Pastrimi i parave "ulëret" në çdo lagje të Tiranës dhe kjo gjë nuk shihet nga SPAK. Kështu ka deklaruar kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta sot nga mbledhja e Kryesinë Politike të PL.
Meta tha se SPAK ka frikë që të përmend kryeministrin dhe kryebashkiakiun Erion Veliaj.
“Pastrimi i parave "ulëret" në çdo lagje të Tiranës, ku çdo ditë hapet një kantier i ri ndërtimi, duke shkatërruar një park, duke asgjësuar një lulishte, duke rrëmbyer dhe tjetërsuar prona e ligjshme të qytetarëve të Tiranës. Këtë lavatriçe gjigande të pastrimit të parave, nuk e sheh vetëm SPAK-u i Ramaformës, që ka frikë t'i përmendë emrin jo vetëm Edi Ramës, por edhe Erion Veliajt, që ka marrë peng Bashkinë e Tiranës dhe nuk do t'ia dijë për rritjen e kostove të jetesës së qytetarëve në mënyrë marrëmëndese , por vetëm si të vazhdojë të vjedhë me inceneratorin fantazmë dhe të shtojë i pashqetësuar milionat në llogaritë e veta bankare me kompanitë kriminale të tipit 5D”, tha ai.
Meta theksoi se duhet që të vijohet me vendosshmëri deri në largimin e kryebashkiakut Veliaj.
“Ndaj edhe rrethimi demokratik, i këtij kryehajduti, do të vazhdojë me vendosmëri, deri në largimin e tij me çdo çmim, nga bashkia e Tiranës, dhe rikthimin e këtij institucioni në duart e qytetarëve të Tiranës. Deri në momentin kur nëna Liza do të ulet në karriken e tij. Dhe, po nuk veproi SPAK do të veprojnë qytetarët. Këtë model të narko-ekonomisë që e ndërtuan në Tiranë, Edi Rama me benjaminin e tij, pra Prindi 1dhe Prindi 2, po kërkojnë ta eksportojnë edhe në qytete të tjera të Shqipërisë”, tha ai.