Tedi Blushi duke pretenduar manipulimin e votave në qendrën e Yrshekut

Politikë

Blushi ndjek gjurmët e PD dhe akuzon për ‘trenin bullgar’! Gabimin teknik në procesverbal e quan vjedhje: Na manipuluan 97 vota në Yrshek

23 Maj, 15:32| Përditesimi: 23 Maj, 16:29

  • Share

Partia e Lirisë ka vendosur të ndjekë diskursin politik të kreut të PD-së, Sali Berisha, për pretendimet e ‘trenit bullgar’, manipulimit apo vjedhjes së votës.

Sekretari i Përgjithshëm i PL, Tedi Blushi, doli sot me një deklaratë për mediat, duke denoncuar një rast të Qendrës 1531 në Yrshek të Tiranës, ku deklaroi se ‘Aleancës Madhështore’ i janë vjedhur 97 vota preferenciale nga ana e Komisionit dhe numëruesve.

Ai ka treguar edhe dy dokumente, ku në fakt shquhet qartë se bëhet fjalë për një gabim teknik apo nxitimi nga ana e numëruesve, sepse Komisioni ia njeh 106 vota në total si koalicion në këtë qendër dhe nëse do të kishte manipulim, siç shihet edhe në dokumentin kryesor dhe procesverbal, nuk do shënonin se PD-ADSHM kishte fituar 106 vota.

Një tjetër detaj që bie në sy aty është fakti se nga 97 vota të pretenduara të koalicionit, Ilir Meta ka fituar vetëm 3 vota sipas Blushit, ose e thënë ndryshe, vetëm 3% të totalit në këtë qendër për votat preferenciale.

“Ky regjim i bazuar mbi krimin, që bazon çdo gjë në tjetërsimin, manipulimin dhe në inflitrimin e njerëzve të korruptuar brenda opozitës, përmes mekanizmave shtrëngues të drejtësisë së re, shkaterroi standardet e zgjedhjeve, demokracinë dhe shtetin e së drejtës. Beteja për votën e lirë është e pakthyeshme për të mbrojtur Shqipërinë nga gremina dhe shqiptarët nga kthetrat e narkoshtetit kriminal”, u shpreh Blushi ndër të tjera.

Por ai evde nuk ka dhënë shpjegime për rezultatin e dobët të PL-së në Tiranë dhe Shqipëri, që jo vetëm nuk nxori dot kryetarin e paraburgosur të partisë Ilir Meta si deputet, duke marrë 8 mijë vota dhe larg pritshmërive, por edhe deputetët e listës së sigurt, ku bënte pjesë edhe vetë, nuk e justifikuan numrin e votave të partisë për numër mandatesh (2 në Tiranë).

Meta qëndron i paraburgosur që prej 21 tetorit 2024 me urdhër të SPAK dhe vendim të GJKKO-së, për tre akuza.

Deklarata e plotë e Tedi Blushit:

“Çdo ditë po dalin në dritë të diellit prova të pastra dhe të qarta të masakrës elektorale, që vërtetojnë para të gjithë shqiptarëve se si Narkoregjimi tjetërsoi në mënyrë mafioze dhe të dhunshme vullnetin e lirë të qytetarëve duke shkallmuar standardet e zgjedhjeve për t’i shndërruar ato në një farsë elektorale dhe falsitet total.

Sot provojmë me dokumenta zyrtare se si në qendrën e votimit 1531, në KZAZ Nr.30 në Qarkun e Tiranës janë tjetërsuar në mënyrë kriminale 97 vota për kandidatët në listën e hapur të koalicionin “PD-ASHM”, të cilat janë zhdukur qëllimisht në procesverbalin përfundimtar të kësaj KZAZ-je, ose më saktë janë vjedhur në tavolinë nga komisionerët patronazhistë të Edi Ramës.

Siç mund ta shihni, në këtë dokument zyrtar, të firmosur nga katër numërues, në qendrën e votimit 1531 në Yrshek, të KZAZ Nr.30 rezulton se 106 vota janë hedhur në kutinë e votimit për koalicionin PD-ASHM dhe 97 vota për kandidatët e aleancës tonë në listën e hapur, nga të cilat 3 vota për Presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Metaj.

Ndërkohë, në procesverbalin përfundimtar të të gjitha qendrave të votimit të KZAZ Nr.30, qendra e votimit 1531, rezulton me zero vota për kandidatët e koalicionit PD-ASHM.

Kjo vjedhje flagrante e 97 votave në Tiranë është një tjetër provë e qartë e masakrës elektorale që ka ndodhur në 11 Maj.

Kur vetëm në një qendër votimi në kryeqytet vidhen 97 vota ditën për diell, imagjinoni se çfarë ka ndodhur në qendrat e votimit në qytetet e tjera të vendit.

Tanimë është fakt se 11 Maji ka qenë një farsë elektorale e dominuar nga banditizmi elektoral, “treni bullgar”, shit-blerja e votave, presionet për bukën e gojës, përdorimi i bandave dhe kriminelëve elektorale, parave të pista të trafiqeve dhe drogës, keqpërdorimi i administratës publike dhe aseteve shtetërore.

Ky regjim i bazuar mbi krimin, që bazon çdo gjë në tjetërsimin, manipulimin dhe në inflitrimin e njerëzve të korruptuar brenda opozitës, përmes mekanizmave shtrëngues të drejtësisë së re, shkaterroi standardet e zgjedhjeve, demokracinë dhe shtetin e së drejtës.

Beteja për votën e lirë është e pakthyeshme per te mbrojtur Shqiperine nga gremina dhe shqiptaret nga kthetrat e narkoshtetit kriminal.

Ne nuk do të ndalemi përballë asnjë shantazhi, presioni apo manipulimi. Do të evidentojmë dhe denoncojmë çdo shkelje, çdo abuzim, çdo tentativë për të kthyer zgjedhjet në nje farsë, formalitet dhe në falsitet total.

Deformimi i vullnetit të qytetarëve përmes presionit, shantazhit, frikës, varfërisë së qëllimshme dhe kontrollit të çdo aspekti të jetës së përditshme është një akt kriminal që nuk mund të amnistohet.

Mbrojtja e votës së lirë nuk është thjesht një qëllim politik, por një mision kombëtar për të rikthyer Shqipërinë në rrugën e demokracisë së vërtetë funksionale, të shtetit të së drejtës dhe barazisë para ligjit për të gjithë”.

A.Q/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Shoku Enverit: 23/05/2025 15:46

    HAJDUT

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Operacioni Ura, si e vlerësoni punën e SPAK ndaj grupeve kriminale?