Politikë

‘Treni bullgar’ ra, PD insiston te Peqini: Policia manipuloi provat për ID-të e paratë! Por, ja si rrëzohen akuzat e reja të Himçit nga deklaratat e kryeplakut

26 Maj, 18:08| Përditesimi: 26 Maj, 22:08

  • Share

Pasi pretenduan për ditë me radhë se kishin në duar prova të pakontestueshme, se një bar-kafe i vogël në fshatin Pekisht të Peqinit, ishte kthyer në skenë krimi zgjedhor, demokratët po heqin dorë në heshtje nga pretendimi për Trenin Bullgar në zgjedhjet e 11 majit.

Akuza se në Pekisht, gjetën fletë votimi, të cilat do të futeshin në kuti përmes kësaj skeme, kanë rënë, pasi vetë ata pranuan se nuk kishin as vulë. Më vonë u pa, po nga pamje e shpërndara nga PD, se fletët nuk kishin as ngjyrën e atyre zyrtare, dhe se ishin thjesht faksimile që përdoren për të edukuar zgjedhësit.

Por, ndonëse jo më për fletët e votimit, zyrtarët demokratë vijojnë të insistojnë në rastin e Pekishtit. Këtë herë, për kartat e pretenduara të Identitetit, që u gjendën në portofolin e Dervish Beqirit.

“Në vijim të përpjekjeve për të fshehur krimet zgjedhore që çuan në farsën elektorale të 11 majit, dhe për të vazhduar si palë me qeverinë, Policia e Shtetit manipulon provat dhe fsheh faktet. Në komunikatën për shtyp në lidhje me menaxhimin e provave në një lokal në fshatin Pekisht të Peqinit, Policia flet vetëm për materiale zgjedhore, të falsifikura sipas saj, duke lënë jashtë disa elementë të tjerë kriminalë. Policia e Elbasanit fsheh kartat e identiteti të cilat po vetë i ka fotografuar në tavolinën e lokalit. Po ashtu paratë që janë gjendur në mesin e provave, të përgatitura për të blerë vota, i fut në portofolin e patronazhistit socialist”, shprehet Himçi.

Demokratët, duket se nuk kanë dëgjuar versionin e kryeplakut të Pekishtit, që sqaron se nuk bëhet fjalë për karta identiteti, por dokumente të ndryshme, të gjitha në pronësi të tij.

“Policia më ka marrë portofolin, kodin fiskal Italian, të bankës dhe doktorit dhe patenta, ka nxjerrë që kam karta ID, ku janë? Këtu s'ka rob, jo karta identiteti, ato ishin të gjitha me një emër. Ti thuash atje që i ka ble karta identiteti robve, ta cosh 35 milionë lekë, ku i gjete?”, tha Dervishi një ditë më parë në një intervistë për Report Tv.

Edhe për pretendimin e deputetit të sapozgjedhur të PD-së, për shumën e parave të gjetura në portofolin e tij, Dervish Beqiri e ka dhënë përgjigjen.

Policia përmend 280 mijë lekë si pjesë e provave, ndërkohë që bëhet fjalë për lekë shqiptare, euro dhe paund britanik, siç pasqyrohen edhe në foton që shoqëron komunikatën fillestare.

“Gjithashtu, Policia i shmanget një elementi kyc në hetim, sekuestrimit dhe kqyrjes së materialeve filmike të kamerave të lokalit. Aty do të dilte qartë nëse paratë kanë qenë në banak apo në kuletë, dhe kush ka hyrë e kush ka dalë nga lokali më 10 dhe 11 maj. Përpjekja është e qartë: patronazhisti të marrë një dënim sa për të kaluar radhën për falsifikim materialesh zgjedhore, dhe të shpërfillen akuzat për blerje votazh, shtrëngim me qëllim ndryshimin e vullentit zgjedhor”, deklaroi nga selia blu Himçi.

“Janë sekuestruar 2 milionë e 800 mijë lekë se unë kam edhe një pikë funerale, bëra një vdekje në shezë, noma e mitat tabakut, më ka dhënë 850 mijë, edhe kunata ime më ka dhënë lek me i la shtëpinë se rri në itali, çdo shtëpi ka 1 milionë lekë se të bie një hall”, sqaroi një ditë më parë Beqiri në një intervistë për Report Tv.

Himçi pretendon se policia duhet të kishte sekuestruar edhe kamerat për të parë se kush ka hyrë e dalë nga lokali, por sërish këtu Himçi është nxituar, pasi ky veprim tashmë është ndërmarrë ditën e denoncimit të tij.

Dervish Beqiri u vu në shënjestër të akuzave të demokratëve disa ditë më parë, kur Sali Berisha nxorri një video ku pretendonte se fletët e votimit të gjetura në lokalin e tij, ishin përdorur për manipulimin e votave përmes Trenit Bullgar. “Treni bullgar” nënkupton një teknikë klasike të mashtrimit zgjedhor. Mjafton që vetëm një fletë votimi origjinale dhe me vulën e KQZ, e paplotësuar, të dalë në mënyrë të paligjshme, jashtë qendrës së votimit. Sapo ajo del jashtë qendrës, plotësohet nga subjektet e interesuara për një kandidat a parti të caktuar. Fleta i jepet një votuesi me të cilin është rënë dakord paraprakisht për këtë skemë të paligjshme. Ai hedh në kuti fletën e para-plotësuar, ndërsa fletën që i jep komisioni zgjedhor, e fsheh dhe nxjerr sërish jashtë qendrës së votimit duke e dorëzuar te organizatori. Këtu rifillon cikli, por PD pavarësisht akuzave, nuk ka mundur të vërtetojë me prova asnjë rast.

 

 

SI.E./I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Rama paralajmëron ndryshime në parti e qeveri, si e vlerësoni?