ELBASAN- Kryetari i Partisë Demokratike e ka kthyer festën e Ditës së Verës në një takim elektoral me grupin e kandidatëve për deputetë në qarkun e Elbasanit për zgjedhjet e 11 majit dhe strukturat e partisë.
Teksa diktoi vartësit se çfarë t’i thoshin elektoratit në fushatë dhe ku të përqëndroheshin, Sali Berisha u shpreh se opozitës i duhet “bashkimi në diversitet”.
Por paradoksi në fjalën e tij ishte deklarata se do ndryshojë Kodin Zgjedhor aktual pas 11 majit pasi nuk ishte demokratik, pasi sistemoi të gjithë besnikët e tij në listën e sigurt dhe fajësoi kryeministrin Edi Rama si autorin e kodeve elektorale të fundit, përfshi edhe skemën e listës së mbyllur.
Ky reagim vjen pas pakënaqësive të mëdha të shkaktuara brenda PD-së me lënien jashtë të pjesës më të madhe të deputetëve aktualë demokratë në Parlament, por edhe fituesve të Primareve, duke i kaluar nëlistat e hapura. Pasi zhbëri Primaret, Berisha futi të gjithë qëndrestarët e tij në listat e sigurta dhe hodhi ‘në zjarrin politik’ të listave të hapura ata që nuk iu bashkuan Foltores së tij katër vite më parë.
Berisha u kërkoi të pakënaqurve që të ndryshonin mendje dhe të mbështesnin partinë në zgjedhjet e 11 majit, teksa alibinë e gjeti tek Kodi i gabuar që në fakt e votoi ehde vetë në Parlament vitin e kaluar si parti, duke i bashkuar votat me PS.
“Bashkim në diversitet. Do i shtrini dorën çdo opozitari për të arritur te fitorja, bashkëpunim dhe tolerancë. Deutetët që nuk janë në lista unë i ftoj të kontribuojnë, udhëtimi është i gjatë, s’u zgjodhe sot, nesër zgjidhesh. Qindra prej tyre na mbështetin prej 12 vitesh dhe ata nuk janë zgjedhur, por vijojnë të na mbështesin. Edi Rama bëri antidemokraci me listat dhe kodin, pasi kujtoj zgjedhjet e 2021 ku partitë e vogla si LSI morën mbi 100 mijë vota, por vetëm 4 deputetë, kurse të mëdhatë u ra me 7 mijë vota deputeti. Partitë e vogla na duhen se kanë vota, përfaqësojnë 26% të elektoratit. Por siç ishte nuk ishte e drejtë, kurse kështu ka garë, u bë korrigjim. Shpresoj që pas zgjedhjeve të ndryshojë Kodi dhe ta bëjmë të drejtë. Kemi qenë në koalicion që nga 1996, ëhstë më demokratik dhe më konkret”, u shpreh ish-kryeministri që është prej më shumë se një viti edhe i pandehur për aferën “Partizani”.
Teksa iu referua kundërshtarit të tij, ai u tha të pranishmëve se Rama dhe PS kërkojnë ta fusin opozitën në spiralen e tyre, duke u marrë me Dash Sulën dhe Kujtim Gjuzin, teksa këtij të fundit i harroi edhe emrin gjatë fjalimit, duke kërkuar ndihmë që t’ia kujtonin. Ai u tha strukturave se PD ka një magjistar si Chris LaCivita, që nuk zgjodhi krahun tjetër për fushatë.
“Kanë tre ditë që merren me Dash Sulën dhe me musteqet e … këtij, thuaja… Kujtim Gjuzit. Këta duan të eklipsojnë me propagandën e tyre një program madhështor, që shqiptarët s’e kanë pasur kurrë më parë. Nuk duhet të biem asnjëherë në spiralen e tyre. Ne kemi një avantazh, magjistarin ndërplanetar, më i suksesshmi, i fitores së Donald Trump. Ai ka pasur edhe oferta të tjera më të mira, por Chris LaCivita na zgjodhi ne”, u shpreh Berisha.
Në fund ai akuzoi qeverinë për abuzime, ndërsa tha se vepra e parë pas 11 majit do jetë By-Passi i harruar i Elbasanit dhe programi ekonomik për shtresat në nevojë, çmimet dhe pensionet.
“Ata janë me dosje, Edi Rama i ka të gjithë me dosje. Edhe ne kemi të metat tona. Ju do shpalosni programin e PD-së, mos u dorëzoni, do u thoni qytetarëve se do vendosnin minimumin jetik. Në tre muajt e parë program për njerëzit në nevojë. Do ulim naftën në çmimet që e shet Kosova. Ka kontrabandë të jashtëzakonshme. Vepra e parë do jetë By-Passi i Elbasanit. Ta ndërtojmë pistën e Formula Uno me 10 milionë, por në fillim të bëhet By-Bassi, që të ketë përparësi absolute. Kushton, sigurisht që kushton”, u shpreh ai mes të tjerash.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha vizitoi qytetin e Elbasanit për festën e Ditës së Verës.
Kryedemokrati u ndal te largimi i Dashnor Sulës nga PD dhe bashkimin me partinë e Adriatik Lapajt, “Shqipëria Bëhet”.
“Sa i përket deputetit që thatë ju, ai bëri zgjedhjen e tij, midis betejës në sheshin e burrave zgjodhi Tikun dhe shkoi në punën e vet, nuk kam çfarë të them bëri gabim por prapë ka kohë ta mendojë.”, u shpreh ai.
Komente
