7 Marsi i mësuesit dhe ish nxënësit, sot kolegë! Ymer Ademi 2 orë vajtje - ardhje për të dhënë mësim: Pasioni mund vështirësitë

7 Mars, 11:55| Përditesimi: 7 Mars, 15:41

  • Share

Tirane- “Jam Ymer Ademi, 64 vjeç. Banues në Tiranë. Po nisem drejt Bastar Murriz për të dhënë mësim pranë vogëlushëve të mi”- rrëfen ai.

Për Ymerin, ky është viti i 43-të që feston 7 Marsin mes vogëlushëve të shkollës Bastar Murriz.

Asnjëherë nuk mendoi largimin nga shkolla e vendlindjes së tij, edhe kur nisi jetesën në Tiranë 15 vite më parë. Vajtje-ardhje i kushtojnë rreth dy orë.

“Profesionin e mësuesit e kam nisur me 2 tetor të 1980. Ishte ditë e mërkurë. Orën e parë e kam nisur me diktim. Pasdite festuam me shokët. Isha mësues i parë i fshatit. Me provojë, eksperiencë. Të tjerët ishin jabanxhi. Pastaj vazhdoi rrjedha me shumë pasion dhe përkushtim dhe pa orar. Më shumë këtu kam dhënë mësim. Gjithsej është viti i 43 i punës. I kam pasur të gjitha mundësitë që të shkëputesha, por më mirë kam menduar të sakrifikoj dhe desha ta mbyll jetën time duke i shërbyer komitetit”, tha Ymeri.

Përgjatë këtyre viteve mësimdhënie, vështirësitë kanë qenë të mëdha për Ymerin. Terreni, mungesa e një kopshti dhe klasat kolektive që vijojnë dhe sot e kanë shoqëruar 64-vjetarin gjatë gjitha profesionit.

“Kam pasur goxha vështirësi gjatë punës. Rruga po e po. Shkolla ka qenë e pa përshtatshme, kemi dhënë mësim në kushte shumë të vështira. Ajo që na ka munduar shumë është mungesa e një kopshti. Kryesorja është leximi, por shkrimi rrit rezultatet në mësim. 25 vjet kam punuar me klasa kolektive. E gjithë puna është tek menaxhimi i orës. Një mësim të pa varur. Mua më ka rezultuar mirë. Është lënë në harresë mësimi në klasa kolektive. Duhet ti kushtohet më shumë vëmendje”.- thotë ai.

Por teksa shprehet se gjithçka e ka kaluar me sukses dhe mirënjohjen e ndjen në çdo hap që hedh më fshatin e tij malor, Ymeri të vetmen gjë që nuk po e përjeton mirë është muajt e pakët që i kanë mbetur për të dal në pension.

“Me thënë të drejtën nuk po e përjetoj kaq mirë. Do më ngelin në mendje këta fëmijë të vegjël. Ana shpirtërore, dashuria për këta fëmijë do më mungoje”.- tha Ymeri.

Megjithatë ndihet krenar kur sheh që nxënësit e tij janë bërë të suksesshëm, e mbi të gjitha kur i bëhen koleg.

“Unë jam dhe një nxënës i jot. Ja ku erdhi dita që ne të ju shpërblejmë mundin që keni dhënë”, tha Nexhmedini.

“Puna është kënaësi. Me vullnet për punë arrihet gjithçka”.- tha Ymeri.

Ndryshe nga Ymeri, për 24-vjeçarin, Nexhmedin Qorri, ky është viti i parë që po feston 7 marsin. Emocionet janë të mëdha.

“Disa nxënës më kanë bërë dhurata. Më kujtonte vetja. Ishte një ndjenjë fantastike. Është një gjë shumë pozitive. Është një punë e lodheshe, por ka atë bukurinë e vet. Unë sapo kam dal nga bankat e universitetit, por ama është një emocion tjetër kur e shikon veten në këtë rol. Tani është bërë diçka e bukur. Kur nxënësit më thirrin o mësues më dukej çudi se ky është viti im i parë i punës”, tha Nezhmedini.

Njëjtë si ish-mësuesi i tij, i riu të zgjedhur të mos largohet dhe të japë kontributin e tij në matematikë-informatikë në vendlindje.

“Ky është viti im i parë i punës. Fillimi i çdo pune është i vështirë, por bashkëpunimi me mësues të vjetër na ka favorizuar. Janë shumë të rrallë djemtë të rinj që janë mësues. Ishte dhe ëndërr e nënës time dhe unë ja kam plotësuar. Jetës si dihet, por më pëlqen të rri këtu. Dua ti shërbej zonës. Nuk ka pse të vije tjetri kur jemi ne. Ndryshimi fillon nga vetja. Po nuk ndryshuam zonën tonë, nuk do bëhet asnjëherë shoqëria”, tha 24 vjeçar.

Shkolla e Bastar Murriz në rrethin e Tiranës është vartëse dhe në të marrin mësim rreth 30 nxënës.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?