhe besimtarët dolën jashtë Katedrales së Tiranës dhe kishave në qytetet e tjera, duke përkujtuar në rrugë ecjen me kryqin mbi shpinë, të sharat, rrahjet dhe pështymat mbi Krishtin.

Të shumtë janë besimtarët që marrin pjesë në këtë ditë që përkujton kryqëzimin dhe varrimin e Krishtit, si dhe Ngjalljen pas tri ditësh. Mesnata mes 4-5 majit kulmon me Ngjalljen e Krishtit dhe ceremonitë në kishat e Shqipërisë fillojnë në 23:00 të së shtunës, për të vijuar deri në orët e para të së dielës.

Ora 22:34
Elbasan/ Besimtarët ortodoksë kremtojnë të Premten e Zezë

 

Edhe në Elbasan besimtarët ortodoksë,  por edhe banorë të tjerë të Elbasanit, kanë marrë pjesë në kryerjen e Udhës së Kryqit apo të lëvizjes së Epitafit të Krishtit.

Është ky një rit fetar, që organizohet në mbrëmjen e të premtes së zezë dhe që synon të shprehë dhimbjen e besimtarëve  për kryqëzimin e Krishtit.

Ora 21:35
E Premtja e Zezë/ Fier, besimtarët ndjekin meshën e drejtuar nga Metropoliti Hirësia Nikolla në Katedralen e Shën Gjergjit

 

Qindra besimtarë ortodoksë në Fier janë mbledhur këtë pasdite në Katedralen e Shën Gjergjit, për të Premten e Zezë, ditë kjo që simbolizon vuajtjen e Jezu Krishtit dhe vdekjen e tij në kryq.

Në ambientet e kësaj kishe, besimtarët ndoqën ceremoninë e zhvilluar nga Metropoliti Hirësia Nikolla, dhe më pas marshuan nga katedralja në rrugën kryesore e në drejtim të qendrës se qytetit.

Ndërsa u lutën për më shumë paqe dhe dashuri  ata u rikthyen serish në katedralen e Shn Gjergjit.

Kortezhi I besimtareve është ndjekur nga qytetarët qe kishin mbushur rrugën kryesore për të ndjekur ritualin  e daljes së Epitafit.

Ora 21:15
Besimtarët ortodoksë në Berat kremtojnë të Premten e Zezë! Epitafi përshkon shëtitoren e qytetit

 

Edhe besimtarë ortodoksë të qytetit të Beratit kanë kremtuar sot të Premten e Zezë, e cila simbolizon përkujtimin e vuajtjeve të Jezu Krishtit dhe vdekjen e tij në kryq. Riteve të organizuara në Katedralen e “Shën Dhimitrit” ju janë bashkuan qindra besimtarë ortodoksë beratas, që u bënë pjesë e këtij rituali, që simbolizon varrin e Krishtit.

Kanë qenë At Johan Qako dhe At Petraq Simsia ata që kanë drejtuar edhe ritet fetare në Katedralen e “Shën Dhimitrit”,ku besimtarët janë lutur për shëndet, mirësi dhe lumturi. Pas kryerjes së shërbesën së mbrëmjes së të Premtes së Zezë, qe për besimtarët ortodoks shënon vdekjen e Jezu Krishtit,At Johan Qako dhe At Petraq Simsia kanë kryer edhe ritualin e Epitafit,që fillimisht ka shëtitur përreth oborrit të Katedrales së Shën Dhimitrit për disa minuta e më pas është kapërcyer nga besimtarët.

Pas përfundimit të riteve fetare, Epitafi,i shoqëruar nga besimtarët ortodoksë, ka përshkruar shëtitoren e qytetit, një ritual ky i përvitshëm në qytetin e Beratit, ndërkohë që tek Ura e Goricës i është bashkuar edhe epitafi i kishës së vjetër të lagjes Goricë. E premtja e Zezë shënon vdekjen e Jezu Krishtit në Kryq, për t’u ringjallur mesnatën e së Shtunës, kohë kur kulmojnë edhe kremtimet e Pashkëve.E premtja e Zezë i paraprinë të djelës së Pashkëve, ku ceremonitë fetare mbahen si çdo vit në Katedralen e Shën Dhimitrit, në qendër të qytetit të Beratit.

Ora 20:36
E premtja e Zezë në Korçë/ Mitropolia e Shenjtë organizon ritin e kalimit nën epitaf, pjesë qindra qytetarë të Korçës dhe vizitorë nga qytete të tjera

Pasditen e së premtes, nga Mitropolia e Shenjtë është organizuar riti i kalimit nën epitaf dhe varrimi i Krishtit, pjesë e të cilës janë bërë qindra qytetarë të Korçës, por edhe shumë vizitorë të ardhur nga qytete të tjera të vendit.

Në sheshin para Katedrales “Ngjallja e Krishtit” janë bashkuar epitafet e 6 kishave, të cilët më pas të shoqëruar nga besimtarë, kanë përshkuar bulevardet kryesore

Procesionin e ka udhëhequr Mitropoliti i Korçës imzot Johani, ndërsa banda e qytetit ka ekzekutuar marshe funebre.

Qytetarët shprehen se kjo është një ceremoni madhështore që zhvillohet çdo vit në Korçë dhe se së bashku me vendasit të shumtë janë dhe vizitorët nga vende të ndryshme të Shqipërisë dhe turistët e huaj.

Korça është kthyer në kryeqytetin e Pashkës Ortodoksë, pasi qyteti me traditën e hershme zhvillon një sërë aktivitetesh kulturore dhe artistike në kuadër të kësaj feste.

Në parakalimin në rrugët e qytetit ka qenë dhe banda frymore e Korçës e cila i ka dhënë më shumë jetë atmosferës.

Ora 20:12
E premtja e Zezë në Vlorë/ Qytetarët mblidhen në kishën e Shën Theodhorit, At Konstandin Prifti drejton meshën

Në Vlorë qindra besimtarë ortodoksë dhe i janë bashkuar kremtimeve te së Premtes së Zezë.

Mesha është drejtuar nga në kishën e Shën Theodhorit.

Më pas besimtaret i janë bashkuar lëvizjes në qytet të epitafit.

 E Premtja e Zezë është dita që simbolizon vuajtjet dhe kryqëzimin e Jezu krishtit.

Ora 19:39
E premtja e Zezë/ Durrës, besimtarët mblidhen në katedralen e Apostul Pavlit dhe Shën Astit për ceremoninë e Udhës së Kryqit

Me qindra besimtarë ortodoksë u mblodhën pasditen e sotme në katedralen e Apostul Pavlit dhe Shën Astit në Durrës për të marrë pjesë në ceremoninë e Udhës së Kryqit, e njohur ndryshe si lëvizja e Epitafit të Krishtit.

Është ky një rit fetar, që organizohet në mbrëmjen e të premtes së zezë dhe që shpreh dhimbjen e besimtarëve për kryqëzimin e Krishtit.

Mes besimtarëve, gjatë riteve fetare ishin të pranishëm edhe kryetarja e bashkisë Durrës, Emiriana Sako dhe prefekti i qarkut Emiljan Jani.

Ceremonia e shërbesës së epitafit dhe procesioni filloi nga katedralja e Apostul Pavlit dhe Shën Astit rreth orës 18.45.

Ka qenë një kortezh i madh besimtarësh që kanë shoqëruar Epitafin, atë që në fenë e krishterë simbolizon Krishtin në kryq.

Me një marshim të heshtur, qindra persona kanë bërë parakalimin tradicional në bulevardin kryesor të qytetit.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?