Kryeprokurorja Arta Marku

Pasojat e KLP/ Ekip nga SHBA-BE për ngritjen e Byrosë së Hetimit në Tiranë 

12 Dhjetor 2018, 09:58| Përditesimi: 12 Dhjetor 2018, 10:08

  • Share

Ngrita e Këshillit të Lartë të Drejtësisë shënon një nga pikat kulmore të zbatimit të Reformës në Drejtësi, duke i dhënë formë tashmë drejtësisë së re në Shqipëri dhe shembur në të njëjtën kohë sistemin e vjetër. Formimi i KLP, përpos të tjerave, pasjellë krijimin e një komisioni me ekspertë nga misionet e SHBA-BE në Tiranë, për të asistuar në themelimin dhe ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit të Hetimit.

Kjo e fundit është projektuar për të hetuar çdo akuzë penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, kryeministrit, ministrave, anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, anëtarëve të Gjykatës së Lartë, prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, deputetëve, kryetarëve të bashkive, zëvendësministrave, anëtarëve të KLP dhe KLGJ, drejtuesve të institucioneve qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj, si dhe akuzat kundër të gjithë ish-funksionarëve të sipërpërmendur.

Mandati i komisionit do të jetë dyvjeçar. Asistenca ndërkombëtare parashikohet në pikën 9 të nenit 57 të ligjit për SPAK-un, ku theksohet se “Një komision i përbërë nga ekspertë të drejtësisë penale, të caktuar nga misionet e Bashkimit Europian dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, do të japë udhëzime dhe këshilla për themelimin dhe zhvillimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, për një periudhë 2-vjeçare, duke nisur nga momenti i themelimit të kësaj Byroje. Komisioni i Pavarur i Rishikimit vëzhgon në mënyrë aktive procesin e rekrutimit dhe trajnimit të punonjësve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe miraton materialet e trajnimit të hetuesve dhe Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit”. 

Ngrihen Prokuroria e Posaçme 
Formimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë hap rrugën për ngritjen e së Prokurorisë së Posaçme, e projektuar për të luftuar krimin dhe korrupsionin në të gjitha nivelet. Neni 12 pika 1 i ligjit për SPAK-un, i miratuar që në vitin 2016, parashikon që prokurorët e Prokurorisë së Posaçme emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për një mandat nëntëvjeçar. Ndërkaq, Kushtetuta e ndryshuar parashikon që drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme zgjidhet nga radhët e prokurorëve të kësaj prokurorie me shumicën e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për 3 vjet, pa të drejtë rizgjedhjeje. Procedurat për ngritjen e Prokurorisë së Posaçme duhet të zhvillohen brenda tre muajve nga konstituimi i KLP dhe KLGJ. Ngritja e Prokurorisë së Posaçme zëvendëson Prokurorinë për Krimet e Rënda. 

Ngrihet Byroja e Hetimit 
Ngrija e Prokurorisë së Posaçme do të sjellë formimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, nën kujdesin e komisionit me ekspertë nga misionet e SHBA-BE në Tiranë. Këshilli i Lartë i Prokurorisë emëron edhe drejtorin e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Më pas, Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme miratojnë një urdhër për organizimin e brendshëm të Byrosë. Më tej, drejtuesi i Byrosë së Hetimit emëron hetuesit e Byrosë, sipas një procedure të parashikuar në ligj, gjithnjë me pëlqim drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme. 

Votëbesim për Arta Markun 
Pasoja e parë e Formimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë është çelja e garës për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri të përgjithshëm ose rikonfirmimi i kryeprokurores aktuale të përkohshme, Ata Marku, për një mandat të plotë 7-vjeçar. Neni 35 i ligjit Nr. 97/2016 për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë parashikon që Këshilli i Lartë i Prokurorisë, pas një procedure përzgjedhëse, i paraqet Kuvendit tre kandidatët për kryeprokuror. Kuvendi ka afat 30 ditë për të zgjedhur kryeprokurorin me 3/5 e votave. Ligji ka parashikuar mekanizma që mosmarrëveshjet politike të mos kenë më asnjë ndikim në funksionimin e drejtësisë. Nëse Kuvendi nuk e zgjedh dot prokurorin e ri brenda këtij afati, kandidati i renditur i pari nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, konsiderohet automatikisht i zgjedhur. Gjithashtu, reforma në drejtësi ka minimizuar deri në zerim influencën e klasës politike edhe tek organet e tjera të sistemit të drejtësisë. Parlamenti në çdo rast duhet të zgjedhë me konsensus një ndër emrat që i paraqiten në një listë, në të kundërt miratohet automatikisht emri i listuar në krye.

Marku humbet kompetencat
Konstituimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë sjell ndryshime të rëndësishme në prokurori. Me ngritjen e KLP, Prokurori i Përgjithshëm humbet kompetencat më të rëndësishme. Konkretisht, nuk mund t’i propozojë më Presidentit emërimin, transferimin, ngritjen në detyrë, largimin nga detyra dhe shkarkimin e prokurorëve. Humbet kompetencën e caktimit të drejtuesve të prokurorive dhe të zëvendësve të tyre, kompetencën e komandimit të prokurorëve, të emërojë dhe shkarkojë Sekretarin e Përgjithshëm në Prokurorinë e Përgjithshme dhe kancelarët e prokurorive. Gjithashtu, Prokurori i Përgjithshëm, në rasatin konkret, nuk mund të urdhërojë kryerjen e inspektimeve, fillimin e procedimit disiplinor dhe marrjen e masave disiplinore kundër prokurorëve. Shumica e këtyre kompetencave i kalojnë KLP.

Kompetencat e Këshillit të Lartë të Prokurorisë

1.    Emëron dhe ngre në detyrë prokurorët mbi propozimin e Komisionit të Zhvillimit të Karrierës.
2.    Emëron prokurorët e SPAK-ut
3.    Përzgjedh dhe i paraqet Kuvendit kandidatët për kryeprokuror.
4.    Vendos masën disiplinore të shkarkimit mbi prokurorët e prokurorisë së posaçme kundër korrupsionit me dy të tretat e votave mbi propozimin e Komisionit Disiplinor;
5.    Miraton akte nënligjore normative, në zbatim të këtij ligji ose të ligjeve të tjera, me efekt të përgjithshëm detyrues mbi të gjithë prokurorët.
6.    Miraton akte për rregullimin e procedurave të brendshme të Këshillit.
7.    Shqyrton ankimet kundër vendimeve të komisioneve.
8.    Miraton udhëzime të përgjithshme jodetyruese.
9.    Miraton rregulla të detajuara për funksionimin e administratës së Këshillit.
10.    Miraton përbërjen e komisioneve të përhershme, të komisioneve të përkohshme, si dhe rregulla të detajuara për veprimtarinë e tyre.
11.    Shqyrton ankimet kundër udhëzimeve të Prokurorit të Përgjithshëm ose të drejtuesve të prokurorive.
12.    Miraton rregulla të detajuara mbi menaxhimin dhe përdorimin e teknologjisë së informacionit.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?