Drejt Punës

Pasioni i Labinotit dhe kampingu i kanionit të fluturave në Peshkopi

3 Korrik 2021, 15:13| Përditesimi: 3 Korrik 2021, 15:17

  • Share

Kampingu i kanionit të fluturave në Luzni të Dibrës  është stacioni më i ri turistik në vendin tonë. 30 minuta me automjet larg Peshkopisë, vizitorët gjejnë më pas disa shtigje me karakter historik e natyror për të mbërritur në Kampingun e Fluturave. Gjithçka falë vullnetit dhe kurajos së një të riu nga Luznia, 33-vjeçarit Labinot Murrja. 

“Nuk është e lehtë, pasi të rinjtë po largohen edhe nga qendrat urbane, e jo më nga një zonë e thellë rurale si Dibra – thotë Labinoti, i cili ka provuar edhe vetë emigracionin.

Ideja ime për të kombinuar disa mundësi turizmi “nga ferma në tavolinë” bashkë me njohjen e vendeve me tradita historike dhe të kulinarisë, fillimisht u vlerësua nga Programi PNUD dhe më vonë edhe nga fondi i Vishegradit me disa financime të vogla, por domethënëse – tregon Labinoti, i cili sa herë që ka mysafirë i dërgon me kalë ushqimet dhe frutat e zarzavatet, i ndihmuar nga i ati drejt Kampingut.

Me gjithë vështirësitë e pandemisë, kampingun e Labinotit e kanë vizituar turistë nga Gjermania e Zvicra, madje edhe një grup  turistësh çekë.

Ndërkaq, falë rrjeteve sociale, për lokacionin e Luznisë kanë prenotuar edhe familje nga Durrësi, Tirana apo Shkodra.

“Të gjithëve, familjarë e të rinj, u pëlqen të mbërrijnë në këmbë në Kanionin e Fluturave, një hapësirë e mrekullueshme ku gjen mijëra flutura të të gjitha llojeve dhe madhësive – tregon Labinoti, që mbetet edhe guida e parë e kësaj zone të Dibrës.

Në kopshtin e familjes rriten 350 zogj fshati, që mbeten pjata më e preferuar “pulë me jufka”, një tradite e hershme e zonës.

Labinoti dhe familja Murrja i kanë dhënë jetë një prej zonave më të bukura në njësisë së Luznisë, me 6 fshatra rreth e rrotull.

Djaloshi nga Dibra e solli këto ditë përvojën e tij në një takim që u zhvillua në Durrës me ekspertë nga Çekia, Hungaria, Polonia dhe Sllovakia, vende të Fondit të Vishegradit, që  kanë financuar disa projekte familjare në Fier, në Përmet dhe në Dibër.

Në kuadër  të projektit Akademia “Farm to Fork” – V4 për Bujqësinë e Qëndrueshme në Shqipëri, Lorena Totoni, përfaqësuese e Rrjetit Shqiptar për Zhvillimin Rural (ANRD) tha se grupi i ekspertëve ka vizituar këto ditë një fermë në Fier, ku po implementohen pajisje hidrofonike për rritjen e grurit, si dhe një tjetër fermë në Gostivisht (Përmet), ku një zonjë dhe familja e saj po rrit numrin e koshereve, duke diversifikuar produktet e bletarisë, propolis dhe qumështin e bletës.

Në takimin që u zhvillua të premten në Durrës ekspertët vendas dhe të huaj vlerësuan  investimin pilot “Ferma në kampingun e fluturave”, i implementuar nga Labinot Murrja, Luzni, Dibër.

Djaloshi dibran, prezantoi përmes dy minidokumentarëve projektin pilot, mjedisin e zbatimit, avantazhet dhe vështirësitë, mundësitë për tu pilotuar edhe në fermat e tjera si edhe elementet e mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Fermeri i ri shtoi se kjo është një mënyrë shumë e mirë për të punësuar edhe bashkëfshatarët, dhe për të ndaluar largimin e të rinjve nga vendi i origjinës.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?