I motivuar nga kampionë të mëdhenj të peshëngritjes shqiptare si Ilir Suli dhe konkurrencë të fortë me Erkand Qerimajn dhe Daniel Godellin, në 2002 Florenc Çela nga Fushë-Kruja nisi sportin e shtangës, duke arritur disa rezultate të larta deri të shpallja kampion vendi. Mirëpo i kushtëzuar nga vështirësitë e kohës ardhja e shpeshtë në klubet e kryeqytetit ku ai bënte pjesë u bë e vështirë.
“Ne ishim larg nga Fushë-Kruja dhe ishte pak e vështirë. Vetëm rruga, trafiku shkonte 2 orë. Pastaj donim sërish kohë derisa të shkonim te stadium Qemal Stafa. Shkonim në këmbë ose me uban. Shteti s’kishte mundësi për të gjithë sportistët, u zgjidhnin për pjesmarrje vetëm 1 që pretendonte për titull kampion. Asnjë për vend të 3. Një garë atëherë nga 8 që ishim për të marrë pjesë shkuan vetëm 3,”-u shpreh Florenc Çela, ish-peshëngritës.
Vështirësitë e veta Florenci po këmbëngul me doemos që mos t’i përjetojë brezi i ri. Ndaj në Fushë-Krujë, në një palestër modeste, ai ka nisur të stërvitë të pasionuarit e vegjël pas këtij sporti edhe pse momentalisht garojnë për klubin e Dajtit.
“Ky është një ambient i vogël. Fillimisht e kam marrë vetë dhe vazhdoj ta mbaj vetë në këmbë. Me ndihmën e ndonjë shoku ose miku. Kemi nisur hapat për të themeluar një ekip në fushë-krujë. Kemi bërë një takim me kryetarin e bashkisë. E ka pritur mirë dhe na ka dhënë fjalën, por ende s’është arritur. Do të na mundësojë një ambient më të madh e kushte më të mira,”-tha Florenc Çela, trajner i peshëngritjes.
Vështirësitë e një palestre të vogël dhe pa kushte, nuk e kanë penguar Floren Çelën, por edhe të rinjtë të cilët stërviten atje për të marrë rezultate të larta.
“Bojken Çela është kampion Shqipërie deri të moshat U-15. Është i padiskutueshëm sepse është stërvitur që i vogël. Në moshën e vet nuk e arrin askush. Konkurrent me Brendonin, shokun e ekipit. Ai vjen nga Mamurrasi, duke sakrifikuar. 20 kilometra rrugë,”-deklaroi trajneri Çela.
“Jam 11 vjeç dhe kam 2 vite që stëritem në peshëngritje. Vij çdo ditë nga Mamurrasi në Fushë-Krujë,”-u shpreh peshëngritësin Brandon Kola.
“Sporti i peshëngritjes ndiqet shumë dhe pata dëshirë të nisja stërvitjen. E kam nisur në 2021,”-tha Bojken Çela, peshëngritës.
Pasioni i madh për peshëngritjen ka mbijetuar te Florenc Çela pavarësisht vështirësive fillimisht si sportist dhe tani si trajner.
“Unë kam marrë shtangën në dorë dhe kam shkuar te shkolla. U kam thënë djemve hajde bëni shtangë dhe pashë që u afruan shumë veta. Të gjithë kishin dëshirë të kapnin të paktën nga njëherë shtangën. Nga këto të gjithë 2-3 më thanë ku është palestra se kemi dëshirë të vijmë. Këtë duhet të bëjmë,”-deklaroi Florenc Çela, trajner i peshëngritjes.
Florenc Çela përveçse trajner përfaqëson Shqipërinë në kampionatet masters ku edhe ka fituar medalje në Lojërat Mesdhetare.
Komente
