Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i ka dhënë mandatin për kryebashkiakun e Belshit, Arif Tafanit, Rakip Sulit për bashkinë e Kamzës si dhe Gledian Llatjas për bashkinë e Elbasanit. Mandati për këto kryebashkiakë vjen pasi Kolegji Zgjedhor dhe Komisioni i Ankimimeve rrëzoi pretendimet e opozitës për manipulime në zgjedhje.
Po ashtu Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shtyu miratimin e datës 23 korrik si datë e përsëritjes së zgjedhjeve në bashkinë e Rrogozhinës. Ilirjan Celibashi tha se miratimi i datës së zgjedhjeve do të bëhet pasi Kolegji Zgjedhor të vendosë edhe për Bashkinë e Kuçovës, ku kërkohet sërish përsëritje e zgjedhjeve.
Me gjasë, nëse Kolegji vendos shpejt për Kuçovën, edhe në këtë bashki do të mbahen më 23 korrik zgjedhjet, por nëse vendimi vonohet, do të ketë një rishikim të datës për përsëritjen e zgjedhjeve. Celibashi hodhi poshtë edhe mundësinë që në këto bashki të votohet elektronikisht.