Armis Stafa alias Armees Stava, 36 vjeç, nga Elbasani, i shpallur në kërkim në dosjen “Plumbi i Artë 2”, në të cilën u goditën Çopjat, u arrestua në Dubai në operacionin “The Wanted”.
Stafa dyshohet nga SPAK se pastroi paratë e grupit kriminal të Elbasanit përmes shitblerjes së automjeteve dhe pritet të ekstradohet në Tiranë.
Ai është një nga 33 personat e identifikuar si pjesë e grupi kriminal të vëllezërve Çopja, që dyshohet se është drejtuar nga Dubai, i përfshirë në vepra të rënda penale, përfshirë vrasje, trafik droge, vjedhje dhe pastrim parash.
Gjashtë ngjarje të rënda kriminale u zbardhën nga SPAK, për këtë dosje.
Franc Çopja njihet si pjesë e grupit të ashtuquajtur me nofkën “Sakati”, ku bëjnë pjesë dhe dy vëllezërit e tij Hajdar Çopja dhe Ervin Bako alias Çopja.
Përmes komunikimeve të “SkyECC” u zbardh masakra e Bradasheshit me 3 të vrarë, mes tyre vëllai i Erjon Alibejt, vrasja e Andi Zylyfit, Klevi Brahos dhe Klevis Kapllanit.
Njoftimi i policisë:
Si rezultat i shkëmbimit në kohë reale të informacionit të siguruar nga struktura të specializuara të Policisë së Shtetit, me homologët në Emiratet e Bashkuara Arabe, nëpërmjet shërbimeve të Interpol Tiranës, gjatë kësaj faze të operacionit “The Wanted”, u kap në Dubai, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasi A. S. alias A. S., 36 vjeç, i lindur në Elbasan.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në vitin 2024, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim.
Ky shtetas akuzohet në kuadër të një procedimi penal të vitit 2022, se në bashkëpunim me të tjerë, ka pastruar nëpërmjet shitblerjes së automjeteve, paratë e shtetasve F. G. alias F. Ç. dhe H. B. alias H. Ç. (vëllezër), të përfituara nga veprimtari kriminale.
Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me homologët në Abu Dhabi, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e këtij shtetasi, në Shqipëri.
Komente
