TIRANË- Politika shqiptare ka ndarë urime për Pashkët Ortodokse, duke dhënë mesazhe se kjo situatë e vështirë që vendi dhe gjithë bota po kalon pas një viti pandemik, duhet të na japë dritë dhe shpresë për të ardhmen. Mesazhe force dhe urime për paqe kanë ndarë liderët kryesore politikë në vend.
Ka qenë kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ai qe ka uruar i pari ditën e sotme, besimtarët ortodoksë me rastin e festës së Pashkëve. Më pas edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha me një mesazh përmes rrjetit të tij social Facebook ka uruar ditën e Pashkëve. Më herët, pak para mesnate kanë uruar edhe presidenti Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar një foto nga zbukurimet në Tiranë me rastin e Pashkëve Ortodokse.
Në qendër të qytetit shihte që Bashkia ka vendosur disa zbukurime në formë vezësh për të simbolizuar festën.
Krahas fotos së publikuar Rama shkruan se Tirana duket më e bukur me simbolin e festës së ‘’Ringjalljes së Shpresës’’.
“Edhe më e bukur Tirana me simbolin e festës së Ringjalljes së Shpresës”, shkruan Rama.
President Ilir Meta, ndërsa ka publikuar një foto me bashkëshorten Monika Kryemadhi, teksa po pinë kafe, ka uruar besimtarët ortodoksë për Ditën e Pashkëve.
“Gëzuar Pashkën! Drita e kësaj Dite të Shenjtë të ngrohë zemrat dhe të ndriçojë gjithmonë familjet tuaja me shpresë, mbarësi dhe gëzim!”, shkruan Meta bashkangjitur fotos së publikuar.
Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi ka zgjedhur që të uroj besimtarët ortodoksë në ditën e Pashkës, me një foto ku shfaqet e përqafuar me bashkëshortin e saj, presidentin Ilir Meta.
'Miq dhe dashamirës, GËZUAR nga ne të dy! Zoti është i madh dhe gjithmonë pranë atyre që besojnë tek e mira. Bekime për ju dhe familjet tuaja.'-shkruan Kryemadhi.
Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka uruar ditën e sotme të gjithë besimtarët për pashkën ortodokse.
'Gëzuar Pashkët Ortodokse të gjithëve nga ne në Ambasadën Amerikane në Tiranë! Ju urojmë shpresë në këto ditë të bukura pranverore.'- shkruan Yuri Kim.
Gëzuar Pashkën Ortodokse nga të gjithë ne në Ambasadën e SHBA në Tiranë! Ju urojmë shpresë në këto ditë të bukura pranvere. pic.twitter.com/qSUFIeciGm
— Ambassador Yuri Kim (@USAmbAlbania) May 2, 2021
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka uruar besimtarët ortodoksë me rastin e ditës së Pashkëve.
“Drita e ringjalljes i mbushtë zemrat tuaja dhe vatrat e çdo familje shqiptare plot me shpresë dhe besim se e mira do të mundë çdo sfidë, dhimbje dhe padrejtësi.”, shkruan Basha përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook.
Me rastin e Ditës së Pashkëve, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, uron besimtarët ortodoksë dhe gjithë shqiptarët.
“Me rastin e Festës së Pashkëve, uroj të gjithë besimtarët ortodoksë dhe të gjithë shqiptarët, kudo që janë: Gëzuar! Shëndet dhe lumturi në vatrat familjare! Triumfi i Ngjalljes së Krishtit ka frymëzuar miliarda njerëz gjatë dy mijëvjeçarëve. I ka ndihmuar ata të luftojnë e fitojnë mbi vdekjen e mëkatin, mbi dhunën e padrejtësinë, mbi frikën dhe pasigurinë, mbi të keqen dhe mëritë midis njerëzve, komuniteteve, racave e kombeve.
Gëzimi i festës së Pashkëve rrezaton e lumturon të gjithë besimtarët e qytetarët. Është një shpresë se ata që bien në varfëri mund dhe do të dalin prej saj; ata që pushtohen nga urrejtja e mëritë duhet dhe do të çlirohen prej tyre; ata që humbasin fuqinë dhe besimin, një ditë do t’i rifitojnë ato. Gëzimi i Pashkëve shpërndahet si drita e diellit. Rrezet e dritës largojnë natën dhe sjellin ditën; rrezet e gëzimit paskal largojnë dëshpërimin dhe ringjallin shpresën e besimin.
Por asnjëherë më tepër sesa Pashkët e këtij viti, Ringjallja nuk ka pasur këtë domethënie, shkëlqim e frymëzim për të gjithë besimtarët, për të gjithë qytetarët. Sakrificat e kohës së pandemisë na treguan se sa shumë dashuria dhe lumturia njerëzore është e kushtëzuar nga shëndeti i të gjithëve. Na treguan se shëndeti, mirëqenia dhe siguria e çdo njeriu dhe e çdo kombi janë të varura nga ato të kombeve të tjera.
Tashmë që dalja nga kjo stinë e vështirë duket më afër, të gjithë kemi mundësi të reflektojmë se fuqia e besimit, solidaritetit, dashurisë, humanizmit është më e madhe se kërcënimi i sëmundjes dhe rreziqeve të saj. Jeta, e mira, paqja dhe toleranca kanë mundur gjithmonë rrezikun, të keqen, konfliktet dhe urrejtjen. Por këto beteja nuk fitohen vetvetiu. Ato kërkojnë përkushtimin njerëzor, të individëve, komuniteteve, por edhe institucioneve.
Jeta njerëzore është mrekullia e universit dhe pandemia na rikujtoi se asaj duhet t’i përkushtohemi të gjithë. Me antitrupat e dashurisë, humanizmit e solidaritetit të luftojmë sëmundjet e shoqërisë, varfërinë, pabarazinë, ndarjet e konfliktet, në çdo formë që ato shfaqen. Globalizimit të mallrave, shërbimeve, teknologjive dhe ideve, tu përgjigjemi me globalizimin e solidaritetit, humanizmit dhe përkushtimit njerëzor. Globalizmi i të mirës t’i paraprijë globalizimit të së keqes. Besimin dhe mirëkuptimin fetar ta kthejmë në një vlerë shoqërore, në ndihmë e shërbim të të gjithëve, pavarësisht besimit, pikëpamjeve dhe pasurisë. Ky është një tjëtër mësim që buron nga gëzimi i Pashkëve,”, shkruan në urimin e tij Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.
Me rastin e Pashkëve të komunitetit ortodoks në vend, Kryeministri Edi Rama ka uruar besimtarët. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka zgjedhur një foto që tregon kryqe ortodokse.
“Gëzuar pashkët ortodokse!” shkruan Rama shkurt në krah të fotos.
Presidenti Ilir Meta, ka uruar këto Pashkë, duke nënvizuar se sipas tij sado i lartë të duket "mali" i së keqes, e mira do të triumfojë.
"Të dashur besimtarë ortodoksë, Gëzuar Festën e Shenjtë të Pashkës, Ditën e Ngjalljes së Krishtit, të triumfit të jetës mbi vdekjen, të dritës mbi errësirën, të së mirës ndaj së keqes dhe të dashurisë mbi urrejtjen. Lutja e fundit e Krishtit mbi Kryq: “O Atë, fali ata, sepse nuk dinë se ç’bëjnë!”, na kujton se "helmimi" i familjes, i shoqërisë dhe i politikës nga fenomenet e errëta duhet luftuar me kryengritjen paqësore të madhështisë së dashurisë dhe faljes, që na mësoi dhe predikoi me vepra Biri i Perëndisë. Shumë përpiqen ta shmangin këtë parim, por siç na mëson Ungjilli: "Të bekuar janë ata, që frymëzohen nga falja, e cila buroi nga varri i Krishtit. Të bekuar janë ata, që kërkojnë dashurinë e Tij, që kapërcen çdo mendje”.
Festa e Dritës, që kurrë nuk perëndon, na kujton sot se sado i lartë të duket "mali" i së keqes, e mira do të triumfojë sepse shpresa me besimin në Zot nuk vdes asnjëherë, por ajo është e gjallë dhe do të ngjallet si Krishti. Me urimet më të përzemërta për popullin shqiptar, për më shumë shëndet, paqe e begati në familjet tuaja! GËZUAR PASHKËN! KRISHTI U NGJALL! VËRTET U NGJALL", thuhet në urimin e Metës.
Meta Kryemadhi cifti me i shkerdhyer.
PërgjigjuIlir dhe Monika buçja jan jnerzit më të uryer të kombit Shqiptar. Po kta lloi njerzish nuk kan turp nuk kan din e iman.
Përgjigju